1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 marka dëmshpërblim për të mbijetuarit. Masakra e Vermahtit në Serbi në vitin 1941

Filip Slavkovic21 Tetor 2008

Në tetor të vitit 1941 ushtarët gjermanë vranë në Serbinë e pushtuar rreth 10 000 civilë. Në javën nga 15 der 21 tetori vetëm në qytetet e Serbisë Qendrore, Kragujevc dhe Kralevë humbön jetën më shumë se 45000 njerëz

https://p.dw.com/p/Fe6H
Fotografi: AP


Miroslav Arangjeloviqi ishte 15 vjeç kur në mëngjesin e 14 tetorit të vitit 1941 e nxorrën nga stalla e kuajve. Ai ishte duke bërë gati kuajt, që së bashku me punëdhënësin e tij, një prodhues të pijeve të udhëtonin për në Kralevë për të furnizuar lokalet me pije. Në qytetin e vogël të Serbisë Qendrore një natë më parë luftëtarët në ilegalitet kishin sulmuar pushtuesit gjermanë. Në shenjë hakmarrje Vermahti urdhëroi, që për secilin ushtar të vrarë gjerman të vriten 100 dhe për secilin ushtar të plagosur të vriten 50 civilë. Gjatë tërë ditës ata nëpër rrugët e qytetit, nëpër fabrika dhe dyqane arrestuan serbë, hebrej, romë si dhe refugjatë të sapoardhur nga Slovenia dhe Kroacia. Miroslav Arangjeloviq ishte njëri prej tyre:



"Ne u dërguam të gjithë në një fabrikë për përpunimin e hekurit dhe u morëm në pyetje në një sallë të madhe. Pastaj ata nxorrën grupin e parë jashtë. Ne menduam se po i lënë të lirë. Megjithatë ata u desh të hapnin varre. Në mbrëmje jashtë u dërgua grupi i dytë. Unë isha me grupin e tretë. Kur dolëm jashtë dëgjuam krismat e automatikëve. Të parët u vranë. Kur ne u dërguam afër varrit dhe unë pash të vdekurit nga frika më ka rënë të fikët dhe jam shtrirë për tokë sikur të isha i vdekur".


Nga mesnata Miroslavi ngritet në këmbë. Kalon mbi kufomat, kalon edhe rrethojën e fabrikës dhe qëndron pastaj një javë i fshehur. Gjermanët brenda pesë ditësh këtu vranë rreth 1800 njerëz. punëtorë të fabrikës së avionëve dhe çelikut, nëpunës, policë dhe zjarrëfikës. Miroslavi ishte një prej disa të mbijetuarve.


Në Kragujevc dhe në fshatrat përreth ishin 2800 civilë, në mesin e tyre edhe prifti ortodoks dhe nxënësit e gjimnazit. Urdhërin për vrasjen e tyre e kishte dhënë kryekomandanti për Serbinë, gjenerali Franz Bëhme. Ai dëshironte që me këtë masakër të shuajë kryengritjen, që kishte shpërthyer në verë. Një rol të poshtër kanë luajtur edhe dy oficerët e qytetit, Paul Kënig dhe Fritz Fiedler, thekson Stanisha Brkiq nga Qendra Përkujtimore në Kragujevc:


"Eshtë pak e njohur, që Paul Kënig para luftës ka qenë profesor i teologjisë evangjeliste. Ndërkaq austriaku Fritz Fiedler në vendin e tij kishte qenë rektor në një shkollë arti".


Por në qytet kishte edhe heronj, rrëfen Brkiq. Një prej tyre ishte drejtori i gjimnazit, Lazar Panteliq:


"Herën e parë ai kishte mundësinë që të udhëtonte për në Beograd por është kthyer nga stacioni hekurudhor. Ai kishte dëgjuar se në qytet po ndodhte diçka e pazakonshme. Pastaj ai ndodhej në një grup të bërë gati për pushkatim. Një ushtar gjerman e kishte nxjerrë nga rradha, pasi ishte shumë i moshuar. Pastaj Panteliq sheh në një grup tjetër një prej nxënëse të tij. Kur ushtari i thotë se ata do të vriten, ai i lutet atij që ta vrasin atë në vend të nxënsit. Ushtari nuk pranon dhe Panteliqi vendos, që të mos ndahet nga nxënsit dhe vritet bashkë me ta".


Nga mesi i tetorit Vehrmahti gjerman kishte vrarë pengje edhe në rrethinat e Beogradit, në Shabac në veri të Serbisë, por edhe në fshatra të tjera në veriperëndim të vendit. Mbi numrin e viktimave është spekulluar shumë, pasi regjimi komunist jugosllav kishte rritur numrin e të vrarëve. Vetëm pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000 historianët arritën t'i japin secilë viktimë një emër. Disa prej oficerëve gjermanë, përgjegjës për masakrat, janë dënuar në procese gjyqësore në Nyrenberg dhe Beograd. Të mbijetuarit si Miroslav Arangjeloviq morën pas luftës një dëmshpërblim prej 20 markash dhe 1000 dinarësh jugosllavë.