1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në përshtatje me të drejtën ndërkombëtare ?

15 Shtator 2009

Sot është dita e fundit për dorëzimin e kërkesave të shteteve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për pjesëmarrje në seancat dëgjimore për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/Jh6A
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu duke nënshkruar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Shpallja e pavarësisë sipas udhëheqësve politik kosovarë, bazohet mbi vullnetin e shumicës shqiptare për vetvendosje.Fotografi: AP

Një vit më parë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Shpallja e pavarësisë sipas udhëheqësve politik kosovarë, bazohet mbi vullnetin e shumicës shqiptare për vetvendosje. Sipas Serbisë, ajo është në kundërshtim me të drejtën dhe ligjet ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia tashmë kanë deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, argumentat e tyre rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Argumentat e tyre pro dhe kundër pavarësisë kanë paraqitur edhe 33 vende tjera të botës anëtare të OKB-së. Afati për deponimin e argumenteve përfundoi këtë të martë dhe vendi i fundit që paraqiti argumentet e tij, është Federata Ruse, njofton agjencia e lajmeve e këtij vendi Itar-tass.

Më një dhjetor Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të hapë diskutimin publik për të dëgjuar mendimet e të gjitha palëve të interesuara rreth asaj se a ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Zëvëndësministrja e punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë për programin tonë se pala kosovare është e bindur në një vendim në favor të Kosovës. “Tashmë kemi arritur në fazën finale, para marrjes së vendimit, pra është faza e dëgjimeve të argumenteve të shteteve. Edhe Kosova do të jetë aty edhe pse nuk është anëtare e OKB-së dhe ne jemi të bindur se vendimi i Gjykatës do të jetë në favor të Kosovës," thotë zonja Çitaku. Zëvëndësministrja Çitaku, nuk shpalos dosjen e Kosovës me të cilën ajo do ta argumentojë ligjeshmërinë e pavarësisë, sepse sipas saj publikimi para kohe i argumenteve mund të dëmtojë procesin.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare, thonë se padyshim që Kosova është në një pozicion të favorshëm në rastin e shqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Afrim Hoti, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se me argumentet e saj pala kosovare duhet të fokusohet në dy aspekte. “E para aspekti teorik në kuptimin e pozicionit, juridik, politik dhe kushtetues në ish federatën Jugosllave, kur Kosova kishte Kushtetutën e vitit 1974 e cila e poziciononte Kosovën në një pikë mjaft të lartë Kushtetuese. Ndërsa, aspekti praktik, është fakti se në territorin e Kosovës u zhvillua një luftë, u bë një spastrim etnik dhe ndodhi një debim masiv i popullatës nga shtëpitë e tyre," thotë Hoti.

Sidoqoftë, çfarëdo qoftë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, vendimi nuk është obligativ. Mirëpo, vetë shqyrtimi ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës ka ndikuar negativisht në numrin e njohjeve të Kosovës. Këtë e pranon edhe ministria e Jashtme e Kosovës e bindur se pas përfundimit të këtij procesi Kosova, do të marrë njohje të reja. Deri tash Kosovën e kanë njohur 62 vende të botës.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama