1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2009 - një vit plot ngjarje për Shqipërinë

31 Dhjetor 2009

Viti 2009 pati mjaft zhvillime të vrullshme politike për Shqipërinë, si në planin e brendshëm ashtu dhe në atë ndërkombëtar

https://p.dw.com/p/LHpz
Pamje nga Tirana - Muzeu Kombëtar
Pamje nga Tirana - Muzeu KombëtarFotografi: DW

Vendi është anëtar me të drejta të plota në NATO, që nga fillimi i muajit prill. Ndërkohë që është fokusuar tek objektivi tjetër strategjik, anëtarësimi në BE. Në mes të këtij viti u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, ku grupimi i partive të djathta i kryeministrit Sali Berisha u rimandatua edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar. Por këtë rradhë duke bërë koalicion dhe me një formacion të spektrit të majtë, me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Parlamenti i paszgjedhjeve prej 4 muajsh vazhdon të ketë rreth gjysmën e vendeve bosh nga mos prezenca e deputetëve të Partisë Socialiste në opozitë.

Në foto kryeministri Sali Berisha - 5 prill 2009
Në foto kryeministri Sali Berisha - 5 prill 2009Fotografi: AP

Për analistin e njohur politik Andi Tela, drejtor i të përditshmes “Panorama”, viti që po mbyllet do të mbahet mend edhe për disa dekada për aktin e pranimit të Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike. Një konfirmim i orientimit propërendimor të vëndit, që sigurisht do të shoqërohet dhe më një tjetër finalizim: anëtarësimin në familjen e BE-së, thotë Tela për DW.

“Një moment i dytë i rëndësishëm për 2009-n janë zgjedhjet të përgjithshme. Të cilat u cilësuan si zgjedhjet më të mira të bëra nga Shqipëria. Dhe këto zgjedhje prodhuan për herë të parë një aleancë të paparë në këto 20 vite të pluralizmit. Një aleancë mes një force të djathtë dhe një force të majtë. E cila presupozon që të vazhdojë qeverisjen për 4 vite. Për t'u shënuar gjithashtu është dhe bojkoti i opozitës. Që është me precedent në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Por është e paprecedentë periudha e gjatë e këtij bojkoti. Shpresojmë se 2010 do te ketë një këndvështrim tjetër nga Partia Socialiste”.

Qëndrimi i dy forcave kryesore politike PD dhe PS mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit është burimi kryesor i krizës në arenën e brendshme politike, thotë analisti Andi Tela. Sipas tij deri më tani “nuk ka asnjë shenjë të dukshme për kompromis, duke e eksportuar atë për vitin që vjen”. Opozita kërkon hapjen e kutive të votimit. Pasi sipas saj aty fshihet gjithë manipulimi me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare. Për këtë qëllim ajo ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, duke mos pranuar të ulet në sallën e tij derisa të plotësohet kushti themelor ai i hapjes dhe verifikimit të kutive te votimit. Mazhoranca ka përsëritur disa herë se procesi i zgjedhjeve parlamentare është i mbyllur dhe ato janë cerfikuar jo vetëm nga KQZ-ja por dhe komuniteti ndërkombëtar. Për koalicionin qeverisës duket absurd hapja e kutive te votimit, pasi për moshapjen e tyre ka një vendim të formës së prerë nga gjykata. Ajo e konsideron si precedent shumë të rrezikshëm plotësimin e një vendimi politik në kurriz të vendimit të gjykatës.

Shqipëria në fushatë elektorate - qershor 2009
Shqipëria në fushatë elektorate - qershor 2009Fotografi: DW/ Ballvora

“Marrëdhëniet konfliktuale mes demokratëve dhe socialistëve që mbisunduan gjatë 2009-s janë një refren i përsëritur i politikës shqiptare”, thotë për DW komentatori Rezar Xhaxhiu, drejtues i një programi informative analitik në televizionin “Vizion Plus”. Sipas tij, performanca e fundit politike, gjuha dhe fjalori që përdoret nëpër tribuna e ekrane televizive është tregues i varfërisë ideore, vështrimit të realitetit nga thjesht për interesa individuale a klanore.

“Janë zhvillime që nuk do ti donim, qoftë unë si gazetar, qoftë dhe çdo njeri i thjeshtë. Sepse e para, jemi të lodhur. Por e dyta, sepse vijojmë të mbetemi të fundit. Parë në këtë prizëm, do ti komentoja si ngjarje të bezdisura. Na kanë stresuar, na kanë lodhur, na kanë zhgënjyer. Kur shikojmë se disa herë treni për disa vende që janë fqinje me ne po ecën shumë shpejt. Në këtë aspekt nuk do të dëshiroja të ndalesha shumë tek ngjarjet e postzgjedhjeve. Ne kemi nevojë për gjëra të mira, kemi nevojë për ngjarje të mëdha siç ishte aderimi në NATO”.

Për drejtorin e gazetës “Panorama”, Andi Tela pa çtensionim të klimës politike procesi i afrimit me BE-në do të marrë më shumë kohë seç duhet. “Mund të krijojë vonesa dhe në objektivin më të afërt, atë të liberalizmit të vizave ku autoritetet shqiptare janë duke investuar shumë”.

Ndërkohë që Rezar Xhaxhiu shprehet se krahasuar me antarësimin në NATO, antarësimi në BE ka “detyra shtëpie” më konkrete. “Komuniteti ndërkombëtar do të jetë mjaft skrupuloz në vlerësimin e arritjeve, në realizmin e reformave të gjithëanshme. Duke matur rezultatet në terren dhe jo vetëm planet dhe strategjitë nëpër letra”, thotë ai për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti