1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë po bën Kosova kundër terrorizmit?

Bekim Shehu21 Dhjetor 2015

Si e shpjegojnë sociologët dukurinë e pjesëmarrjes së të rinjve kosovarë në luftërat në Lindjen e Mesme përkrah organizatave terroriste. Çfarë po bën Kosova kundër terrorizmit?

https://p.dw.com/p/1HR79
Panorama Kosovo
Fotografi: picture alliance/blickwinkel/B. Trapp

Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme përkrah organizatave tashmë të shpallura terroriste nga OKB-ja, siç janë: "Shteti Islamik" (IS) Al-Nusra. Numri i të rinjve kosovarë përkrah IS-it, në periudha të ndryshme llogaritet të jetë rreth 300, ku 50 prej tyre thuhet se janë vrarë. Këto të dhëna publikohen në hulumtime të organizatave të ndryshme dhe që konfirmohen edhe nga policia e Kosovës. Ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, thotë se pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në IS është një sinjal që duhet të ndalet më shpejtë. "Shoqëritë gjithandej botës po përballen me ekstremizëm dhe radikalizëm, prandaj duhet të ndërtohen ura që të luftohen këto sfida mes komuniteteve, institucioneve dhe shteteve të rajonit", tha ambasadori Schlumberger gjatë një konference të organizuar nga Ministria e Rendit, ku u diskutua për ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin që çon në terrorizëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ndërkaq, thotë se lufta kundër ekstremizmit dhe radikalizmit nuk mund të bëhet vetëm nga Policia e Kosovës, por sipas tij, duhet që të krijohen mekanizmat për parandalimin e ekstremizmit dhe kjo mund të bëhet edhe nga institucionet e tjera. "Jemi angazhuar që policisë t'i lemë sa më pak punë duke krijuar mekanizma parandalimi të ekstremizmit, në mënyrë që të mos jetë policia i vetmi institucion, përkundrazi, janë një varg institucionesh të tjera, edhe organizma social-politikë, edhe të shoqërisë civile që mund të bëjnë shumë më shumë në parandalimin e ekstremizmit në mënyrë që policisë t'i lihet sa më pak punë. Edhe një herë po them, mund të bëjmë shumë më shumë në parandalim në mënyrë që të mos t'i lëmë policisë punë, të merret në mënyrë retroaktive me pasojat", thotë ministri Hyseni.

"Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar strategjinë për luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Pas Ligjit që ka kaluar në Kuvend për parandalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja. Pas aprovimit të strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit ne e kemi aprovuar po ashtu një plan veprimi që është i detajuar dhe përshkruan detyra konkrete për secilin institucion. Dhe për këtë qëllim unë kam themeluar një grup jo formal, që përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, departamenteve përkatëse të Policisë të Kosovës, në mënyrë që t'i zbatojmë të gjitha detyrat që bien në fushëveprimin tonë", thotë ministri Hyseni.

Por, si e shpjegojnë sociologët fenomenin e pjesëmarrjes së të rinjve kosovarë në luftërat në lindjen e mesme. Artan Muhaxheri, sociolog i tha DW-së se pjesëmarrja e të rinjve në luftërat në Lindjen e Mesme dhe pjesëmarrja përkrah organizatës terroriste IS, është një dukuri globale dhe edhe Kosovëa nuk është imune ndaj këtij fenomeni. Sipas Muhaxherit, arsyet pse të rinjtë kosovar i bashkohen IS-it, janë brishtësia e institucioneve të sigurisë, sistemi i dobët arsimor dhe papunësia e madhe në Kosovë. "Deformimet dhe zbrazëtirat që ekzistojnë në funksionimin e këtyre tri fushave apo në qasjen e sistemit shtetërorndaj këtyre tri kategorive e bën të mundur largimin e qytetarëve të Kosovës drejt vatrave të luftës në Lindjen e Mesme", thotë Artan Muhaxheri.

Ai në veçanti përmend funksionimin e dobët të organeve të sigurisë për faktin që Kosova është një shtet ri dhe pa përvojë në sistemin vetanak të sigurisë".

"Në aspekt tjetër është edhe sistemi i dobët arsimor, sepse ekziston edhe një inflacion në institucionet private të arsimit, por edhe kualiteti i dobët i arsimit, prandaj këta të rinj nuk i marrin bazat e fuqishme të arsimit, kulturës shkencave dhe bëhen me lehtësi pre e indoktrinimit fetar të udhëheqësve fetar të papërgjegjshëm dhe ekstremist", thotë Artan Muhaxheri.

Një element tjetër sipas sociologut, Muhaxheri se pse të rinjtë kosovar i bashkohen organizatës terroriste IS, është edhe varfëria dhe papunësia e madhe në Kosovë. "Të rinjtë duke mos pasur perspektivë për punësim dhe për një jetë normale, indoktrinohen me lehtësi dhe tentojnë që shpëtimin dhe përgjigjen për të gjitha pyetjet ta kërkojnë në diskursin fetar, ndrësa, pas një kohe me zhvillimin e këtij diskursi ndodhë edhe largimi drejt vatrave të luftës", thotë Artan Muhaxheri duke shtuar se vendimi për të shkuar në luftë mbi baza fetare është tejet vendim ekstrem dhe radikal dhe kjo ndodh për shkak të kombinimit të shumë elementëve në mënyrë që një individ të luftojë në emër të fesë."

Pjesëmarrja e luftëtarëve të huaj nga shtete të ndryshme në luftën e Sirisë, arrin shifra të mëdha. Në qershor të vitit 2014, Grupi Soufan (TSG) publikoi një raport mbi luftëtarët e huaj në Siri, dhe kishte identifikuar rreth 12.000 luftëtarë të huaj nga 81 vende të ndryshme të botës. Grupi Soufan është një institut hulumtimesh, i cili ofron shërbime mbi strategjitë e sigurisë për qeveri të ndryshme në botë dhe organizata shumëkombëshe. Ndërsa, një javë më parë Grupi Soufan, prezantoi të dhëna të reja ku thuhet se numri i luftëtarëve të huaj, të cilët i janë bashkuar grupit militant "Shteti Islamik" dhe grupeve të tjera salafiste në Siri dhe Irak, sillet nga 27.000 deri në 31.000 dhe vijnë nga 86 vende të ndryshme botërore. Prej tyre, 875 thuhet se vijnë nga shtetet e Ballkanit nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Në Kosovë, TSG, konstaton se të dhënat zyrtare numrin e përcaktojnë aktualisht në 232.

Kuvendi i Kosovës që nga marsi i vitit të shkuar ka miratuar ligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit. Një valë masive e arrestimeve në Kosovë ndodhi në gusht të vitit të shkuar, ku Prokuroria Speciale kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe në të njëjtën kohë, kishte arrestuar mbi 40 nga ta. Nga ky grup 32 persona tashmë janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet ndërsa, 7 persona të tjerë të kërkuar ndodhen në arrati. Personat e arrestuar dyshohen për veprat penale, "rekrutim për terrorizëm", "organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste" dhe "mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve".