1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjetori i shtypjes së përgjakshme të lëvizjes për demokraci në Pekin

3 Qershor 2009
https://p.dw.com/p/I2bg
Një protestues kinez bllokon një tank në Sheshin Tien An Men, 1989
Një protestues kinez bllokon një tank në Sheshin Tien An Men, 1989Fotografi: AP

Në shtypin gjerman të së mërkurës gjen jehonë 20 vjetori i masakrës së Tienanmenit.

Gazeta "Kölner Stadt-Anzeiger" komenton:

"Ndonëse Republika Popullore e Kinës" vazhdon të jetë një diktaturë një partiake dhe po aq larg sa edhe në vitin 1989 prej zgjedhjeve të lira, raportet mes popullit dhe qeverisë sot kanë ndryshuar rrënjësisht. Ky zhvillim, që e ndiejnë të gjithë njerëzit, ka nisur pikërisht me demonstratat e 1989-s. Zgjimi politik është shumë më i avancuar se çështja e sistemit. Edhe pse partia komuniste preferon të tregohet moderne, ajo nuk i shpëton dot gabimit thelbësor në konstruktin e sistemit me vetëm një parti. Ndaj është e drejtë, që bota dëshiron një Kinë demokratike. Megjithatë nuk duhet të kemi iluzione, se si do ta ndryshonte botën një Kinë e tillë. Një Kinë demokratike do të ishte Kina më e fuqishme, që ka përjetuar bota ndonjëherë. E duam vërtetë ne këtë? Ne do të duhej ta donim."

Për komentatorin e "Braunschweiger Zeitung":

"Të drejtat e njeriut janë të patjetërsueshme. Por sigurisht që në marrëdhëniet ndërkombëtare me Kinën dominon aspekti ekonomik. Synohet të bëhen biznese të mira - në dobi të të dyja palëve. Në një sfond të tillë ata që vazhdimisht kujtojnë masakrën duken si trazues të qetësisë. Sipas kësaj logjike edhe në Gjermani zbardhja e pasojave të diktaturave ka ecur me mjaft mundim. Por kjo është e rëndësishme, sepse e ardhmja nuk mund të fitohet me fajin e pasqaruar dhe me implikime."


Autor: dpa/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi