1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë pritet nga qeveria e re në Serbi?

Angelina Verbica11 Korrik 2012

Me nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit SNS-SPS-URS në Serbi krijohet qeveria e re. Ajo ndodhet para sfidave të mëdha ekonomike dhe politike.

https://p.dw.com/p/15VGB
Zgjedhjet ndryshuan raportet në Parlamentin e Serbisë
Zgjedhjet ndryshuan raportet në Parlamentin e SerbisëFotografi: picture-alliance/dpa/prismaarchivo

Nëntë javë pas zgjedhjeve në Serbi nacionalistët dhe socialistët kanë rënë dakord për formimin e një qeverie koalicioni. Krijimi i koalicionit do të bëhet së shpejti, deklaruan partitë të martën pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit. Përmes marrëveshjes ata angazhohen për "përpjekje maksimale” për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. "Kjo nuk është vetëm marrëveshje për një qeveri të re, por edhe marrëveshje për një Serbi evropiane", deklaroi shefi i socialistëve, Ivica Daçiç, ish zëdhënësi i liderit serb, Slobodan Miloshevic. Përveç partisë së Daçiçit në koalicion bëjnë pjesë edhe nacionalistët e presidentit, Tomislav Nikoliç, si dhe partia e afërt me sipërmarrësit “Rajonet e bashkuara”.

Sfidat më të mëdha për qeverinë e Serbisë

Analisti politik Dejan Vuk Stankoviç thotë për DW, se pret që qeveria e re të përballojë shumë probleme të grumbulluara. Sipas tij kjo kryesisht ka të bëjë me problemet social-ekonomike, por edhe me shumë çështje politike, si zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe ajo e integrimit evropian:

"Pres që ato të investojnë të gjitha mundësitë e tyre për të kapërcyer vështirësitë e mëdha, që i presin dhe në këtë drejtim të sjellin një program shumë konkret. Sepse me disa parime të përgjithshme ata mund ta paraqesin veten në publik, por përderisa këto parime nuk janë konkretizuar, apo nuk ndiqen nga zgjidhje konkrete, unë kam frikë se kemi pastaj një qeveri që do të mbetet në vend numëro dhe nuk do të zgjidhë e të kapërcejë problemet konkrete."

Por problemet më të mëdha, që e presin qeverinë e re, janë të natyrës ekonomike, thekson Stankovic dhe shton:

Rreth Nikoliçit - a mund të priten surpriza nga partia e tij?
Rreth Nikoliçit - a mund të priten surpriza nga partia e tij?Fotografi: AP

"Është edhe përballja me të vërtetën lidhur me faktin se mbi çfarë kriteresh mund të vazhdojë Serbia kursin e integrimit evropian. Mendoj se këto do të jenë sfidat më të mëdha, pra situata social-ekonomike, ndërtimi e shtetit ligjor dhe çështjet shtetërore, që lidhen me orientimin e politikës së jashtme. Përveç kësaj, natyrisht Kosova, si një problemet, që e presin çdo qeveri, kështu edhe këtë."

Është interesante se në marrëveshjen e koalicionit ka edhe gjëra, që çdo qeveri nga natyra e saj do të duhet t'i trajtonte, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ose departizimi.

Tonin do të duhej ta jepte SNS

Çdo lëvizje pozitive, qoftë edhe minimale, do të jetë një gjë e madhe, kur është fjala për një qeveri serbe me një përbërje të tillë, vlerëson për DW Zoran Panovic, kryeredaktor i revistës Danas:

"Dizajni i saj i re dhe politika e re do të varen më shumë nga fakti se sa risi do të arrijë të sjellë Partia Serbe e Progresit (SNS) në punën e kësaj qeverie. Unë këtu mendoj se SNS do të duhej të bënte ndonjë lloj surprize, përsa i përket kuadrit dhe në vend të disa kuadrove të parashikueshëm, që kanë tani, të sjellin ndonjë surprizë, që mund të jetë jashtë partisë, apo nga partitë e tjera. Kjo do të jetë një ndryshim e në këtë drejtim SNS do të duhet t'i japë tonin qeverisë. Sepse do të ishte keq që partia e tretë, edhe nëse ajo ka kryeministër, apo edhe më keq një parti e gjashtë, t'i jepte tonin kësaj qeverie. "

Gjermania, aleati më i madh?

Nga kjo qeveri nuk mund të presim ndonjë lëvizje spektakolare ekonomike, thotë Panovic. Jo për shkak të paaftësisë së saj, por për shkak të rrethanave objektive:

"Kështu që maksimumi që kjo qeveri të ofrojë në fillim, është që Serbia të fitojë një lloj ndjenje për të drejtën dhe drejtësinë, qoftë edhe selektive, por për një farë drejtësie."

Kur është fjala për sfidat e politikës së jashtme, Zoran Panovic tërheq vëmendjen në lidhje me një fjali të Tomislav Nikoliçit, që ai e ka thënë natën e fitores zgjedhore, të cilën shumë e kanë harruar:

"Kjo fjali më ka habitur shumë dhe kjo është, se Gjermania është aleati më i madh i Serbisë në Ballkan. Unë këtë me të vërtetë nuk e kisha ditur deri në atë mbrëmje. Pra, në qoftë se nuk ka qenë ndonjë gabim, atëherë do të ishte shumë inkurajuese, që Serbia të ketë marrëdhënie të forta dhe të mira me Gjermaninë, që janë me të vërtetë shumë të rëndësishme.”

Amerikanët nuk i intereson ideologjia

Vështirësitë, me të cilat është formuar qeveria e tanishme, priteshin, thotë Dejan Vuk Stankoviç, sepse është e vështirë të krijosh një qeveri nga parti, që janë ideologjikisht të ndryshme dhe që nuk kanë asnjë pikë takimi të përbashkët në aktivitetin e tyre të mëparshëm politik. Duke pasur parasysh se Serbia ka një qeveri në këtë përbërje, tregon se ose presioni amerikan nuk ka patur sukses, ose përfaqësuesit amerikanë nuk janë marrë me të vërtetë me këtë çështje:

"Pala amerikane është indiferente lidhur me përbërjen ideologjike të çfarëdo qeverie, thotë Dejan Vuk Stankovic. Ata i intereson, që kjo qeveri të veprojë në përputhje me ato kërkesa, që amerikanët i quajnë të arsyeshme. Unë mendoj se në këtë drejtim ata nuk kanë bërë presion e as do të bëjnë presion. Ata do ta vlerësojmë këtë qeveri nga rezultatet në ato çështje, që ato i konsiderojnë të rëndësishme dhe këto janë para së gjithash Kosova dhe vazhdimi i integrimit euroatlantik."

Autor: dpa/I.Petrovic/A.Verbica

Redaktoi: Auron Dodi