1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AI Jahresbericht 2009

28 Maj 2009

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, paraqet raportin e saj vjetor.

https://p.dw.com/p/HzNh
Fotografi: picture alliance/dpa


Kriza mbarëbotërore ekonomike, sipas vlerësimit të organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, do të ketë ndikim negativ edhe tek të drejtat e njeriut. Sipas raportit nga Amnesty International rreth 90 milionë njerëz mund të gjenden në varfëri për shkak të krizës globale financiare. Si pasojë e varfërisë në rritje dhe të konflikteve të mëtejshme sociale në shumë vende mund të shtohet shtypja shtetërore, paralajmëron në raportin e saj vjetor kjo organizatë.

Sipas organizatës Amnesty International në më shumë se gjysmën e 157 vendeve të vëzhguara shkelen të drejtat themelore të njeriut. Brenda Bashkimit Evropian në 12 vende ka keqtrajtime dhe torturime. Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty-s, Irene Kahn, paralajmëroi për “veprime të dhunshme në përmasa të mëdha“ nëqoftëse nga kriza nuk do të respektohen të drejtat e njeriut. “Ne qendrojmë mbi një fuçi baruti për shkak të pabarazisë, padrejtësisë dhe pasigurisë, e cila për çdo moment mund të eksplodojë," tha Irene Khan. Në shtetet si Tunizia autoritetet kishin reaguar me ashpërsi ekstreme ndaj protestave paqësore.

Rreth katër miliardë njerëz, gati dy e treta e gjithë njerëzimit, sipas vlerësimit të OKB-s nuk kanë akses në institucionet shtetërore ligjore. Kush është i varfër, shpesh është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut, tha Drejtori i zyrës së AI në Bruksel, Nicolas Berger:

“Varfëria me kalimin e kohës do të jetë luftuar, në qoftë së do të respektohen, mbrohen dhe t´u garantohen të varfërve të drejtat e njeriut”.

Përveç kësaj kriza do të ketë pasoja edhe për faktin se më shumë afrikanë do të vënë në rrezik jetën duke u larguar nga vendi përmes detit për në Evropë. Në vitin 2008 67 mijë njerëz kishin bërë përpjekje, që përmes rrugëve detare të vinin në Evropë. Qindra ose mijëra prej tyre kanë humbur jetën.

Raporti, që publikohet sot, paraqet informacione të dokumentuara të shkeljes së lirisë së mendimit në 81 vende. Në 50 vende njerëzit futen në burgje vetëm për bindjet e tyre politike.

Kritika masive për shkelje të të drejtave të njeriut AI ka edhe për 12 vende nga 26 vendet anëtare të BE-së, veçanërisht për përdorim torturash dhe keqtrajtim. Në 19 vende sipas këtij raporti të kësaj organizate ka shkelje të të drejtave të refugjatëve për strehim(azil). Në 12 vende evropiane në kuadër të luftës anti–terror nuk përfillen të drejtat e njeriut.

Në dhjetëra shtete sipas AI ka një diskriminim masiv të pakicave.

Bullgaria, Çekia, Greqia, Hungaria, Lituania dhe Letonia shkelin lirinë e mendimit dhe veprojnë kundër paradave të homoseksualeve.

Në Itali, Çeki dhe Hungari romët kanë kufizime në drejtim të arsimimit, të hapësirës së banimit, kanë kufizime për punë dhe sigurimet shëndetësore.

Amnesty International në raportin e saj të fundit rendit si vende më një bilanc negativ në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, Afganistanin, Birmaninë, Izraelin, Sudanin, Sri-Lankën dhe Kolumbinë.

Në vitin 2008 Afganistani ka përjetuar vitin më të përgjakshëm qysh prej rrëzimit të talibanëve radikalë-islamikë.

Drejtori i zyrës së AI në Bruksel Nicolas Berger për këtë sqaron:

“Torturimet nëpër burgje janë aty në rend dite. Gazetarët kritikë kërcënohen me burgim, ose vdekje. Gratë i nënshtrohen në jetën e përditshme dhunës familjare dhe përdhunimeve. Amnesty International kërkon në këtë vend mbrojtje më të mirë për civilët“.

Gjithashtu ai kërkoi edhe një intensifikim në trajnimin e policisë, për të cilin është e angazhuar edhe Gjermania.

Raporti i fundit i Amnesty International ndalet veçanërisht në situatat e vendeve të mëdha, që kanë pasur një zhvillim të shpejtë, si Kina, Brazili, apo India, që si pasojë e krizës politika ndërkombëtare po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë në politikën ndërkombëtare.

Irene Khan, sekretarja e pergjithshme e AI, vë në dukje moralin e dyfishtë në çështjen e të drejtave të njeriut tek shtetet e G-20, të cilat ishin aktualisht të pranishme në dy samitet botërore financiare. Për shembull në vendet e reja të G-20 përmendet ndër të tjera Kina dhe SHBA-të, që ende ekzekutojnë njerëz.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica