1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të jetë proevropiane qeveria e ardhshme serbe?

Sanja Blagojevic12 Maj 2008

Serbia zgjodhi. Për çudi zgjedhësit vendosën krejt ndryshe nga sa kishin paralajmëruar sondazhet. Forca më fortë në vend doli Aleanca e Partive e mbledhur rreth Partisë Demokrate e të Presidentit Tadiç.

https://p.dw.com/p/DyLR

"Serbia është vend i të papriturave", tha Presidenti Tadiç. "Edhe atëherë kur kërkush nuk e beson, edhe atëherë fitohet në Serbi": Aleanca e partive "Për Serbinë Evropiane" ka marrë 38 për qind të votave. Kjo shifër është pothuaj sa shuma e votave të marra së bashku nga Partia Demokratike e Serbisë e ish kryeministrit Kostunica dhe radikalët ultranacionalistë së bashku.

Partia e Tadiçit ka fituar zgjedhjet, megjithatë ende e pavendosur është nëse votat e marra mjaftojnë për të krijuar qeverinë. Sepse Aleanca e partive rreth Tadiçit nuk mund të qeverisin të vetme. Më e thjeshta do të ishte nëse ai krijon qeverinë më liberalët dhe me përfaqësuesit e pakicave. Megjithatë edhe votat e tyre nuk mjaftojnë. Madje për të qenë në gjendje të qeverisë Tadiçit mund t´i duhen edhe votat e socialistëve të diktatorit të vdekur Millosheviç.

Nga ana tjetër Partia Radikale që doli e humbur nga zgjedhjet do të bëjë gjithshka për të krijuar një koalicion. Kryetari i Partisë Nikolic i ka ofruar paraprakisht ish kryministrit Kostunica postin e kryeministrit nëse ky i fundit do të hynte në koalicion me të. Por edhe radikalëve dhe Partisë Demokratike të Koshtunicës do i duhej një partner i tretë për të qenë në gjendje të qeverisin. Kështu që dhe këtu socialistët mbeten si shpresa për të arritur shumicën e duhur.

Kështu që të gjitha shikimet do të drejtohen drejt socialistëve. Ata janë parimisht të gatshëm për gjithshka. Në fund të fundit ata do të krijojnë aleancë me ata që ofrojnë më shumë.

Zgjedhësit serbë zgjodhën për Evropën. Megjithatë ende pa përjigje mbetet pyetja a do të jetë vërtet porevropiane qeveria e ardhshme serbe.