1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2007 në retrospektivë

31 Dhjetor 2007

Ndërsa gjatë vitit 2007 Gjermania dhe veçanërisht kancelarja e saj kanë luajtur një rol të lavdërueshëm në politikën ndërkombëtare bilanci në politikën e brendëshme është më modest.

https://p.dw.com/p/CiPq
Fishekzaret për festën e Vitit të Ri ndriçojnë kupolën e Reihshtagun në Berlin.Fotografi: AP

Gjatë vitit 2007 Gjermania dhe veçanërisht kancelarja e saj kanë luajtur një rol të lavdërueshëm në politikën ndërkombëtare, kur Angela Merkel shkëlqeu si presidente e radhës së BE-së, si organizatore e samitit të vendeve të industrializuara të grupit G 8 e po ashtu edhe si një paraprijëse për mbrojtjen e klimës. Ndërkohë që bilanci në politikën e brendëshme është më modest. Zhvillimet e kënaqshme ekonomike në vend, veçanërisht ulja e papunësisë, duket se janë arritur pa ndërhyrjen e politikës, ose siç thonë gojët e këqia, kjo ka ndodhur pavarësisht ekzistencës së koalicionit të madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Koalicioni gjatë vitit shpesh herë është marrë me veten e vet, e kryesisht krahu i partisë socialdemokrate.

Se çfarë do të sjellë 2008 nuk e dimë. Megjithatë e dimë që në Hesen do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lufta elektorale po ndjehet në shumë zona. Eshtë e pabesueshme se ku u shkon mendja politikanëve, kur dalin për të peshkuar votat dhe çfarë kërkojnë ata nga mediet. Nëse programet janë pjekur si duhet, apo nëse kemi të bëjmë vetëm me fjalë në erë sa majta e djathtas, këtë do ta vlerësojmë si duhet më 27 janar. Nëse paskëtaj gjithçka do të bëhet më mirë, ashtu siç po përpiqen të na e mbushin mendjen, apo më keq, apo do të mbetet ashtu siç ka qenë? Këtë do ta shohim. Por tani le ta përshëndesim një herë vitin e ri ashtu siç duhet, më së miri me optimizëm.