1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dekreti për radikalët

28 Janar 2012

40 vjet më parë, më 28 Janar 1972, qeveria gjermane dhe qeveritë e landeve ranë dakord për miratimin e "Dekretit për radikalët". Në atë kohë Gjermania u kritikua për shkelje të parimeve të saj kushtetuese.

https://p.dw.com/p/13sKq
Logo e Zyrës federale për ruajtjen e kushtetutës
Logo e Zyrës federale për ruajtjen e kushtetutësFotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Në fillim të viteve '70 politikanët e të gjitha partive të mëdha politike e panë në rrezik rendin kushtetues demokratik në Gjermani. Prandaj, shërbimi civil gjerman duhet të mbrohej nga ata që do të dëmtonin sistemin politik të Republikës Federale. Në këtë mënyrë kryeministrat e landeve dhe kancelari gjerman socialdemokrat Willy Brandt ranë dakord më 28 Janar 1972 për të miratuar të ashtuquajturin dekret për radikalët. Tërë kësaj i kishte prirë landi i Hamburgut  i cili tashmë kishte gjysmë viti që kishte filluar të verifikonte besnikërinë ndaj kushtetutës të kandidatëve për një vend pune në shërbimin publik. "Për sa i përket mosmarrjes në punë është i mjaftueshëm dyshimi serioz se kandidati nuk angazhohet për rendin tonë demokratik", shprehej atëherë kryebashkiaku i Hamburgut Peter Schulz ( SPD).

E Majta e re

Arsyeja e "parimeve të anëtarësimit të nëpunësve civilë në organizatat ekstremiste" ishte forcimi i së ashtuquajturës e Majta e re.  Me dekretin për radikalët duhej të parandalohej që anëtarët e saj të fitonin peshë në institucionet shtetërore. Ajo që pasoi në Gjermani, ishte një valë e vërtetë verifikimi: një kujdestar plazhi i cili ishte anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, një sekretar administrativ i cili ishte angazhuar kundër luftës së Vietnamit, një mirëmbajtës varrezash i cili punonte për Amnesty International, një mësues i cili kishte marrë pjesë në demonstrata kundër rritjes së çmimive të biletave në trafikun urban, sipas dekretit për radikalët të gjithë ata konsideroheshin si armiq të shtetit.

Në foto, Willy Brandt
Në foto, Willy BrandtFotografi: dpa

Si rezultat, kandidatët për punësim në shërbimin civil duhet të përgjigjeshin në pyetje si këto: "A keni qenë ndonjëherë në RDGJ (DDR).?  A keni marrë pjesë si student në tubime politike? A keni qenë ndonjëherë në ndonjë festë të Partisë Komuniste? A e keni përdorur ndonjëherë termin imperializëm në Republikën Federale të Gjermanisë? Një përgjigje me po ndaj ndonjërës prej këtyre pyetjeve mund të shkatërronte mundësinë e një karriere në shërbimin civil. Persona të dyshuar kanë qenë pastaj për vite të tëra nën vëzhgimin e organit për ruajtjen e kushtetutës. Në mesin e tyre edhe shkrimtari Peter Schneider, i cili dëshironte të bëhej mësues. Senati i shkollave të Berlinit kishte kundërshtuar punësimin e tij.

Verfikimi i botëkuptimeve

Zyrtarët e organit për ruajtjen e kushtetutës kanë pranuar për verifikim gjithsej 1.4 milionë kërkesa. Në rreth 11 mijë raste për shkak të aktiviteteve antikushtetuese apo anëtarsimit në ndonjë organizatë antikushtetuese janë refuzuar kërkesat e kandidatëve për punësim. 136 raste janë pushuar nga puna. Për këtë Gjermania është kritikuar si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Fjala për ndalim të ushtrimit të profesionit dhe futje hundësh në botëkuptimet e të tjerëve u përhap shpejt, sqaron nobelisti i letërsisë Günter Grass: "Dekreti për radikalët është një akt i çmendur i demokracisë, e cila nuk është e vetëdijshme për forcën e vet."

Në shumë qytete u themeluan Komitete kundër ndalimit të ushtrimit të profesionit. Edhe artistë të njohur filluan të përfshihen në debatet për këtë çështje. Kështu fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Heinrich Böll shkroi tregimin "Ti shkon shpesh në Heidelberg", në të cilin ai përshkruan dekretin për radikalët dhe pasojat e tij nga këndvështrimi i të prekurve. Një debat i ashpër në vitin 1976 u shkaktua nga poema "Neni 3(3)" i shkrimtarit Alfred Andersch. Poema kritikonte praktikën e ndalimit të punësimit dhe në të bëheshin krahasime në mes të Republikës Federale dhe regjimit nazist.

Shfuqizimi i dekretit

Në vitin 1975 Gjykata Kushtetuese Federale vendosi që përshtatshmëria e një kandidati për një vend të punës nuk varet nga anëtarësimi i tij në ndonjë organizatë, por nga sjellja dhe personaliteti i tij. Në vitin 1976, qeveria federale përcaktoi udhëzime të reja për dekretin për radikalët. Disa rregulla u përmirësuan në të mirë të kandidatëve. Për shembull ata kishin të drejtë të angazhojnë për çështjen një avokat. Në raste të veçanta duhej të vendoste ministri përgjegjës. Por megjithatë dekreti për radikalët mbeti i diskutueshëm. Në vitin 1979, qeveria federale u nda përfundimisht nga dekreti për radikalët. Por derisa kjo ndodhi nëpër lande kaluan vite të tëra. Bile landi Qyteti i Lirë i Bremenit ka shfuqizuar dekretin për radikalët këtë muaj, janar 2012.

Statuja e Rolandit, simbol i qytetit të Bremenit
Statuja e Rolandit, simbol i qytetit të BremenitFotografi: Fotolia/interlight

Autorë: Michael Marek / Esat Ahmeti
Redaktoi: E. Xhani