1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetim pa ndikim i ngjarjeve të 21.1.2011

30 Janar 2012

Carola Müller-Holtkemper: "Ndërtimi i shtetit ligjor është kriteri më i rëndësishëm në kuadrin e procesit të integrimit evropian"

https://p.dw.com/p/13tDS
Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 19.12.2011 Place: German Embassy in Tirana / Albania
Carola Müller-Holtkemper, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në ShqipëriFotografi: DW

DW: Znj. Müller-Holtkemper si e vlerëson faktin që edhe pse ka kaluar një vit nga protesta antiqeveritare e 21 janarit, kur u vranë 4 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë ende nuk është zbardhur kjo cështje?

Carola Müller-Holtkemper: Pjesë e një procesi ligjor është edhe përcaktimi i një kuadri kohor të përshtatshëm, brenda të cilit drejtësia do të duhet të vendosë. Ju e dini tanimë se Komuniteti Ndërkombëtar i ndjek me shqetësim ato procese gjyqësore, që zvarriten me vite të tëra. Në rastin e ngjarjeve të 21 janarit bëhet fjalë për procese komplekse, të cilat pjesërisht duhet të vazhdojnë të hetohen ende apo për sqarimin e të cilave është marrë edhe ekspertizë teknike e huaj. Lidhur me shkaqjet e vdekjes ekziston tanimë një ekspertizë voluminoze e FBI-së dhe mbetet vetëm të shpresojmë, që të mund të hidhen hapa të mëtejshme duke u nisur nga kjo bazë solide e krijuar. FBI-ja ka mbërritur në konkluzionet e veta mbështetur në ligje të njohura të fizikës. Nëse këta ekspertë nisur prej ligjesh fizike me vlefshmëri absolute, sikurse është ai i gravitetit apo lëkundja e frekuencave të rrjeteve elektrike, kanë mbërritur në përfundime të caktuara, atëherë nuk besoj se në këtë drejtim do të ketë devijime të mëdha –në fund të fundit këtu nuk bëhet fjalë për çështje shijesh.

DW: Në një kohë që nga forcat politike ka qëndrime të ndryshme për rolin e Prokurorisë së Republikës në procesin e hetimit të kësaj ngjarjeje, çfarë mendoni Ju  znj. Ambasadore për atë se ç'pritet lidhur me hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje?

Carola Müller-Holtkemper: Organi kompetent për hetimet është Prokuroria e Përgjithshme, dhe mbështetur në parimet e shtetit ligjor hetimi duhet të jetë i pandikuar politikisht.

DW: Sa i rëndësishëm është në procesin e integrimit europian të Shqipërisë profesionalizmi dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë?

Carola Müller-Holtkemper: Ndërtimi i shtetit ligjor është kriteri më i rëndësishëm në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Në këtë kuptim strategjia e integrimit për të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim u përshtat në atë mënyrë, që puna të niste pikërisht me këta kapituj. Por përtej rëndësisë që ka për procesin e integrimit shteti ligjor i shërben bashkëjetesës harmonike të një shoqërie, bashkëpunimit efektiv dhe zhvillimit ekonomik.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora