1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë pret Gjermania nga Kroacia në BE?

13 Qershor 2013

Kroacia shpejt do të anëtarësohet në BE. Çfarë pret BE nga anëtarja e re? Ndër të tjera që të jetë bashkëpunuese me fqinjët. Me DW flet Nikolaus Graff Lambsdorff, përfaqësues i qeverisë gjermane për Evropën Juglindore.

https://p.dw.com/p/18okD
Fotografi: DW

DW: Zoti Lambsdorff ne këto ditë kemi bërë një sondazh për qëndrimet e qytetarëve gjermanë ndaj anëtarësimit të Kroacisë në BE. Disa e mbështesin por ka dhe shumë të tillë që janë skeptikë. Jeni të befasuar me këto qëndrime skeptike të qytetarëve gjermanë?

Lambsdorff: Më befason në fakt se sa pak janë skeptikë qytetarët gjermanë ndaj kësaj çështjeje. Kush mund të befasohet sot me qëndrimet skeptike ndaj Bashkimit Evropian dhe zgjerimit të BE?

DW: Kritikat e fundit për gjendjen në Kroaci, i kanë shqetësuar njerëzit atje, sepse Kroacia ka kaluar procesin më të rëndë të negociatave për anëtarësim. Ata kanë përshtypjen se në vendet e tjera nuk po u jepet mirënjohja e merituar për përparimet që kanë bërë në këto shtatë-tetë vitet e fundit?

Lambsdorff : Përshtypja nuk është e gabuar, sepse Kroacia ka kaluar me të vërtetë procesin më të gjatë të negociatave për anëtarësim. Por kështu do të jetë edhe për vendet e tjera që pretendojnë të anëtarësohen, që do të thotë se secili vend tjetër duhet të plotësojë të paktën kushtet që ka plotësuar Kroacia. Kroacia do të bëhet anëtare, ky ka qenë qëllimi, ndaj kjo duhet të kuptohet edhe si mirënjohje!

DW: Kroacia është dashur t'i zgjidhë edhe problemet e saj me Slloveninë në këtë rrugë, sepse ajo e ka bllokuar dhe e ka ngadalsuar afrimin e Kroacisë me BE. A mendoni se Kroacia mund të keqpërdorë anëtarësimin e saj për të penguar vendet e tjera të rajonit që duan të anëtarësohen në BE?

Lambsdorff: Së pari duhet thënë se kemi mësuar shumë nga rasti i Kroacisë dhe Sllovenisë dhe tani e dimë këtë leksion. Mësimi është që ne nuk duam që një vend anëtar i BE të pengojë vendin tjetër në rrugën e tij drejt anëtarësimit. Kroacia ka premtuar se nuk do të pengojë vendet e tjera dhe këtë duhet ta bëjnë të gjitha vendet që anëtarësohen në BE.

DW: Cili do të jetë roli i Kroacisë sa i përket anëtarësimit të vendeve fqinje: Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës?

Lambsdorff: BE pret nga Kroacia që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkan. Shpresojmë se Kroacia do të luajë një rol aktiv. Kroacia i ka ofruar Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë që të përfitojnë nga përvojat e saj në procesin e anëtarësimit.

DW: Ekonomia gjermane është më e fuqishmja në Evropë, por sipërmarrjet e këtushme kanë nevojë për ekspertë nga fusha të ndryshme. Mendoni se shumë kroatë do të nisen për në Gjermani, pas anëtarësimit në BE, për të kërkuar punë?

Lambsdorff: Nuk e besoj se do të ketë ndonjë valë të madhe, sepse Kroacia është një vend relativisht i vogël. Por pas një periudhe të caktuar edhe kroatët do të gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizijes brenda BE.

Intervistoi: Srecko Matic

Redaktoi: Bahri Cani