1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

12 vjet nga fillimi i protestave në Serbi

12 Shkurt 2012

Këtë fundjavë bëhen pikërisht 12 vjet që nga fillimi i protestave në Serbi, të cilat tetë muaj më vonë, më 5 Tetor të vitit 2000, çuan në rrëzimin e regjimit të Millosheviqit. Që atëherë është bërë shumë pak..

https://p.dw.com/p/141w2
Fotografi: Picture alliance/dpa

Millosheviqi u rrëzua nga pushteti nga një koalicion i 17 partive opozitare - Opozita Demokratike e Serbisë (DOS) - e cila u formua në janar të vitit 2000 pas përpjekjeve të vështira dhe mosmarrëveshjeve të opozitës, të cilat për një dekadë shkuan në favor të regjimit. DOS-i është mbështetur dhe nga disa Organizata Joqeveritare, të tilla si grupi i ekspertëve ekonomikë G17 plus, i cili më vonë do të shndërrohej në një parti politike. Ajo është përkrahur edhe nga disa sindikata, por DOS-i para së gjithash është mbështetur nga aktivistët e rinj të lëvizjes antimillosheviqiane "Otpor" (Rezistenca), të cilët kishin përvojë të gjerë në luftën kundër regjimit.

Logoja e lëvizjes "Otpor"
Logoja e lëvizjes "Otpor"Fotografi: AP

Donim të krijojmë një vend të lirë...

Vladimir Jeshiq ishte një nga anëtarët kryesorë të Otpor-it. Ai është arrestuar disa herë nga policia. Për dallim nga disa kolegë të tij, të cilët pas ndryshimit të qeverisë kaluan në politikë apo diplomaci, Jeshiq filloi të merret me gazetari, ndërsa sot provon të mirret me biznes. "Atëherë në vitet 1998 dhe 1999, kur kemi qenë të arrestuar nga regjimi i Millosheviqit, një numri të madh të miqve u kam thënë që të mos  largohen nga Serbia, duke menduar se të gjithë së bashku do të jemi në gjendje të krijojmë një shtet, ku ne do të jetonim normalisht. Që përfundimisht të jetësohej parulla jonë:"! Do të vijë dhe dimri, do të bëjmë dordoleca, edhe Serbia do të jetë e lirë sikur Çekia. "Me sa duket ne nuk i përjetuam ato vite", vlerëson Jeshiq.

Në foto, Sllobodan Millosheviq
Sllobodan MillosheviqiFotografi: Picture alliance/dpa

...ndërsa sot jemi topitur?

Sipas fjalëve të Jeshiq-it energjia e fuqishme qytetare e vitit 2000 është shpenzuar. Kjo për faktin se në Serbi nuk kanë ndodhur asnjëherë ndryshime të vërteta, përkatësisht pas 5 Tetorit nuk ka ndodhur më 6 Tetori. "Njeriu, që na ka arrestuar, tani është shpallur 'evropian', çka është një absurditet i plotë! Kur flasim me dikë nga shtetet e tjera dhe i themi se njeriu i Millosheviqit tani ndodhet në krye të policisë, ata nuk mund ta besojnë këtë. Ndërsa për ne kjo është diçka normale dhe kjo është ajo çfarë është më e rrezikshme. Ne thjesht jemi shushatur dhe topitur... ", vlerëson Vladimir Jeshiq.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e Millosheviqit
Studentët kërkojnë dorëheqjen e MillosheviqitFotografi: Picture alliance/dpa

Elita nuk dëshiron ndryshime

Miodrag Isakov ka qenë një nga 17 udhëheqësit e DOS-it, një kohë edhe nënkryetar i qeverisë serbe dhe më vonë  ambasador në Izrael. Isakov tani ka kohë që është shkëputur nga politika dhe thotë se besimi i tij nuk ka ndryshuar. "Elita, si politike ashtu dhe ekonomike e kulturore, nuk dëshiron ndryshime thelbësore dhe të vërteta, nuk dëshiron as shtet të rregulluar, sepse në një shtet të tillë pastaj ata nuk mund të jenë elitë", thotë Isakov.

Isakov beson se nuk ka qenë një iluzion ideja e vitit 2000, që nxiti qytetarët në revoltën kundër regjimit, në mënyrë që në Serbi të bëhet një jetë më e mirë. "Nuk ka qenë iluzion që ky vend  të bëhej një shtet serioz ligjor dhe me shoqëri të barabartë. Kjo mund të bëhet edhe sot, por sigurisht që së pari duhet të largohet krejt ajo, që sot quhet elitë në këtë vend. Dhe shumica e tyre do të duhej të arrestoheshin! Nuk mund të ketë demokraci në Serbi, përderisa nuk do të jenë arrestuar shumica e politikanëve dhe biznesmenëve", vlerëson me një gjuhë të ashpër Miodrag Isakov.

Në foto, Zoran Gjingjiq
Në foto, Zoran GjingjiqFotografi: AP

DOS-i i formuar me mund të madh filloi të shpërbëhet pothuajse menjëherë pas përmbysjes së Millosheviqit nga pushteti. Kulmi u arrit me vrasjen e kryeministrit dhe prijësit të DOS-it, Zoran Gjingjiq. Nga udhëheqësit e DOS-it sot aktiv në politikë janë vetëm gjashtë prej tyre: Dragoljub Miçunoviq, Vojisllav Koshtunica, Velimir Iliq, Nenad Çanak, Zharko Koraq dhe Rasim Lajiq. Tre të tjerë kanë vdekur, ndërsa gjenerali Momçillo Perishiq, ka përfunduar në burgun e Hagës.

Autorë: Dinko Gruhonjiq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani