1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjet pas genocidit në Ruandë - Paul Kagame pajtuesi i pamëshirshëm

Philipp Sandner / Auron Dodi7 Prill 2014

Para 20 vjetësh, kryengritësit nën udhëheqjen e tij i dhanë fund genocidit. Sot Kagame është president i një vendi që rritet me shpejtësi. Kjo në një kohë që vendi vazhdon të jetë ende në luftë. Opozitë ai nuk pranon.

https://p.dw.com/p/1BdHz
Ruanda Genozid Gedenken 07.04.2014 Paul Kagame
Fotografi: Reuters

Ekonomia e Ruandës në kryeqytetin Kigali lulëzon. Kantiere të mëdha ndërtimi në qendër të qytetit vazhdojnë të demonstrojnë dinamikën e vendit të vogël afrikan, i cili njëzet vjet më parë qe shesh i një genocidi mizor. Njëkohësisht mbizotëron rregulli. Askund nuk sheh mbeturina. "Një njeri i veprave", kështu e ka lëvduar dikur ish-presidenti George W. Bush Kagamen.

Të paktën po kaq është i bindur për politikën e tij edhe vetë Kagame. "Unë nuk shikoj ndonjë shkak, pse të mos i fitoj zgjedhjet", deklaroi ai p.sh. më 2010, para zgjedhjeve presidenciale. Kundërshtarë të vërtetë për rizgjedhjen e tij më 2003 dhe 2010, gjenerali vërtet nuk kishte. Disa kandidatë me shanse nuk u lejuan fare të kandidojnë. Të tjerë e humbën jetën në rrethana misterioze. Një përfshirje e qeverisë nuk u vërtetua kurrë. Por Kagame nuk e fsheh qëndrimin e tij ndaj demokracisë. "Nuk është sekret, që Afrika ka për të zgjidhur shumë probleme. Problemi më i madh i Afrikës nuk është demokracia, por varfëria dhe varësia, që sjell me vete mungesën e zhvillimit."

Ruanda Genozid Gedenken 07.04.2014
Mijëra vetë të mbledhur më 7.04.2014 në stadiumin Amahoro në Kigali përkujtojnë 20 vjetorin e genocidit në RuandëFotografi: Reuters

Suksesi i një ruandezi emigrant

Vizioni i Kagames për Ruandën është ai i një të dëbuari. Pak para se vendi të fitonte pavarësinë më 1962, ai u arratis në moshë të vogël me të ëmën në vendin fqinj, Ugandë. Në kampin e refugjatëve te i riu i dobët u zhvillua një ndjenjë e fortë për drejtësinë dhe ambicie të mëdha. Në moshë të re, Kagame u bashkua në fillim me kryengritjen e Yoweri Musevenit në Ugandë dhe mori pjesë në përmbysjen e diktatorit Milton Obote. Museveni u bë president dhe Kagame u gradua në shef të shërbimit të fshehtë. Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA, Kagame ndoqi atëherë edhe akademinë ushtarake në Fort Leavenworth. Numri i refugjatëve ruandezë në Ugandë ishte i madh. Nën Musevenin ata morën poste të rëndësishme. Së bashku themeluan Frontin Patriotik Ruandez, që përpiqej të dobësonte me metoda guerilase regjimin në Ruandë. Pastaj erdhi gjenocidi. Një elitë e Hutuve nxiti popullin kundër një minoriteti të Tutsëve. Për tri muaj ata vranë, plaçkitën dhe përdhunuan ushtarë dhe civilë në pranverë 1994. Kjo ishte ora e RPF. E stërvitur nga Kagame dhe e shkolluar në mënyrë profesionale në Ugandë, ata nisën luftën çlirimtare. Atje ku dështoi bashkësia ndërkombëtare, Kagame krijoi fakte. Në korrik, RPF mori Kigalin. Që atëherë Kagame e ka nën kontroll të fortë vendin.