1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ndryshohet Kushtetuta e Maqedonisë?

18 Mars 2010

VMRO-DPMNE partia më e madhe e koalicionit qeverisës në Maqedoni, ka iniciuar ndryshimin e Kushtetutës, në pjesën e gjyqësorit. Partitë opozitare dhe ekspetët vlerësojnë se edhe ndryshimi më i vogël mund të ketë pasoja.

https://p.dw.com/p/MVuy
Nikola Gruevski kërkon ndryshimeFotografi: AP

Edhe krahas angazhimeve disa vjeçare, reformat në pushtetin gjyqësor në Maqedoni vështirë po realizohen. Në raportet e Komisionit Evropian për progresin, reformat në pushtetin gjyqësor gjithnjë kanë qenë objekt kritikash, në veçanti mungesa e rezultateve konkrete për depolitizimin e gjyqësorit. Duke pasur parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve, kryeministri Nikolla Gruevski ka inicuar ndryshimin e Kushtetutës, në pjesën që ka të bëjë me Këshillin Gyqësor. S ipas tij, këto ndryshime kanë për qëllim forcimin e rolit të Këshillit Gjyqësor, rritjen e pavarsisë së tij dhe shmangien e presioneve ndaj gjyqësorit.

Opozita kundërshton ndryshimet e Kushtetutës

Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski vlerson se paralajmërimi i ndryshimit të Kushtetutës, qoftë ai vetëm në pjesën e gjyqësorit, është i rrezikshëm, sepse mund të vinë edhe iniciativa për ndryshimin e pjesëve të tjera të saj. Pa një përgatitje të mirë dhe serioze nuk duhet të shpejtohet me ndryshimin e Kushtetutës, thotë Branko Cërvenkovski.

Branko Crvenkovski ist der neue Parteichef von der Partei SDSM
Branko Crvenkovski kundërFotografi: MIA

“Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fontanë dëshirash. Ato duhet mirë të shqyrtohen dhe të menjanohet çdo ndikim eventual i ndonjë pazarllëku partiak“, pohon ai.

Kryetari i partisë Demokracia e Re, Imer Selmani ka kërkuar që në ndyshimet e Kushtetutës të përfshihet edhe votimi në Gjykatën Kushtetuese, me parimin e Badenterit me çka do të pamundësohet mbivotimi në vendimet që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Marrëveshja e Ohrit ka pjesët e shkruara, por ka edhe frymën e vet dhe mekanizmat mbrojtës ndaj majorizimit. Parimi i Badenterit, votimi i dyfishtë, është një parim i vlefshëm i Marrëveshjes së Ohrit. Andaj ai duhet të implementohet në vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese”, thotë lideri i Demokracisë së Re, Imer Selmani.

Ekspertët kërkojnë më shumë kujdes

Panoramabild von Ohrid
Ohri - a do të ketë ndryshime edhe në Marrëveshjen e arritur këtu?Fotografi: Petr Stojanovski


Ekspetët pohojnë se çdo ndryshim i Kushtetutës duhet të bëhet me shumë kujdes pasi që ato mund të reflektohen në thelbin e Kushtetutës. Profesori Savo Klimovski thotë se do të ishte më mirë që të fillojë procedura për hartimin e një kushtetute të re, pasi që shumë pjesë të saj nuk janë të harmonizuara.

“Edhe ndryshimet më të vogla të Kushtetutës mund të kenë pasoja të paparashikueshme. Kushtetuta është akt që në rast se ndryshon edhe një presje të një neni, mund të reflektohet edhe në nene të tjera“, vlerson Klimovski .

Eksperti për çështje kushtetuese Osman Kadriu është përkrahës i idesë se Maqedonisë i duhet një Kushtetutë e re dhe jo ndryshime parciale të saj.

“Është koha e fundit që Maqedonia të ketë një kushtetutë të re, sepse kanë kaluar 20 vite nga miratimi i Kushtetutës aktuale. Ka nevojë që të rregullohen të gjitha fushat dhe tërësitë kushtetuese-juridike me rregullativë të re“, thotë Osman Kadriu.

Qeveria ka paralajmëruar se së shpejti ndryshimet e Kushtetutës do të dalin edhe në debat publik.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani