1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të përfundojnë në gjykatë rastet e korrupsionit?

21 Shkurt 2011

Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka filluar ndjekjen penale të ish-kryeministrit Ilir Meta nën akuzën e korrupsionit aktiv, pas heqjes së imunitetit të tij si deputet. A do të arrijë çështja Meta në gjykatë?

https://p.dw.com/p/10LQm
Perëndesha e drejtësisë, Justicia
Perëndesha e drejtësisë, JusticiaFotografi: picture-alliance/dpa

Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është e lehtë. Vështirësia qëndron në modelin e derisotëm të mosmbërritjes në Gjykatë të rasteve të bujshme të hetimeve për korrupsion të politikanëve, në qeveri të majta apo të djathta.

Aleksandër Biberaj, deputet i PD, profesor në Universitetin “Marin Barleti" në Tiranë thotë për programin shqip të DW se ky model është ushqyer nga disa dukuri.

“Nga presioni i madh i politikës mbi drejtësinë, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe së fundi nga korrupsioni në gjykata,” thotë Biberaj.

Aleksandër Biberaj flet për DW
Aleksandër Biberaj flet për DWFotografi: DW/A.Muka

Për Aleksandër Çipën, analist i pavarur, kryeredaktor i gazetës “SHQIP”, shkaku kryesor i mbylljes së hetimeve për ministra apo politikanë të akuzuar për korrupsion është trysnia politike, që është ushtruar deri sot mbi drejtësinë.

“Pavarësia dhe mëvetësia e drejtësisë shqiptare ka qënë deri më sot e cunguar. Politika ka ushtruar presion mbi organet e drejtësisë dhe mbi gjithë hallkat e sistemit gjyqësor. Sot shikojmë që institucionet e drejtësisë, sidomos Prokuroria, ndodhet nën trysninë e politizimit dhe të paragjykimit për të penguar zbardhjen e dosjeve të rëndësishme si ajo e Gërdecit, dhe tani për ish-kryeministrin Meta apo për ngjarjet dramatike të 21 Janarit,” thotë Çipa.

A do të përfundojnë në gjykatë “peshqit e mëdhenj”?

Por ka disa zhvillime në drejtimin e duhur. Ato shfaqen si embrione të ndryshimit të shumëpritur: pavarësisë së drejtësisë nga politika dhe funksionimit të shtetit ligjor. Është fjala për vendimin e fundit të Gjykatës së Tiranës për burg pa afat për një gardist, të cilin Prokuroria e akuzon si autor në vrasjen e katër demostruesve në demostratën antiqeveritare të opozitës më 21 janar. Është fjala për ndalimin e pesë gardistëve të tjerë, gjë që bëri të mundur fillimin e hetimit ndaj tyre prej Prokurorisë, pra detyrimin që organi i akuzës i bëri Policisë së Shtetit të zbatonte mandat-ndalimet e saj, që për javë të tëra kishte refuzuar t' i zbatonte. Një zhvillim tjetër pozitiv është heqja e imunitetit parlamentar të ish-kryemnistrit të dorëhequr Ilir Meta, pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar Parlamentit. Dhe së fundi vjen ideja e Presidentit të Republikës, nga pozicioni i Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që gjykatësit të mos kenë imunitet, për të mundësuar pa humbur kohë hetimin e tyre për rastet e korrupsionit.

“Shpresoj, besoj dhe uroj që këto zhvillime të shënojnë një moment kthese. Kur është fjala për luftën kundër korrupsionit ai nuk luftohet nëse ai nuk ndëshkohet. Deri më sot kemi parë të përballen me drejtësinë ”peshq të vegjël” niveli i korrupsionit të tyre është vërtet modest dhe nuk kemi parë të përfundojnë në gjykatë ”peshkaqenë me kollare” si ndodh p.sh. në Gjermani, Francë, SHBA, Britaninë e Madhe, sa për të sjellë disa shembuj. Nëse bartësit dhe mbrojtësit e korrupsionit nuk dënohen, atëhere korrupsioni do të vazhdojë të jetë një gangrenë për shoqërinë shqiptare”,thotë Aleksandër Biberaj.

Momenti i katharsisit ende larg

Ndërsa analisti i pavarur politik Aleksandër Çipa, është skeptik se zhvillimet e fundit shënojnë fillimin e fundit të presionit të politikës mbi drejtësinë. Argumenti i tij kryesor janë akuzat e pushtetit ekzekutiv ndaj Prokurorisë si bashkëpunëtore me opozitën në provokimin e ngjarjeve dramatike të 21 janarit.

“Politika është duke ripërsëritur kapitullin e akuzave dhe kërkesave për uljen e autoritetit të Prokurorit të Përgjithshëm si institucion dhe jo si individ dhe po tenton të përsërisë rastet e heqjes së kryeprokurorëve të Shqipërisë. Ky është një nga mjetet më të shumëpërdorura dhe të ricikluara në marrëdhëniet mes pushtetit politik të ekzekutivit, pushtetit legjislativ dhe organit të akuzës në Shqipëri. Kam përshtypjen se nuk kemi arritur në një moment që të presim një “katharsis” për rikthimin e secilit pushtet në rolin dhe autoritetin e tij vetëveprues. Demokracia në Shqipëri është funksionuese, por jo funksionale,” thotë analisti politik Çipa .

Lufta efikase kundër korrupsionit mbetet kërkesa kryesore e BE për Shqipërinë lidhur me progresin në procesin e saj integrues europian. Politikanë të lartë të BE dhe Departamentit amerikan të shtetit i kanë bërë apel politikës së Tiranës të heqë dorë nga presioni mbi drejtësinë dhe ta lërë atë të bëjë punën e saj, mbështetur tek ligji dhe Kushtetuta.

Autor: Ani Ruci/Tirana

Redaktoi: Auron Dodi