1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110511 BaWü Grüne Regierung

12 Maj 2011

Të enjten (12 maj 2011) i Gjelbri, Wilfried Kretschman do të zgjidhet si kryeministër i ri i Baden-Vyrttembergut. Në zgjedhjet e parlamentit të landit në 27 mars, të Gjelbrit morën më shumë se 24 përqind të votave.

https://p.dw.com/p/11Dz9
Winfried Kretschmann dhe Nils Schmid (SPD)
Winfried Kretschmann dhe Nils Schmid (SPD)Fotografi: dapd

Për të Gjelbrit është një hap i shënuar: rreth 30 vjet pas themelimit të Partisë, ata drejtojnë për herë të parë qeverinë në një land federal gjerman. Dhe e bëjnë këtë pikërisht në Baden-Vyrttembergun konservator, ku kristjandemokratët përcaktuan tonin për dekada me radhë. Që prej zgjedhjeve në land më 27 mars, të Gjelbrit notojnë në një valë popullariteti. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë, Stefi Lemke flet për mbështetje të madhe për partinë:

"Padyshim që vihet re më shumë vëmendje dhe miratim për politikën e gjelbër, më shumë anëtarësime në parti. Në mars dhe prill të këtij viti patëm shtimin më të lartë me anëtarë në krahasim me të gjitha kohërat. Dhe këtu mund të ndiesh para së gjithash që temat e gjelbra fitojnë më shumë peshë."

Ndryshim historik - Një i gjelbër kryeministër

Nëse zgjidhet në 12 maj nga Parlamenti i landit të Shtutgartit, 62 vjeçari Winfried Kretschmann do të hyjë në histori si kryeministri i parë i Gjelbër i një landi gjerman. Vërtet që të Gjelbrit kanë qenë të përfaqësuar në shumë qeveri landesh dhe në vitet 1998 deri 2005 ishin në timon edhe në federatë. Por ata kanë qenë gjithmonë partneri më i vogël i koalicionit dhe shumë herë qenë të detyruar t'i shtrinin këmbët sa kishin jorganin.

Winfried Kretschmann
Winfried Kretschmann bën ndryshimin historikFotografi: dapd

Në Baden- Vyrttemberg shefi është për herë të parë një i Gjelbër dhe socialdemokratët janë partneri më i vogël. Për partinë socialdemokrate gjermane, të ndërgjegjshme për traditën, kjo është një situatë me të cilën do t'i duhet të mësohet.

Alexander Bonde, i caktuar si ministër i gjelbër në qeverinë e re të landit: "Për PSDGj është padyshim një përvojë e re, pozicioni i partnerit më të vogël, që edhe të Gjelbrit të dalin me kryeministra - socialdemokratët e kanë konsideruar të vetëkuptueshme që të ishte ndryshe. Por ne e trajtojmë me korrektesë njëri-tjetrin dhe e kemi të qartë: PSDGj është po kaq e madhe sa ne."

Rezultati në zgjedhje i PSDGj është thuajse po kaq i mirë sa i të Gjelbërve, me ndryshimin që të Gjelbrit fituan më shumë se 12 pikë përqindje, kurse ata shënuan rezultatin më të dobët të historisë së tyre. Ndaj edhe menjëherë pas zgjedhjeve, të Gjelbrit ishin në eufori, socialdemokratët të dëshpëruar, kurse CDU-ja e traumatizuar. Për herë të parë që prej vitit 1953, CDU do të ulet në bankën e opozitës, megjithëse vazhdon të mbetet partia më e fortë.

Autor: Nina Werkhäuser/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi