1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

24 të lënduar nga zjarri në Bon

dpa, ksta / Esat Ahmeti20 Nëntor 2013

24 njerëz u lënduan të martën si pasojë e një zjarri që kaploi një ndërtesë gjashtëkatëshe banimi në Bon-Medinghoven. Tymi u përhap shpejt nëpër korridoret e ndërtesës ndërsa banorët thërrisnin nga ballkonet për ndihmë.

https://p.dw.com/p/1ALJj
Pamje nga Flensburgu
Pamje nga FlensburguFotografi: picture-alliance/dpa

Si pasojë e një zjarri në Europaring në Bonn lëndime pësuan të hënën 24 njerëz. 140 zjarrfikës dhe pjestarë të ekipeve të shpëtimit morrën pjesë në aksionin për shpëtimin e njerëzve dhe shuarjen e zjarrit.

Tym i dendur po dilte nga ndërtesa në kohën kur arritën zjarrfikësit e parë, të cilët u alarmuan për rastin në orën 17:45. Sipas të dhënave të qytetit të Bonnit, banorët e ndërtesës kishin dalë në ballkone për të kërkuar ndihmë. Disa prej tyre ishin ngjitur edhe mbi kulmin e ndërtesës.

Në bodrum po digjeshin mbeturina, e gjithë hapësira e korridorit të shkallëve ishte mbushur me tym. 50 banorë u shpëtuan përmes shkallëve të ndërtesës me ndihmën e maskave kundër tymit. 23 prej tyre janë dërguar në spital nën dyshimin se kanë pësuar helmim nga tymi, për shkak të problemeve në qarkullimin e gjakut apo tronditjeve të lehta, në mesin e tyre edhe një zjarrfikës.

Ndërtesa është aktualisht e pabanueshme. Banorët janë vendosur në hapësirat e gjimnazit Hardtberg, atje qyteti i Bonit ka ngritur një strehë emergjente. Gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit ndërmarrja e qytetit për ngrohje ka ndërprerë furnizimin me gaz të ndërtesës dhe disa ndërtesave fqinje. Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur pastaj që shpejt ta shuajnë zjarrin.

Një zjarr i madh ka përfshirë dje edhe çatinë e një pallati në qytetin Flensburg (foto lart). Ekipet shpëtimtare evakuan dhjetra njerëz. Policia arrestoi një burrë të dyshimtë i cili mund të jetë përgjegjës për zjarrin.