1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A është përgjuar telefoni i Merkelit nga NSA?

Eliana Xhani (dpa, reuters)24 Tetor 2013

As Kancelarja e Gjermanisë nuk mund të telefonojë e qetë! Ka sinjalizime se telefoni i Angela Merkelit është përgjuar. Kancelarja gjermane ka kërkuar nga Obama sqarim të plotë dhe të shpejtë.

https://p.dw.com/p/1A5KN
Kancelarja Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/dpa

Çështja ka potencial të fortë shpërthyes në raportin gjermano-amerikan. Qeveria gjermane ka marrë informacione, sipas të cilave celulari i Kancelares ka të ngjarë të jetë përgjuar nga shërbimet e fshehta amerikane, deklaroi zëdhënësi i Merkelit Steffen Seibert, të mërkurën në mbrëmje (23.10.) në Berlin. Kancelarja ka telefonuar për këtë arsye me Presidentin e SHBA-së Barack Obama dhe ka kërkuar një zbardhje të plotë dhe të shpejtë të çështjes.

"Kancelarja bëri të qartë se praktika të tilla, nëse sinjalizimet do të rezultojnë të vërteta, i refuzon qartë dhe i sheh si krejtësisht të papranueshme." Mes miqve dhe partnerëve të ngushtë nuk mund të ketë një survejim të tillë të komunikimeve të një kryetari qeverie. "Kjo do të ishte një thyerje e rëndë besimi. Praktika të tilla duhet të ndalen menjëherë", deklaroi Seibert.

Obama, i cili në plan ndërkombëtar ndodhet nën trysni të fortë për shkak të skandalit të përgjimeve të NSA-s, e siguroi kancelaren Merkel përmes zëdhënësit të tij Jay Carney se SHBA nuk e survejon komunikimin e saj dhe nuk do ta bëjë këtë as në të ardhmen. Por nëse shërbimet e fshehta në SHBA e kanë përgjuar në të kaluarën telefonin e Merkelit, nuk u sqarua nga deklarata e Shtëpisë së Bardhë.

Gjermania pret një bazë të qartë kontraktuale mbi veprimtarinë e shërbimeve të fshehta dhe bashkëpunimin e tyre, ka kërkuar më tej Kancelarja. Nga qarqet qeveritare u tha se pritet që SHBA të përmbushë premtimin e saj për një marrëveshje "No Spy" dhe një kodi sjelljeje në raport me aleatët.

Merkeli informon edhe opozitën

Sidoqoftë zhurma rreth NSA-së nuk po merr fund. Për shkak të skandalit të fundit, Merkel të mërkurën pasdite (23.10.) zhvilloi një takim me shefin e Kancelarisë Ronald Pofalla dhe dy përfaqësuesit kryesorë të instancës parlamentare të kontrollit, Thomas Oppermann (SPD) dhe Michael Grosse-Brömer (CDU). Pas takimit Oppermann deklaroi: "Nëse kjo akuzë do të rezultojë e vërtetë, do të kishim një thyerje të rëndë besimi." Instanca e kontrollit e Bundestagut është përgjegjëse për shërbimet sekrete gjermane.

Zëdhënësi i Kancelares tha se në Berlin janë zhvilluar bisedime edhe me përfaqësues të qeverisë së SHBA-së. Edhe kristiandemokrati Grosse-Brömer reagoi me tone të ashpra: "Nëse sinjalizimet do të jenë të vërteta, do të kishim të bënim me një praktikë monstruoze dhe një thyerje masive besimi", deklaroi ai. "Mes shtetesh mike një sjellje e tillë është krejtësisht e papranueshme dhe nuk mund të mbetet pa u zbardhur."

Për aksionin e dyshuar të përgjimit kishte informuar fillimisht "Spiegel Online". Sipas informacioneve të gazetës, qeveria gjermane pas një kontrolli nga Shërbimi Informativ Gjerman (BND) dhe Zyra Federale për Siguri dhe Informatikë, e konsideronte dyshimin si të mjaftueshëm për të konfrontuar me të qeverinë e SHBA-së.

Prej muajsh aktivitetet e NSA-së po shkaktojnë irritime diplomatike mes SHBA-së dhe aleatëve të saj më të ngushtë. Kështu Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius këtë javë thërriti në takim ambasadorin amerikan. Sfondi është një informacion në medie për një aksion të gjerë përgjimi të NSA-së në Francë.