1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund ta zëvendësojë Shqipëria lekun me euro?

29 Shtator 2009

Ndër ekspertët financiar në Shqipëri ka ngjallur diskutim ideja e zëvëndësimit të monedhës kombëtare, lekut, me euron. Kështu u prononcua ditë më parë kryeministri Berisha, ndërsa ekspertët janë të ndarë në mendime.

https://p.dw.com/p/JtZ8
Euro, lekë, dollarëFotografi: AP

Komenti i kryeministrit Sali Berisha, në një veprimtari të guvernatorëve të bankave të rajonit, që u mbajt në Tiranë, kishte të bënte me domosdoshmërinë e zëvëndësimit të lekut me euron. Pa caktuar një afat konkret, kryeministri e përshkroi këtë si të pashmangshme. Sipas tij, kjo nuk do të vlente vetëm për Shqipërinë, por dhe për çdo vend tjetër të rajonit që nuk është anëtar i BE-së. Arësyetimi i kreut të ekzekutivit ishte se vetëm kështu bëhet rezistencë dhe ndaj presioneve që vijnë mbi ekonomitë e rajonit ballkanik.

Albanien Ministerpräsident Sali Berisha
Sali Berisha, së shpjeti do të dorëzohemi - para euros.Fotografi: Mimoza Dhima

“Unë mendoj se shpejt do të jetë dita kur ne duhet të dorëzohemi. S'duhet të vazhdojme betejën me euron, por duhet të përfshihemi në euro. S'na mbetet rrugë tjetër. Vendet e rajonit që janë jashtë BE-së, kanë vetëm 1 përqind të prodhimit të brendshëm të tij. Është e domosdoshme që disa marëdhënie financiare me Bankën Qendrore Europiane duhet të negociohen”, deklaroi kryeministri.


Kushtet duhet të plotësohen

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonimike, dr. Zef Preci, e shikon procesin e kalimit nga leku tek euro, si pjesë të synimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Por kjo bëhet faktike nëse përmbushen disa kushte të zhvillimeve të brendshme ekonomike, thotë ai për DW.

“Vendi duhet të modelojë ato politika makroekonomike, të cilat sigurojnë një funksionim të administratës fiskale, përmbushjen e disa parametrave që kanë të bëjnë me menaxhimin e borxhit publik dhe përgatitjen psikologjike të nevojshme për këtë qëllim”, thotë ai.

Wechselkurs Anzeige in Tirana, Albanien
Kursi i devizaveFotografi: DW / Aida Cama

Dr. Preci kthehet prapa në kohë, rreth një dekadë më pare, kur shtetet anëtare të BE-së hoqën dorë nga monedhat e tyre kombëtare dhe pranuan euron. Fillimisht u panë efekte negative, sidomos tek vendet me rendiment më të ulët ekonomik. Por natyrshëm ato u bënë më atraktive për investimet e huaja, u bënë më të menaxhueshme nga pikëpamja e kontrollit të inflacionit dhe të politikave të bankës qëndrore.

Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria-s Shqipëtare, Gjergj Buxhuku, mendon se për të konkretizuar këtë proces duhet një studim i posaçëm. Për të arritur në përfundimin nëse duhet të bëhet ose jo shndërrimi i monedhës kombëtare në euro. Dhe pas kësaj nëse studimi arrin në konkluzionin se kjo ka levërdi, atëhere ndiqet një strategji e posaçme për procedurat dhe afatet e realizimit të këtij akti.

Shqipëria ende ka nevojë për lekun e saj

Buxhuku thotë për DW-në se Shqipëria ka nevojë ende dhe për shumë vite për monedhën e saj kombëtare, lekun.

Euro in Kosovo
Në Kosovë kaherë paguhet vetëm me euroFotografi: AP

“Sepse Shqipëria ka nevojë që për hir të zhvillimit të saj që të jetë e lirshme në përdorimin e politikave monetare. Për zhvillimin e shpejtë të ekonnomisë kombëtare dhe për zvogëlimin e ndryshimit që ne kemi me vendet e zhvilluara të BE-së. Dhe këtë e bën të mundur pasja në dorë e një monedhe kombëtare.

Sipas Gjergj Buxhukut, duhet patur parasysh dhe një faktor tjetër që tregon realiteti. Se Shqipëria është prekur në mënyrë relative më pak se vendet e tjera nga kriza globale financiare. Dhe një nga arësyet ishte fakti se ishte pikërisht monedha kombëtare, leku, që zbuti në mënyrë të ndjeshme pasojat e krizes ndërkombëtare. Kjo në një mënyrë më të dukshme se vëndet e tjera rreth nesh, që kishin euro në përdorim.

“Aktualisht leku eshte një aset mjaft i çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, i cili duhet menaxhuar me kujdes gjithmonë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare dhe mirëqënies së qytetarëve”, pohon ai.

Ndërsa Zef Preci analizon faktorët se pse vendi nuk është gati për zëvëndësimin e monedhës kombëtare.

“Kjo për shkak të problematikës fiskale që ka, deficitit tregëtar, deficitit të bilancit të pagesave, deficitit fiskal, borxhit të jashtëm, borxhit të brendshëm etj. Pa i sjellë këto parametra në kuota të tilla, siç i standardizon Banka Europiane Qendrore, Shqipëria natyrisht që nuk do të jetë pjesë e zonës së euros”, nënvizon ai.

Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike parashikon një periudhë afatmesme në rreth 5 vjet për të plotësuar kushtet dhe për të nisur seriozisht përpjekjet për futjen e monedhës euro dhe në Shqipëri.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani