1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

13 gusht 1961 - Muri që e ndau Berlinin për gati 30 vjet

13 Gusht 2010

Ta mbajtmë të gjallë kujtimin mbi ndërtimin e Murit të Berlinit dhe ndarjen e qytetit, theksoi kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit, duke folur në përvjetorin e 49 të ndërtimit të murit.

https://p.dw.com/p/On0h

Në kujtim të viktimave të regjimit të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), u vendosën kurora me lule në përmendoren në rrugën "Bernauer Straße". Në kujtim të rripit të vdekjes, zonës midis dy kufijve u ndezën qirinj. Në kujtim të kujtim të viktimës së fundit të vrarë në kufi, Chriss Guefroyy, një rrugë do të marrë emrin e tij. 20 vjeçari Guefroyy, ka qenë viktima e fundit që u vra më 1989 në Berlin nga ushtarët e RDGJ-së. Më 13 gusht 1961, udhëheqja e RDGJ-së filloi me ndërtimin e murit. Ndarja gjermano- gjermane zgjati 28 vjet. Sipas të dhënave të qendrës për studimet historike në Pocdam, nga viti 1961 deri në vitin 1989, u ranë në Murin e Berlinit 136 vetë.

Si dhe pse u ndërtua Muri i Berlinit

Muri i Berlinit
Muri i BerlinitFotografi: picture-alliance/ ZB

Në fillim të gushtit të vitit 1961 në Moskë u takuan udhëheqësit e atëhershëm të partive komuniste të Bllokut Lindor. Ata vendosën mbylljen e kufirit mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore.

Më 12 gusht 1961, Valter Ulbriht, kryetar i shtetit i RDGJ nënshkroi urdhërat për mbylljen e kufirit. Më 13 gusht, ushtria, policia dhe trupat luftarake nisën të ndërtojnë Murin e Berlinit.

Një mëngjes i mjegullt gushti në Bernauer Straße. Një tramvaj ecën qetë nëpër shina dhe zhurma e ndërtimit përzihet me tingëllimën e këmbanave të kishës. Dy turistë me çanta të mëdha shpine ecin rrugës përpjetë, në duar kanë një gidë udhëtimi. Më parë, muri kalonte mes për mes Bernauer Strasse, sot atje ndodhet vetëm një pjesë e këtij muri, e madhe dhe ngjyrë gri.

Si përkujtohet ndërtimi i murit

07.11.2009 mes godinës së Rajshtagut, sot Bundestag, portës së Brandenburgut dhe shehsit Poscdam vizitorë shohin 1.000 gurë dominoje të vendosur në mënyrë simbolike në përkujtim të 20 vjetorit të rënies së murit
07.11.2009 mes godinës së Rajshtagut, sot Bundestag, portës së Brandenburgut dhe shehsit Poscdam vizitorë shohin 1.000 gurë dominoje të vendosur në mënyrë simbolike në përkujtim të 20 vjetorit të rënies së muritFotografi: dpa


Vizitorëve nuk u duhet shumë fantazi për ta spostuar përfytyrimin e tyre në kohën e ndarjes: "Mua po më dridhen gjunjët dhe nuk jam në gjendje të flas. Jam i shokuar" Të ngjeshur me njëri-tjetrin qëndrojnë turistët në platformën - verandë të qendrës përkujtimore dhe vështrojnë nga sipër pjesët që kanë mbetur nga sistemi i gjerë i mbrojtjes së kufirit. Më të rinjtë e shohin për herë të parë murin, të vjetrit lidhin me të një pjesë të biografisë: "Më kujtohet mirë pamjet me ushtarin, që kërcen aty mbi telin me gjemba, në kohën e ndërtimit të murit nga Lindja për në Perëndim. Dhe gjithmonë dëgjoje lajmet se atje është vrarë dikush. Ishte e vështirë të pranoje përfytyrimin se këta ishin bashkëatdhetarë, gjermanë, që shtinin kundër njëri-tjetrit."

Sabrina 16 vjeçare ka zbritur nga kulla e vëzhgimit dhe po shikon ekspozitën-filma, fotografi dhe dokumenta tonikë për ndërtimin e murit. Kur muri u rrëzua, Sabrina ende nuk kishte lindur. Tani nxënësja përpiqet ta përfytyrojë Berlinin si qytet të ndarë dhe kjo i fut frikën: "Po të përpiqeshe të kaloje aty matanë, të vrisnin, njerëzit nuk jetonin dot si donin dhe ishin të detyruar të qëndronin aty."

Gjurmët e murit sot

Shumica e turistëve çuditen që prej murit ka mbetur kaq pak dhe kërkojnë gjurmë dhe pjesë të mbetura në qytet. Për fat të mirë, thotë historiania Gabriele Camphausen nga "Shoqata Muri i Berlinit".

"Nuk ishin vetëm turistët e huaj, që me pyetjet e tyre këmbëngulëse: ku mund ta shoh Murin? i zgjuan politikanët berlinezë dhe ata federalë. Një gjë duhet thënë: në vitet 90-të, nga ana e politikës interesi ishte tepër i vogël, për të ndërmarrë ndonjë iniciativë për sqarimin e historisë së Murit të Berlinit"

Kur më 1989 Muri i Berlinit u hap dhe pak më vonë u rrëzua, pasoi një periudhë e distancimit ndaj këtij kapitulli të dhembshëm të historisë gjermane të pasluftës. Asgjë nuk duhet ta turbullonte gëzimin për ribashkimin e sapofituar. Ky është një shkak se pse në Berlin kanë mbetur në kaq pak vende pjesë të Murit të Berlinit. Në shumë pjesë të qytetit, vendin ku ka kaluar Muri ta tregon vetëm një vijë e shënuar në tokë. Por ajo që ka rëndësi nuk janë vetëm betoni dhe telat me gjemba, thotë Gabriele Camhausen, por perceptimi i historisë së Murit: "Besoj se ne, sa më shumë kohë të kalojë, hapin në mendjet tona dyer të reja, dritare të reja. Krijohen hapësira krejt të reja pyetjesh. Qoftë edhe për hir të faktit, sepse brezat që vijnë nuk preken më drejpërdrejt personalisht. Kjo do të thotë se ata nuk i kanë më pozicionime të caktuara. Ata bëjnë pyetje që neve as na shkojnë në mendje ose të cilat për ne janë edhe pak të tabuizuara."

Ndoshta ka të bëjë edhe me këto aspekte, që Senati i Berlinit tani vendosi që ta zgjerojë dhe ta riorganizojë qendrën e vogël, por tepër atraktive për vizitorët në Bernauer Straße- 46 vjet pas ndërtimit të Murit të Berlinit dhe 18 vjet pas rrëzimit të tij.

Autor : Nina Verkhäuser / Aida Cama

Redaktoi : Vilma Filaj-Ballvora