1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë është zbatuar nga ato, për të cilat është rënë dakord?

Marina Maksimovic/Angjelina Verbica19 Prill 2014

Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit BE është i kënaqur me arritjet, Beogradi thotë se i ka plotësuar "gati krejtësisht" detyrimet e tij, Prishtina i bën thirrje Serbisë "të bëjë më shumë" për zbatimin.

https://p.dw.com/p/1Bl2i
Treffen Ashton, Thaci und Dacic
Fotografi: European External Action Service

Një vit, pasi kryeministrat Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi në emër të Serbisë dhe Kosovës nënshkruan "marrëveshjen e parë mbi parimet kryesore të normalizimit të marrëdhënieve", BE thotë se “zbatimi është prioritar" dheme pak a shumë optimizëm ai vlerëson, se ajo për të cilën është rënë dakord, pjesërisht edhe është përmbushur. Brukseli nga ana e tij zyrtarisht është i kënaqur me arritjet, Beogradi vlerëson se i ka "përmbushur thuajse njëqindpërqind“ pjesën e obligimeve të tij, ndërsa Prishtina thekson se është "bërë mjaft", por se "Serbia duhet të angazhohet më shumë në përmbushjen e marrëveshjes". Edhe pse që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes Beogradi dhe Prishtina kanë shkëmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit për “mungesë angazhimi dhe zvarritje", por kanë theksuar edhe "vështirësinë e implementimit në terren", në qershor të vitit të kaluar fillimisht u bë këmbimi i oficerëve ndërlidhës dhe në shtator u arrit marrëveshja për energjinë dhe telekomunikacionin, pjesa me të vërtetë e vështirë e së cilës, pjesa e pronës, do të jetë objekt i bisedimeve të ardhshme.

Në nëntor, me mbajtjen e zgjedhjeve komunale në Kosovë, duke përfshirë dhe komunat me shumicë serbe në veri, u plotësua edhe një tjetër prej 15 pikave të marrëveshjes së prillit. Prishtina theksoi se "e ka kaluar testin evropian" me mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e saj, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa për Beogradin zgjedhja e përfaqësuesve legjitimë serbë do të thoshte baza për formimin e asosiacionit të komunave serbe. Megjithatë asosiacioni i komunave serbe, formimi i të cilit është parashikur me pikën e parë të marrëveshjes, nuk ka hyrë ende në fuqi. Për këtë në Beograd thonë se pritet që Prishtina të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes.

Marrëveshja e 19 prillit është quajtur "marrëveshje historike", "pikë kthese në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës", dhe "lëvizje në rrugën e integrimeve evropiane". Ndër të tjera për shkak të normalizimit të marrëdhënieve, Beogradit iu ofrua fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, dhe Prishtinës negociatat për marrëveshjen e stabilizim asociimit. Nga fundi i vitit të kaluar Beogradi dhe Prishtina finalizuan një marrëveshje për integrimin e të gjithë atyre, që duan të jenë pjesë e policisë së Kosovës, dhe shefja e diplomacisë evropiane duke rekomanduar hapjen e negociatave për Serbinë, deklaroi se është "e impresionuar me përparimin dhe përkushtimin" e të dyja palëve:

EU Außenpolitik Ashton, Dacic und Thaci in Brüssel OVERLAY
Fotografi: picture-alliance/AP

"Po të shikoni listën e arritur në marrëveshjen e prillit, është me të vërtetë mbresëlënëse. Diku madje kemi shkuar shumë më tej dhe më shpejt nga ç'e kam pritur. Tani po punojmë në detajet e fundit, që kanë të bëjnë me gjyqësorin", tha Ashton në rekomandimin për shtetet anëtare të BE.

Në këtë moment Beogradi dhe Prishtina ende ndodhen para finalizimit të një prej "temave më të vështira" në dialogun e deritanishëm, që integron veriun në sistem gjyqësor unik të Kosovës. Pritet që qeveria e re, që formohet në Beograd, dhe Prishtina ta zyrtarizojnë këtë marrëveshje në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Normalizimi i marrëdhënieve është një proces, që do të zgjasë

Në BE shpesh përsëritet që qëllimi kryesor i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve të thjeshtë. Dhe ndërsa qytetarët e Kosovës thonë se akoma është heret për të vlerësuar, si dhe sa e ka ndryshuar marrëvëshja e Brukselit jetën e tyre, duke theksuar se ndarja e shoqërisë vazhdon të jetë e dukshme, qëndrimi evropian është se pengesat dhe problemet kanë qenë të pritshme, por ka nisur të lëvizë diçka, që nuk ka lëvizuar për 15 vjet:

"Mbajtja e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Kosovës, në kornizën ligjore të Kosovës, ka qenë një ndryshim i madh, që i ka bërë të dy komunitetet, që luanin "secila në hesap të vet", të luajnë në "të njëjtën fushë", mendon këshilltari special i përfaqësuesit evropian në Kosovë, Aleksandro Rota, dhe shton:

„Pas zgjedhjeve të nëntorit në Kosovë bashkësitë serbe në veri u bënë me liderë të zgjedhur në mënyrë legjitime, të cilët pranohen nga të dyja palët. Edhe pse një pjesë e bashkëpunimit vazhdon të kalojë përmes nesh, ka rritje të bashkëpunimit të bashkësive lokale me ministritë dhe administratën në Prishtinë, që është diçka e re."

Nuk ka ndryshime brenda nate

Edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në shërbimin diplomatik evropian, Fernando Xhentelini, thotë se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës është një proces, në të cilin nuk priten "ndryshime brenda natës", por ai është "personalisht i impresionuar" nga arritjet. Ai vlerëson se normalizimi në fusha të tilla si liria e lëvizjes, katastrat, apo dalja në votime, bazohet në pajtimin mes komuniteteve në Kosovë:

EU Außenpolitik Catherine Ashton in Brüssel
Fotografi: REUTERS

"Marrëveshja nuk është vetëm nënshkrimi dhe zbatimi i saj. Marrëveshja kërkon energji të vazhdueshme dhe punë. Mendoj se të gjithë në këtë proces janë të gatshëm për këtë. Perspektiva evropiane është e rëndësishme, por ata (Beogradi dhe Prishtina) kanë dashur që jeta e njerëzve të tyre të bëhet normale dhe që të zgjidhen problemet në terren. Kjo ka lëvizur gjithçka", thotë Xhentelini.

Ndërkohë shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton ka njoftuar mundësinë që pas marrëveshjes së Brukselit, e cila quhet "marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës", të vijë edhe "marrëveshja e dytë". Në këtë moment në Bruksel thonë, se është reale të pritet, që deri në nëntor të vitit 2014, kur përfundon mandati i përfaqësueses së lartë, të arrihet së paku zbatimi i plotë i marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill të vitit të kaluar.