1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë referendum për emrin në Maqedoni?

4 Nëntor 2009

Kryeministri Nikolla Gruevski mbështet fuqishëm idenë për mbajtjen e referendimit, por partitë politike shqiptare dhe opozita maqedonase vlerësojnë se nuk ka nevojë për referendum.

https://p.dw.com/p/KOSk
Rajoni malor kufitar midis Maqedonisë dhe Greqisë
Rajoni malor kufitar midis Maqedonisë dhe GreqisëFotografi: picture-alliance/ dpa

Për Gruevskin referendumi do të mbahet gjithsesi

Megjithëse porositë nga Brukseli ishin tepër të qarta se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur për ta zgjidhë çështjen e emrit , kryeministri Nikolla Gruevski thotë se emri është çështje për të cilën nuk mund të vendose asnjë politikan pa marrë mendimin e popullit në referendum. Për Gruevskin çështja e referendumit është punë e mbyllur dhe për të duhet të shprehen vetëm qytetarët. Me këtë qëndrim Gruevski kundërshton rekomandimet e Brukselit, që të mos mbahet referendum, për shkak të komplikimeve të mundshme për të ardhmen e vendit.

Paralajmërimet për organizimin e referendumit janë kundërshtuar nga partneri i tij shqiptar në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Partitë politike marrin mandat për t' i zgjidhur problemet

” Partitë politike dalin në zgjedhje dhe premtojnë se do t' i zgjidhin problemet, ato marrin mandat për t' i zgjidhur problemet, kështu që nuk ka nevojë që vazhdimisht të konsultohen me referendum apo forma te tjera, se si duhet të zgjidhet një problem. Unë konsideroj se nëse ka një konsensus të përgjithshëm nga partitë politike për zgjidhjen e këtij problemi, pak rëndësi do të ketë se si do të arrihet forma e zgjidhjes përfundimtare, a do të jetë përmes referendumit ose jo, ” thotë zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi.

Lidhja Socialdemokrate opozitare kërkon takim urgjent të liderëve të partive politike, në të cilin do të merrej vendimi për të gjitha zgjidhjet e mundshme për çështjen e emrit.

”Kryeministri Gruevski dhe Presidenti Ivanov duhet të thërrasin një takim urgjent të liderëve, të organizojnë një debat serioz në Parlament, të shohim se cilat janë opsionet dhe të shohim se a mund të arrijmë konsensus rreth kësaj çështjeje,” ka theksuar Radmilla Sheqerinska, deputete e LSDM-së.

Demokracia e Re e vlerëson krejt të panevojshme organizimin e referendumit, për shkak se VMRO-DPMNE-ja, sipas saj, ka pushtetin absolut, pra besimin e qytetarëve për të sjellë vendime.

“ Përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe absulutisht mendojmë se çdo kthim i mandatit te qytetarët nuk do të jetë i mirë. Kjo çështje duhet të zgjidhet me negociata direkte mes Maqedonisë dhe Greqisë”, ka thënë Sulejman Rushiti.

Thaçi: shqiptarët nuk duhet të marrin pjesë në referendumin eventual për emrin

Për kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi shqiptarët nuk duhet të marrin pjesë në referendum eventual për emrin.

“ Nuk kanë nevojë shqiptarët me dorën e veë ta vërtetojnë politikën antishqiptare në Maqedoni. Nëse ne dalim në referendum, me dorën tonë vërtetojmë se të gjitha çështjet në Maqedoni janë të zgjidhura dhe se shqiptarët janë të kënaqur me statusin e tyre politik, juridik dhe kushtetues në këtë shtet, ky është gabim shumë i madh”,vlerëson Menduh Thaçi.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu thekson se referendumi është një çështje e diskutueshme dhe një “Kuti e Pandorës”, që mund të hapë edhe çështje dhe iniciativa të reja, që për ndonjë pale nuk do të jenë të këndshme, por edhe për të ardhmen e vendit.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi