1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë kanë shkruar "spiunët"?

Aida Cama30 Dhjetor 2007

Çfarë shkruanin "spiunët" që vizitonin Shqipërinë në vitet tetëdhjetë? Në shumicën e rasteve raportet kanë qenë banale. Si jetojnë shqiptarët për shembull, ose çfarë mendojnë ata për kushtet sociale.

https://p.dw.com/p/Ci9r
Ish drejtori i spiunazhit të RDGJ, Markus Wolf, fotografi e vitit 1995
Markus Wolf, ish drejtori i spiunazhit të RDGJ nga 1956 deri 1989Fotografi: AP

Shqiptarët i kanë quajtur spiunë. Shtazi, i quante bashkëpunëtorë jozyrtarë. Një i tillë, me pseudonimin "Sarkazma" ka vizituar për disa ditë Shqipërinë në shkurt të vitit 1980, i bashkangjitur në një delegacion të fabrikës së cigareve Tabak- Kontores Drezden. Delegacioni vizitonte Shqipërinë për të biseduar për importimin e duhanit.

Muzeumi i DDR-it, Berlin 2006
DDR në Muzeum, Berlin 2006Fotografi: DW



Dy javë pasi është kthyer nga Shqipëria, "Sarkazma" është vizituar në shtëpinë e tij nga Kapiteni Müller, një punonjës i ministrisë së brendshme. Ai ka raportuar nga ora 8 deri në dhjetë të mbremjes dy orë rresht çfarë ka parë dhe dëgjuar në Shqipëri. Ja pjesë nga raporti:

"Duhet thënë është se pala shqiptare prezantoi fillimisht një lloj tjetër duhani, me kualitet më të dobët dhe me çmim më të lartë. Bisedimet u rënduan dhe rrezikonin madje të ndërpriteshin. Por synimi ekonomik u arrit.

Gjatë udhëtimit, u pa se qytetarët shqiptarë, partnerët e bisedimeve, personeli i hoteleve ose qytetarët e tjerë i largoheshin çdo lloj diskutimi për çështje politike, ose për gjendjen sociale në Shqipëri.

Monumenti i Ernst Thaelmann-it, Berlin
Monumenti i Ernst Thaelmann-it, Berlin 2002Fotografi: AP



Gjendja sociale vlerësohet në varfëri të papërshkrueshme. Sarkazma ka patur mundësinë të vizitojë disa shtëpi, ku ka parë kushte primitive jetese. Mundësitë për të blerë janë shumë të kufizuara, madje edhe në Tiranë. Në dyqane ka vetëm gjëra primitive. Rrugët gjatë ditës janë thuajse bosh, vetëm mbrëmjeve nga ora 18:00 deri në odër 20 qytetarët dalin në rrugë dhe sheshe, dhe pas kësaj ore qyteti zbrazet sërish.

Gjatë një udhëtimi me makinë delegacioni ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Kur gjatë një pushimi të shkurtër "Sarkazma" ka bërë disa fotografi, kalimtarët i kanë thënë se fotografimi ndalohet. Tabela për të treguar këtë nuk ka. Kur ka qëndruar i mrekulluar për të parë përreth, Sarkazma ka parë disa pozicione artilerie. Pozicione të tilla ka parë edhe në zona të tjera. Në të gjitha qytetet e vizituara, pas gati çdo shtëpie është duke u ndërtuar një bunker, nëse nuk ekziston një i tillë. Bunkerët përbëhen nga pjesë gjysmë të rrumbullakta betoni, që sillen të gatshme dhe maskohen me dhe dhe bar. Bunkerët janë jashtëzakonisht primitivë. Shumë shumë, thotë "Sarkazma", ato mund të të mbrojnë nga shiu dhe çdo familje i ngre ato vetë. "Sarkazma" ka kërkuar hyjë në një bunker, por kjo i është ndaluar kategorikisht. Në Tiranë ai ka parë se ambasada kineze ruhet shumë mirë dhe se kërkush nuk i afrohet asaj më shumë se 20 ose 30 metra.

Festival i këngës për pionerë- qershor 1979
Festival i këngës për pionerë- qershor 1979Fotografi: AP


Këtu merr fund raporti për Shqipërinë. Sarkazma vazhdon me tregimet për anëtarët e tjerë të delegacionit që ka vizituar Shqipërinë. Njëri prej tyre ka dëshiruar të vizitojë Gjermaninë perëndimore, për të blerë një fustan dhe një magnetofon për vajzën. Për të mundësuar këtë ai ka kërkuar ndihmën e "Sarkazmës".