1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2008 - një vit që shkëputi Kosovën nga Serbia - restrospektivë

Bahri Cani29 Dhjetor 2008

Viti 2008 në Serbi shënoi ndryshime të mëdha politike. U mbajtën zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale. U nënshkrua edhe marrëveshja e stabilizimit dhe asociimit me BE, por Kosova mbetet tema numër 1.

https://p.dw.com/p/GMg1
Presidenti serbFotografi: Petar Labrador

Urdhërit të Beogradit për bojkotimin e institucioneve të Kosovës nuk iu nënshtruan vetëm disa parti të vogla serbe, pasi subjektet krysore edhe këtë vit bojkotuan parlamentin dhe qeverinë e re të Kosovës, të krijuar më 8 janar. Institucionet e Kosovës ishin të gatshme për shpalljen e pavarësisë që në fillim të vitit, por vendimin e shtynë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Bashkësia ndërkombëtare ishte e interesuar që në këto zgjedhje të fitojë kandidati proevropian, Boris Tadiq, e jo lideri radikal, Tomisllav Nikoliq.

Serbien Wahlen Vojislav Kostunica in Belgrad
Koshtunica para mediaveFotografi: AP
Kosova sundoi fushatën zgjedhore të vitit 2008 në Serbi

Kosova edhe në këtë fushatë ishte një ndër temat kryesore. Tadiqi dhe Nikoliqi pohonin se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova. Në raundin e parë, me 20 janar, radikali Nikoliq fitoi 39 ndërsa Tadiqi 35 përqind, por për Tadiqin edhe më i hidhur ishte fakti se nuk e mbështeti kryeministri Vojisllav Koshtunica, me të cilin ishte në koalicionin qeveritar. Megjithë mungesën e mbështetjes së Koshtunicës, Tadiqi fitoi në balotazhin e 3 shkurtit. Tadiqi, Koshtunica dhe institucionet e Serbisë tani gjendeshin para sfidës më të madhe, shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo ndodhi me 17 shkurt.

Kosova shkëputet

Koshtunica ishte tejet i mllefosur. "Sot me 17 shkurt, në mënyrë të paligjshme, u shpall shteti i rrejshëm i Kosovës. Pavarësia u shpall në atë pjesë të territorit të Serbisë, e cila është nën kontrollin ushtarak të paktit të NATO-s. Tek ky akt jomoral na çoi politika e dhunës brutale, të cilën po e zbatojnë SHBA-të. Serbia ka anulluar të gjitha vendimet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës."

Kosovo Ausschreitungen in Belgrad
Trazira në Beograd pas shpalljes së pavarësisëFotografi: AP

Shumë media dhe analistë vlerësonin se Serbia do të përgjigjej me sanksione, por kjo nuk ndodhi. Beogradi vendosi që luftën për Kosovën ta vazhdojë me mjete paqësore. Presidenti Boris Tadiq i bëri thirrje partive politike, institucioneve dhe mediave serbe që të jenë të matura. Ndërsa sa i përket statusit, ai ishte shumë i qartë: "Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo ka përdorur dhe do të përdorë të gjitha mjetet paqësore, politike dhe diplomatike për anullimin e këtij akti antiligjor të organeve të përkohshme të Kosovës. Serbia kërkon nga institucionet ndërkombëtare në Kosovë, që menjëherë të anullohet ky akt, i cili është në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare. "

Tadiq kërkoi nga KFOR-i dhe UNMIK-u që të mbrojnë serbët dhe joshqiptarët. Ai shpjegoi se Serbia nuk do të ndërmarrë hapa të pamenduar mirë, sepse do të cënohej siguria e serbëve në Kosovë.

Pavarësia e Kosovës solli shpërbërjen e koalicionit qeveritar
Wahlen, Wahlkampf in Serbien Wahlplakate in Belgrad
Zgjedhje të rejaFotografi: AP

Presidenti, kryeministri dhe të gjitha institucionet e Serbisë ishin kundër pavarësisë së Kosovës. Mirëpo shpallja e pavarësisë u bë shkas për shkatërrimin e koalicionit qeveritar. Me 3 mars, kryeministri Vojisllav Koshtunica, bëri të ditur: "Qeveria e Serbisë nuk ka më politikë unike rreth një çështje esenciale: Nuk ka politikë të përbashkët rreth ardhmërisë së vendit, thënë më konkretisht, ndaj mbetjes së Kosovës në kuadër të Serbisë. Qeveria, e cila nuk ka një politikë unike, nuk mund të funksionojë. Është ky fundi i qeverisë, që do të thotë se mandatin duhet t'ia kthejmë popullit."

Presidenti Tadiq ishte dakord me Koshtunicën, për sa i përket mungesës së unitetit, por jo për shkaqet e prishjes së koalicionit. Sipas tij, shkaku kryesor ishte mungesa e politikës së përbashkët ndaj integrimeve evropiane, e jo politika ndaj Kosovës. Tadiq: "Nuk pajtohem me vlerësimet se shteti i Serbisë nuk ka politikë unike ndaj Kosovës. Natyrisht që Kosova është pjesë e shtetit tonë. Parlamenti, qeveria dhe institucionet e kanë për obligim ta mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Mendoj se qeveria nuk ka politikë unike ndaj perspektivës evropiane të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit."

Tadiqit nuk i mbeti ndonjë zgjidhje tjetër, përveç shpalljes së zgjedhjeve të parakoshme parlamentare, të cilat u zhvilluan me 11 maj, së bashku me zgjedhjet lokale. Ndërkohë Serbia, në shenjë proteste, tërhoqi ambasadorët nga shumica e vendeve anëtare të BE, SHBA dhe shtetet tjera, të cilat e njohën pavarësinë e Kosovës.

Gjatë fushatës elektorale, forcat nacionaliste gjendeshin në ofensivë. Blloku nacionalist i radikalëve dhe ai popullor i Koshtunicës ishin në epërsi ndaj koalicionit, "Për Serbinë Evropiane". Vetëm një javë para zgjedhjeve, Bashkimi Evropian nënshkroi me Beogradin një marrëveshje paraprake për stabilizimin dhe asociimin. Pothuajse njëkohësisht me Fiatin italian u nënshkrua një marrëveshje për investime të mëdha në fabrikën automobilistike të Kragujevcit. Situata ndryshoi në të mirë të bllokut proevropian, i cili fitoi më së shumti vota. Presidenti Tadiq ishte në eufori: "Qytetarët e Serbisë deklaruan se duan që Serbia të jetë pjesë e BE. Serbia do të bëhet pjesë e BE, por ju them edhe një herë: Qeveria që do të krijojmë pas këtyre zgjedhjeve nuk do të njoh kurfarë pavarësie të Kosovës."

Blloku i Tadiqit fiton

Blloku proevropian i Tadiqit fitoi më së shumti vota, por jo shumicën e duhur për krijimin e qeverisë. Për të marrë pushtetin i duhej mbështetja e socialistëve të ish-presidentit të ndjerë Sllobodan Millosheviq. Pas dy muaj negociatash, pasardhësi i Millosheviqit, Ivica Daçiq, pranoi të futet në koalicion me Tadiqin. Për Kosovën kjo nuk ndryshonte asgjë, sepse Tadiqi, kryeministri i ri Cvetkoviq dhe lideri i socialistëve Ivica Daçiq, në këtë pikë ishin në të njëjtën linjë. Cvetokviq: "Mendojmë se Serbia duhet të vazhdojë luftën që Kosova të mbetet pjesë e saj. Lufta duhet të zhvillohet në radhë të parë në planin ndërkombëtar, sepse ky problem nuk është zgjedhur përderisa nuk gjendet një zgjidhje në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara."

Internationaler Gerichtshof in Den Haag
Gjykata Ndërkombëtare e DrejtësisëFotografi: picture-alliance / dpa

Në tetor, Serbia shënoi fitoren e parë serioze në planin ndërkombëtar. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pranoi kërkesën e Beogradit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me seli në Hagë ta shqyrtojë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në Beograd u festua vendimi si një fitore e madhe, por shumë shpejt erdhi një dëshpërim i thellë. Vetëm një ditë më vonë, Mali i Zi dhe Maqedonia vendosën ta njohin pavarësinë e Kosovës. Beogradi e quajti këtë vendim si një "tradhëti" dhe "thikë pas shpine kundër Serbisë."

Eulex Kosovo
EULEX-i u vendos pas shumë kundërshtimeshFotografi: AP
EULEX -i dhe qëndrimet e kundërta mes Kosovës dhe Serbisë

Serbia gjatë gjithë vitit kundërshtoi vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian, EULEX në Kosovë. Gjashtë muaj me radhë u zhvilluan negociata sekrete mes Beogradit dhe të deleguarve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun (Ban Ki Moon). Serbia u pajtua me vendosjen e EULEX-it, por vetëm pas pranimit prej OKB-së të planit të saj gjashtëpikësh, bëri të ditur ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq. "Misioni evropian në të ardhmen do të veprojë në krahinën tonë jugore, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Ai do të jetë neutral sa i përket statusit dhe do të vendoset në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB."

Prishtina me vendosmëri kundërshtoi këtë plan dhe paraqiti planin e vet prej katër pikash: Kosova kundërshton planin e arritur me Serbinë, kërkon respektimin e integritetit territorial, kushtetutës dhe pavarësisë së saj dhe kërkon zbatimin e planit të Ahtisarit. Për shkak të kundërshtimeve të Prishtinës, Këshillimi i Sigurimit u detyrua dy herë ta shtyjë seancën. Ai u mblodh në fund të nëntorit dhe miratoi një Deklaratë Presidenciale, e cila bazohet mbi planin e arritur me Serbinë, por në një aneks përfshihen edhe kërkesat e Kosovës. Kjo u mundësoi palëve që dokumentin ta intepretojnë sipas dëshirës së tyre. Për Bashkimin Evropian ishte me rëndësi që misioni i tij prej gati 2000 policëve, gjykatësve dhe doganierëve më në fund mund të fillojë punën. Misioni filloi punën me 9 dhjetor. Ai pritet të kompletohet në pranverë, por qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës për statusin janë më larg në fund se sa në fillim të vitit.