1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë Maqedonia president konsensual?

Fatos Musliu18 Janar 2014

Në pranverë në Maqedoni duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta presidenciale. Përveç emrave jozyrtar që përmenden për kandidat, në Maqedoni është aktuale idea për mënyrën e caktimit dhe zgjedhjes së presidentit.

https://p.dw.com/p/1At4j
Fotografi: picture-alliance/dpa

Partitë politike në Maqedoni kanë nisur lëvizjet për zgjedhjet e rregullta presidenciale që duhet të mbahen në muajin mars 2014. Ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë në pritje të shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale nga kryetari i Parlamentit. Ndërkohë në opinion tani më po qarkullojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për president të shtetit. Nga partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE përmenden tre emra të mundshëm për president, profesorët universitar Jove Kekenovski dhe Vllado Popovski dhe ish ambasadori Srgjan Kerim, ndërsa në taborin e opozitës maqedonase si kandidat të mundshëm përmenden Stevo Pendarovski, Branko Naumovski dhe Petar Goshev.

Maqedonia ka nevojë për president konsesual

Partitë politike shqiptare nuk kanë dalë në opinion me ndonjë emër konkret për kandidat të mundshëm presidencial. Partia shqiptare në pushtet BDI ka inicuar iden për një kandidat konsensual i cili do ta ketë mbështetjen e gjërë të subjekteve politike. “Politikanët zgjedhen për të sjellur vendime të përgjegjshme dhe të guximshme, andaj partitë politike duhet që të tregojnë gatishmëri për të zgjedhur president konsensual i cili do t'i përfaqësojë denjësisht të gjitha komunitetet dhe të angazhohet denjësisht për synimet euroatlantike të vendit“, shprehet kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Koncepti për president konsensual ka marrë mbështetje nga disa parti opozitare maqedonase. Kryetari i Aleancës për Maqedoni pozitive Ljupço Zikov është shprehur pro qëndrimit për kandidat konsensual. “Kjo nismë duhet të mbështetet nga të gjitha subjektet politike në vend, sepse nëse në sistemin tonë politik instalohet zgjedhja konsensuale, Maqedonia do të jetë shumë më afër standardeve evropiane. Presidenti konsensual do të ndihmojë në stabilizimin e skenës politike dhe bashkëjetesës”,vlerëson Zikov.

Partitë opozitare shqiptare PDSH dhe RDK nuk janë shprehur optimist për kandidatin konsensual për president. Për opozitën shqiptare, presidenti i shtetit është një institucion kukull dhe është pak e rëndësishme se kush do të jetë në atë post. Zgjedhjet presidenciale kanë kuptim, gjithnjë sipas opozitës shqiptare nëse presidenti i vendit është shqiptar në kuptim të transformimit të Maqedonisë nga vend monoetnik në vend qytetar dhe multietnik.

Çka fiton dhe çka humb Maqedonia nga presidenti konsensual

Profesori universitar Mersim Maksuti thotë se në një shtet ku dominojnë dy etnitete të mëdha siç është rasti me Maqedoninë, zgjedhja e presidentit konsensual mund të jetë faktor stabilizues. “Shqiptarët janë etnitet i dytë për nga madhësia në Maqedoni andaj ata duhet të kenë përfaqësues të tyre legjitim, presidenti duhet edhe ata t'i përfaqësojë në këtë shtet”, shprehet Maksuti.

Profesori universitar Goran Iliç, thotë se iniciativa për zgjedhjen e presidentit konsensual mund të jetë tendencioze dhe aspak demokratike. “Vlerësoj se iniciativa për president konsensual mund të ketë ndonjë prapavijë të errët politke. Ndoshta përmes kësaj iniciative ndonjë subjekt politik dëshiron të cenon rregullimin kushtetues të Maqedonisë”, shprehet Iliç.

Partia Liberale përveç që mbështet idenë për president konsensual ajo kërkon që presidenti të zgjedhet në Parlament. “Nga pesë presidentët e vendeve tona fqinje tre i zgjedhin në Parlament dhe nuk shoh se kjo mund të shkaktojë ndonjë problem. Subjektet politike në Parlament duhet që në mënyrë formale të mbështesin iniciativat për president konsensual dhe zgjedhjen e tij në Parlament”, thotë Ivo Velliçkovski nga partia Liberale.

Profesori Goran Iliç, është kundër idesë që presidenti të zgjedhet në Parlament. “Synimi i institucionit president në Maqedoni është bashkimi i qytetarëve dhe kjo më së miri realizohet kur në shprehje vjen vullneti i shumicës së qytetarëve dhe jo ai të votohet në Parlament. Zgjedhja e presidentit nga ana e Parlamentit nuk do të thotë demokraci më e zhvilluar”, shprehet Iliç.

Për dallim nga ai, profesori Maksuti përkrah idenë që presidenti i shtetit të zgjedhet nga ana e Parlamentit. “Presidenti duhet të zgjedhet nga Parlamenti me parimin e Badenterit, kjo njëherit do të mundësonte që Maqedonia të ketë president konsensual”.

Kandidaturat për president do të dihen nga fundi i muajit shkurt ose më së voni 35 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.