1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Çakallët“ kanë qenë pjesë e ushtrisë jugosllave

Ivica Petroviç/Angjelina Verbica13 Shkurt 2014

„Çakallët“ gjatë luftës së Kosovës 1999 s'kanë qenë njësi paramilitare, por pjesë e ushtrisë jugosllave. Kjo u konfirmua nga gjykimi i nëntë pjesëtarëve të kësaj njësie. Por kjo nuk e arrin gati aspak opinionin në Serbi.

https://p.dw.com/p/1B7xt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një departament i veçantë i Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd dënoi nëntë anëtarë të formacionit paramilitar "Çakallët", për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të Kosovës në vitin 1999, me gjithsej 106 vjet burg. Dy nga të pandehurit e këtij grupi u liruan. Siç thuhet në argumentimin e vendimit të shkallës së parë, të paditurit shpallen fajtorë për vrasjen e më shumë se 120 civilëve në fshatrat Çushka, Zahaç, Pavlan dhe Ljubeniç. Viktima më e re ka qenë 19 dhe më e moshuara 87.

Gjykimi arriti në përfundimin se qëllimi kryesor ka qenë dëbimi i shqiptarëve prej një zone të caktuar. Po ashtu viktimave u janë marrë gjëra me vlerë dhe dokumentet personale. Krimet janë kryer gjatë muajt prill dhe maj 1999 dhe në aktakuzë thuhet se operacionet në fshatrat përreth Pejës, në të cilat janë kryer vrasjet, nuk ka pasur asnjë objektiv të drejtpërdrejtë ushtarak. Anëtarët e njësisë "Çakallët" gjatë vrasjeve, dhunimeve, shkatërrimit të pronës, si dhe veprave të tjera të dënueshme, kanë treguar brutalitetit dhe vrazhdësi të jashtëzakonshme. Jo rrallë viktimat janë qëlluar me armë pas shpine, pas kësaj shumica e trupave janë djegur, me qëllim që të pamundësohet identifikimi i tyre.

Njësitë ushtarake dhe paraushtarake

Kthesa në këtë rast ishte dëshmia e anëtarit të grupit "Çakallët", Zoran Rashkoviç, i cili në proces ka përshkruar në detaje krimet e luftës të kësaj njësie. Rëndësi ka të përmendet se gjatë procesit u konstatua se njësia "Çakallët" ka qenë pjesë e ushtrisë së Jugosllavisë në atë kohë dhe se anëtarët e saj merrnin pagë nga ushtria, siç pohon për DW, Sandra Orloviç, drejtore e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe se për ta për këtë arsye nuk mund të flitet si për një njësi paraushtarake. Pas shqiptimit të dënimit, dëshmitarit bashkëpunues në rastin "Çushka", në të cilin u dënuan anëtarët e njësisë paramilitare "Çakallët", dhe vëllait të tij, gjatë natës i është djegur shtëpia barkë në Beograd.

Gjykimi i njësisë "Çakallët" është i rëndësishëm, për shkak se tregon se nuk qëndron ajo, që kemi dëgjuar për vite, se për krimet e luftës në Kosovë janë fajtore disa grupe të shkëputura njerëzish të armatosur, të cilët kanë shfrytëzuar anarkinë në terren për të larë hesapet me civilët, thotë për DW Sandra Orloviç. Çakallët kanë qenë pjesë e ushtrisë jugosllave dhe është konstatuar, se kujt i ka dhënë llogari kjo njësi, brigadës së 125 të motorizuar të ushtrisë së atëhershme të Jugosllavisë.

Një departament i veçantë i Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd dënoi nëntë anëtarë të formacionit paramilitar "Çakallët" me gjithsej 106 vjet burg.
Një departament i veçantë i Gjykatës së Lartë për Krime Lufte në Beograd dënoi nëntë anëtarë të formacionit paramilitar "Çakallët" me gjithsej 106 vjet burg.Fotografi: picture-alliance/dpa

Krime pas dyerve të mbyllura

"Kam frikë se asnjë vendim gjykate, dhe as ky, nuk do të ndryshojë asgjë në perceptimin e opinionit serb për atë, që ka ndodhur me të vëretetë në Kosovë ato vite", vlerëson për DW Andrej Nosov, drejtor i OJQ-së Heartefact. Kjo nuk ka për të ndodhur, derisa politikanët serbë të mos i pranojnë këto gjykime, vlerëson Nosov:
"Ju e dini se kemi shumë pak raportime në opinionin tonë publik lidhur me këto gjykime. Që të mos flasim për viktimat, për atë, që u ka ndodhur viktimave në këtë rast konkret, pothuajse nuk kemi mësuar asgjë. Ky është një problem i madh, sepse këto gjykime mbeten pastaj pas dyersh të mbyllura. Por në fakt ata dahet të bëhen një mundësi e rëndësishme për gjithë shoqërinë, që të marrë vesh, se ç’ka ndodhur me të vërtetë në Kosovë. Megjithese ka një lëvizje në pranimin e përgjegjësisë së shtetit, ajo është ende e pakët. Pyetja është, se sa janë në gjendje ta bëjnë këtë, ata që kanë marrë pjesë në qeveri në kohën e kryerjes së këtyre krimeve dhe sa forcë dhe vullnet politik është i nevojshëm për të bërë, që të ndodhë kjo."

Pa debate për të kaluarën

"Gjatë kësaj kohe, ne nga gjykimi kuptojmë se konflikti në Kosovë ka qenë në fakt një luftë kundër civilëve të paarmatosur, apo civilë për të cilët është dyshuar se ndoshta mund t’i përkisnin ndonje force të armatosur, thekson Nosov. Kjo do të thotë se ne nuk e kemi kuptuar, se çfarë u ka bërë ky shtet shqiptarëve gjatë viteve 90-të, përse janë bërë bombardimet e NATO-s, dhe në fakt një diskutim serioz për vitin 1999 nuk ka pasur", thotë Nosov."Ne vazhdimisht harrojmë se pranë Beogradit është zbuluar Batajnica, ne harrojmë Petrovo Selo-n, ne harrojmë shumë raste, që tregojnë se forcat e armatosura serbe në atë kohë nuk kanë zbatuar vetëm një lloj politike për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin, e cila ka qenë mantra e asaj kohe, por kanë bërë edhe shumë krime."

Nuk ka gjeste pozitive

Natyrisht që vendimet e gjykatave nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar perceptimin e opinionit publik lidhur me atë, që ka ndodhur në Kosovë. Ballafaqimi i vërtetë me të kaluarën mund të vijë vetëm me disa gjeste të vazhdueshme, të cilat do të vendosin një raport të përgjegjshëm me atë, që ka ndodhur", thotë Sandra Orloviç. "Ne pastaj deri sot nuk kemi dëgjuar asnjë kërkim falje, asnjë gjest simbolik ndaj viktimave shqiptare. Madje edhe kjo nuk është e mjaftueshme, dhe ky nuk duhet të jetë i vetmi gjest, që mund të ofrojnë politikanët, por do të ishte një fillim i mirë", thotë Sandra Orloviç.

"Vënia e zjarrit shtëpisë barkë të dëshmitareve, që kanë bashkëpunuar në këtë proces, është pjesë e atmosferës, që shoqëron gjykimin e krimeve të luftës në Serbi që nga fillimi", vlerëson Sandra Orloviç. "Ata janë sytë e ushtrisë, policisë, dhe opinionit të gjerë, tradhtarë. Thjesht sepse nuk dërgohen sinjale të tjera nga majat e pushtetit”, thotë drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare. "Ne prej kohësh, por pa sukses, paralajmërojmë se një numër shumë i madh njerëzish, që nga autorët e krimeve deri tek ata, që kanë patur funksione përgjegjëse në kohën e konfliktit, zënë ende poste të larta në institucionet serbe", thotë Orloviç. "Mendoj se edhe BE gjatë procesit të bisedimeve do t’i kushtojë pak më shumë vëmendje këtij fakti", thotë Sandra Orloviç.