1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të ketë kompromis për Veriun e Kosovës?

5 Mars 2013

Disa nga partitë politike opozitare në Kosovë thonë se kryeministri Thaçi nuk mund ta shkelë Kushtetutën dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës, që përcakton qartë vijat e kuqe në dialogun me Serbinë.

https://p.dw.com/p/17qtt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në një fazë të vështirë, vlerësojnë analistët politikww në Kosovë, ndërkohë, partitë politike opozitare kërkojnë nga kryeministri Hashim Thaçi, që për çështjen e Veriut të mos bëjë asnjë kompromis me Serbinë, që bie ndesh me kushtetutën e Kosovës. Takimi i 4 marsit, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daciq, përfundoi pa ndonjë marrëveshje, ndonëse vetww ndërmjetësuesja e këtij dialogu, baronesha Catherine Ashton, tha se është shënuar përparim.

Qeveria duhet t'u përmbahet rezolutave të Kuvendit të Kosovës në dialog me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vazhdimisht rikujton kryeministrin Hashim Thaçi, se “Kuvendi ka kohë që ka nxjerrww një rezolutë, që përcakton qartë vijat e kuqe”, dhe njëra ndër to është që rregullimi i brendshëm i Kosovës nuk bisedohet me Serbinë.

“Ne kemi një rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne presim normalizim të marrëdhënieve, por në cilin nivel do të jetë ky nivelizim i marrëdhënieve ne nuk mund të paragjykojmë”, thotë Jakup Krasniqi.

Jahjaga pret normalizim të marrëdhënieve me Serbinë

Për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shprehet edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila në këtë drejtim i jep mbështetje qeverisë së Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Rezolutë të tij, në tetor të vitit të kaluar, me të cilën e autorizon Qeverinë e Kosovës që të udhëheqë me procesin e dialogut. Presidentja Jahjaga, në respektim të ligjeve dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës, në parim, i ka dhënë mbështetje dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona sovrane dhe të pavarura dhe të lehtësojë jetën e qytetarëve të të dyja shteteve”, thotë për DW, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Ndërkohë, disa nga partitë politike opozitare thonë se “kryeministri Thaçi duhet t`i përmbahet Kushtetutës dhe rezolutës së miratuar në Kuvend për bisedime me Serbinë”. Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare Lidhjes Demokratike e Kosovës, LDK-së, thotë se askush nuk ka mandat për të shkelur mbi këto dy dokumente.

“Kërkojmë që kryeministri t`u përmbahet dokumenteve siç është Kushtetuta dhe rezoluta. As Kryeministri dhe askush tjetër, kushdo qoftë, nuk ka asnjë mandat e as që duhet t'i shkojë mendja t`i shkelë këto dokumente”, thotë Ismet Beqiri.

Kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave serbe - shkelje e kushtetutës

Analistët politikww nga ana e tyre, thonë se bisedimet me Serbinë janë në një fazë shumë të vështirë. Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, vështirësinë e sheh në faktin që po bisedohet për kompetencat që mund të ketë “asociacioni i komunave serbe”, që po e kërkon Serbia.

“Nëse asociacioni i formuar apo ai që mund të formohet prezantohet si një organizatë joqeveritare, që vetëm bën koordinimin dhe siguron një bashkëpunim ndërmjet komunave më shumicë serbe, atëherë çdo gjë është në rregull, por nëse ky asociacion ngarkohet me kompetenca të çfarëdo natyre, ekzekutive apo legjislative, atëherë kemi të bëjmë më shkelje të Kushtetutës së Kosovës”, thotë Afrim Hoti.

Ban Ki Mun kërkon angazhim serioz në dialogun Kosovë-Serbi

Sidoqoftë, takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daqic, do të mbahet me datën 20 mars. Të dy kryeministrat, vetëm dy ditë pas, me datën 22 thuhet se do të marrin pjesë në seancën e KS-it, ku do të shqyrtohet raporti për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i cili ka kërkuar angazhim serioz nga Kosova dhe Serbia në dialogun që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. “Rivendosja e bisedimeve përbën një sinjal të fuqishëm se të dyja palët angazhohen në dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar”, thuhet në raportin për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi