1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

11 vjet pas atentateve terroriste të 11 shtatorit

Claudia Sarre/Eliana Xhani11 Shtator 2012

Që prej një viti vizitorë nga e gjithë bota vërshojnë drejt memorialit 9/11, për të përkujtuar tragjedinë. Monumenti u inagurua në përvjetorin e dhjetë të atentateve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork.

https://p.dw.com/p/166oU
Ground Zero World Trade CenterFotografi: AP

Uji rrjedh pa pushim në faqet e brendshmë të dy pishinave gjigante prej graniti. Në mes të themeleve të kullave të dikurshme binjake, uji rrjedh në tokë. Gjithsej 2753 njerëz humbën jetën këtu para 11 vjetësh, kur dy avionë goditën Qendrën Botërore të Tregtisë dhe shkaktuan rrëzimin e kullave. Dhjetë vjetë u deshën, që mbi rrënojat e "ground zero" të ngrihej një monument përkujtimor. Që prej inagurimit një vit më parë, rreth 4,5 milionë vetë nga e gjithë bota e kanë vizituar memorialin 9/11.

Monument i denjë përkujtimor

"Në mendje janë ngulitur imazhet e atentateve terroriste të 11 shtatorit. Pamjet e tmerrshme të shembjes së kullave. Tani në vend të këtyre pamjeve vizitorët shohin këtë monument përkujtimor, i cili është shumë i bukur, i shenjtë dhe i nderuar. Kjo mbetet në kujtesë", shprehet Michael Frazier nga shoqata e memorialit 9/11.

Rreth 20.000 vetë kalojnë çdo ditë përmes kontrolleve të sigurisë në "ground zero". Të gjithë vizitorët duhet të regjistrohen më parë për të vizituar nga afër vendin përkujtimor, ku janë mbjellë 400 lisa. Ndër ta është edhe çifti Mc Laughlin. Ata qëndrojnë pranë monumentit dhe mbajnë zi për djalin e tyre.

Një moment heshtje për nder të viktimave
Një moment heshtje për nder të viktimaveFotografi: Reuters

"Djalin e humbëm në kullën veriore. Vendi këtu nuk është ende i përfunduar, por ka dalë bukur. Është një monument i denjë", thotë z. Mc Laughlin.

"Georgie dashuronte detin. Atij do t'i kishte pëlqyer ujëvara këtu. Dhe emri i tij është skalitur pranë emrave të shokëve në buzë të pishinës, pra janë përsëri pranë njëri-tjetrit. Ata ishin një grup i mrekullueshëm", shton bashkëshortja e tij, znj. Mc Laughlin.

Për shumë familjarë të viktimave monumenti përkujtimor është një vend i shenjtë. Nga thuajse gjysma e njerëzve, që humbën jetën atje, mbeti vetëm pluhur. Për këtë arsye nuk qe e mund që të varroseshin si duhet.

Kujtime të gjalla 11 vjet pas tragjedisë

Përkujtimi trazohet vetëm nga punët e ndërtimit, të cilat vazhdojnë me intensitet. Kulla e Lirisë, e cila tani quhet " One World Trade Center" ka tashmë lartësinë përfundimtare prej plot 541 metrash, por do të përfundojë në 2014. Për të pati thuajse po aq shumë polemika, sa edhe për muzeun nëntokësor, i cili duhej të inagurohej të martën(11.09.'12), në përvjetorin e 11-të të tragjedisë.

Ground Zero World Trade Center
Ground Zero World Trade CenterFotografi: AP

"Ne jemi të zhgënjyer. Po përpiqemi tani të zgjidhim një zënkë me autoritetet e portit. Por jemi optimistë se do ta zgjidhim konfliktin dhe së shpejti do të caktojnë datën e hapjes", thotë Frazier.

Pavarësisht zënkave, plaga në zemër të Manhatanit tani për tani është mbyllur. Kujtimi për atentatet terroriste mbetet megjithatë i gjallë edhe 11 vjet pas tyre.

"Të duket sikur je kthyer vërtet 11 vjet prapa. Rrëzimi i dy ndërtesave dhe gjithë emrat të ngjallin vërtet emocione", thotë një turiste zvicerane.