1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

320 mijë armë ilegale në Kosovë

8 Shtator 2010

Organizata e kombeve të bashkuara për zhvillim UNDP konstaton në një hulumtim se në duart e qytetarëve të Kosovës ekzistojnë afro 320 mijë armë ilegale. Kjo paraqet rrezik për jetën e qytetarëve.

https://p.dw.com/p/P6j3
Armë të konfiskuara në Kosovë
Armë të konfiskuara në KosovëFotografi: MIA

Armëmbajtja pa leje në Kosovë, vazhdon të jetë një fenomen shqetësues dhe që paraqet një rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Kështu thonë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe zyrtarë të policisë së Kosovës. Nga një hulumtim i fundit, i bërë nga programi për zhvillim i kombeve të bashkuara UNPD, konstatohet se në duart e qytetarëve të Kosovës akoma ndodhen afro 320 mijë armë ilegale.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.Fotografi: DW

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha DW-së, se si pasojë e armëve ilegale policia ka regjistruar shumë raste të vrasjeve dhe plagosjeve. Gjatë muajit të verës të shtënat e armëve nëpër ahengje të ndyshme kanë qenë përditshmëri. Policia ka konfiskuar gjatë sezonit të verës rreth 50 armë ilegale dhe ka arrestuar 20 persona, thotë Baki Kelani. “Policia e Kosovës ka si në nivelin qëndror ashtu edhe të drejtorive rajonale plane operative të vazhdueshme për luftimin, parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale. Një plan konkret operacional e kemi pasur këtë vit gjatë sezonës veror“, thotë Baki Kelani. Sipas tij, në kuadër të strategjisë së policisë kundër armëmbajtjes pa leje, çdo vit konfiskohen rreth 2 mijë armë.

Çfarë i shtyn qytetarët e Kosovës që të mbajnë armë?

Armend Muja, njëri nga zëdhënësit e UNDP-së në Kosovë, organizatë kjo që bën analiza për armëmbajtjen pa leje, thotë për programin tonë se përceptimi i qytetarëve që të mbajnë një armë është vetmbrojtja. “Shumica e të anketuarve arsyen kryesore në përceptimin e tyre kanë mungesën e sigurisë, apo mbetjen të pambrojtur nga krimi, apo nga sistemi juridik i Kosovës. Pra rreth 80 përqind e tyre pasigurinë e kanë cilësuar si faktor që i shtyn të mbajnë armë,” thotë Armend Muja.

Armend Muja, njëri nga zëdhënësit e UNDP-së në Kosovë.
Armend Muja, njëri nga zëdhënësit e UNDP-së në Kosovë.Fotografi: DW

Sipas zëdhënësit Muja, programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara në analizat e saj, bën disa rekomandime si duhet eliminuar fenomeni i armbajtjes pa leje. "Nxjerrja e akteve ligjore që e rregullojnë posedimin e mbajtjes së armëve, kontrollimi i importit dhe eksportit të armëve të vogla. Të ekzistojnë trupa rregullative që do të kujdesen për zbatimin e ketyre politikave, pastaj të punohet në nivelin lokal me qytetarët për ta trajtuar përcepcionin e mungesës së pasigurisë në lagje dhe përmes kësaj me hapa afatshkurtër të trajtohet ky problem”, thotë Armend Muja.

Parlamenti i Kosovës tashmë ka miratuar ligjin për përdorimn e armëve mirëpo, akoma nuk është zyrtarizuar për zbatim sepse nevojiten disa akte nënligjore që e rregullojnë me saktësi posedimin e armëve. Ligji rregullon posedimin, mbajtjen, përdorimin, ruajtjen, importin, prodhimin e shumë detaje të tjera që lidhen me armëmbajtje. Në hulumtimet e UNDP-së, thuhet se posedimi i armëve është i përhapur më shumë në zonat rurale e ato kufitare dhe shumë njerëz e konsiderojnë këtë legjitime, duke pasur parasysh nivelin e perceptimit të pasigurisë në ato lokalitete.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama