1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të dorëzohet Hilari?

Engelke, Anna / Washington (NDR)7 Qershor 2008

Të shtunën (07.06.) Hilari Klinton pritet të dalë përpara përkrahësve të saj në Washington D.C. Ajo do t'u shprehë atyre mirënjohje dhe do të shprehë publikisht përkrahjen për Obamën.

https://p.dw.com/p/EFHH
Klinton përkrah Obamës në garën kundër republikanëveFotografi: AP

Megjithatë Klinton nuk do të përfundojë zyrtarisht fushatën e saj për kandidaturën si presidente, vetëm do t'a pezullojë. Në këtë mënyrë ajo mund të vazhdojë të mbledhë donacione dhe të ruajë edhe të "deleguarit" që i kanë dhënë votat e tyre.


Më shumë se tetë vjet më parë Hilari Klinton njoftoi se do të kandidonte për postin e senatores në shtetin federal të Nju Jorkut. Atëherë në shkurt të vitit 2000 ajo ishte ende zonjë e parë në Shtëpinë e Bardhë. Ardhja një ditë në krye të Shtëpisë së Bardhë jo më si zonjë e parë por si presidente ishte objektivi i saj që nuk u shpall atëherë publikisht. Hazel Pricë e cila njeh Klintonin që nga fëmijëria nuk kishte asnjë dyshim për ambiciet e atëhershme të saj:


"Kur ajo kandidoi për postin e senatores unë e dija se puna nuk do të mbaronte me kaq."


E palodhur Hilari Klinton punonte për realizimin e ëndrrës së saj: rikthimin në Shtëpinë e Bardhë. Si senatore e Nju Jorkut ajo u vlerësua dhe u rizgjodh. Më në fund në 20 janar 2007 koha kishte ardhur: 59-vjeçarja bëri publike kandidaturën e saj për presidente të SHBA.


Hilari Klinton i ftoi amerikanët në një bisedë. "Mendoj se do të jetë shumë interesante", u shpreh Klinton. "Shumë interesante"-është pak të thuash, gara ishte tensionuese dhe shumë, shumë e lodhshme. Gjatë 15 muajve të fundit ajo nuk ka patur mundësi të flerë vetëm orë. Në mëngjes ishte sërisht në tribunë diku nëpër SHBA dhe kishte një pamje rrëzëlluese që të habiste.


Por punët nuk shkuan mirë për Hilari Klintonin. Ajo thjesht e kishte nënvleftësuar tepër konkurrentin e saj Barak Obama, personalitetin e tij karizmatik dhe mesazhin e tij për ndryshim. Dhe Klinton nuk kishte llogaritur me vazhdimin e garës elektorale pas së martës së madhe në fillim të muajit shkurt.


"Vetëm mos u dorëzo", thërrisnin përkrahësit e saj. Dhe 60-vjeçarja nuk u dorëzua. Edhe pse gjithnjë e më shumë demokratë ndiheshin të irrituar ajo luftonte, dhe me çfarë force:


"Ajo bëhej gjithnjë e më e mirë", konstaton Carole Simpson një figurë e njohur në televizionin e SHBA.


Nga 13 zgjedhjet preliminare Klinton fitoi shtatë, por Barak Obama nuk mund të arrihej më. Të martën e 3 qershorit ai fitoi përfundimisht dhe Klinton nuk e përgëzoi. Një gabim i rëndë. 60-vjeçarja u cilësua një humbëse e keqe, shumë e keqe. Por kolegu i saj senatori Chuck Summer e kupton sjelljen e Klintonit. Ka qenë tepër e vështirë për të, thotë ai.


"Ti bën një fushatë elektoralë një vit e gjysmë të gjatë, e nis ditën çdo ditë në orën 6 të mëngjesit, punon si një kafshë dhe shkon të flesh pas mesnate. Dhe në fund humbet për pak vota. Natyrisht që është e vështirë."


Por të shtunën (07.06.) Hilari Klinton pritet t'i ofrojë Obamës mbështetjen e saj. Historjania Doris Kearnes-Goodwin është e bindur se Hilari Klinton nuk ka hequr dorë nga ëndrra për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Si presidente ose si zv/presidente pas katër ose tetë vjetësh:


"Nuk mendoj së ajo mund t'a fshijë këtë ëndërr. Para së gjithash pasi ajo ka jetuar tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë dhe tani ishte kaq pranë saj. S'ka rëndësi se çfarë do të bëjë tani. Ajo shpreson të mbledhë edhe më shumë përvojë dhe t'a provojë sërisht."