170608 EU Großbritannien
18 Qershor 2008Edhe pse si MPJ britanik David Miliband edhe kryeministri Gordon Brown deklaruan se Irlandës duhet t'i jepet kohë pas jo-së për marrëveshjen e Lisbonës dhe askush nuk ka të drejtë ta kritikojë Dublinin, ata mendojnë se Britania e Madhe nuk ka pse të heqë dorë prej marrëveshjes së ratifikimit.
"Çdo vend vendos vetë se si do të vazhdojë procesi dhe për këtë Britania e Madhe do ta vazhdojë pa vonesa procesin e ratifikimit në dhomën e lartë. Baza ligjore është e qartë, përpara se të hyjë në fuqi marrëveshja duhet të ratifikohet prej të gjitha 27 vendeve anëtare. Njëkohësisht irlandezëve duhet t'u jepet kohë për të menduar dhe për të bërë propozimet e tyre se si mund të arrihet një zgjidhje." - theksoi kryeministri Gordon Brown.
Sonte në mbrëmje vendoset gjithçka. Në rast se pas leximit të tretë në dhomën e sipërme të parlamentit lordët do t'i pranojnë të gjitha pikat e marrëveshjes së Lisbonës atëhere ajo konsiderohet si e ratifikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Opozita e konsideron këtë procedurë si të gabuar. William Hague i Partisë Konservatore kërkon prej kryeministrit më tepër sinqeritet në këtë çështje:
"Ai duhet të japë drejtimin, por këtë qeveria nuk po e bën deri tani. Ne si politikanë duhet të pranojmë se njerëzit nuk e duan këtë marrëveshje. Prandaj ajo s'mund të miratohet vetëm duke bërë me dorë shenjën hajde vazhdo."
Hague beson se në rast se në Britaninë e Madhe do të zhvillohej një referendum marrëveshja e Lisbonës nuk do të kishte asnjë shans të fitonte. Sipas tij kemi të bëjmë me një dilemë themelore dhe për këtë është e rëndësishme që përpara se të zgjerohen institucionet e Brukselit të binen një herë evropianët për për ligjet e BE-së.