1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rohani zgjon shpresat

Ahadi Shahram/Angelina Verbica31 Korrik 2013

Në fillim të gushtit do të marrë detyrën presidenti i ri i Iranit, Hassan Rohani. Pritjet nga kleriku i moderuar janë të mëdha. Por Rohani para sfidave të mëdha - brenda dhe jashtë vendit.

https://p.dw.com/p/19Has
Fotografi: imago/UPI Photo

Lista është e gjatë: lëvizje në konfliktin bërthamor, lehtësim i sanksioneve, luftim i krizës ekonomike, respektim i të drejtave të njeriut dhe lehtësim i censurës. Këto janë vetëm disa nga temat në axhendën e presidentit të ri iranian Hasan Rohani. Me të lidhen shpresa dhe pritje për ndryshime brenda dhe jashtë vendit. Ato nuk janë të pabaza. "Irani ka nisur një kapitull të ri moderimi", ky ishte mesazhi i parë, që i moderuari Rohani i dërgoi bashkësisë ndërkombëtare në konferencën e tij të parë për shtyp pas fitores së zgjedhjeve, më 14 Qershor.

Shpresa për një stil më racional

Sidomos në konfliktin bërthamor me perëndimin kleriku 64-vjeçar premton më shumë transparencë. Rohani thekson se nga këndvështrimi i tij ka vetëm një zgjidhje diplomatike për këtë çështje. Në fakt shanset për një dialog racional me Rohanin janë bërë më të mëdha, thotë Rolf Mützenich, zëdhënësi i politikës së jashtme i grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestag. Fakt është se perëndimi ka të bëjë tani me një president, i cili nga vitet 2003-2005 ka qenë vetë kryenegociator në bisedimet bërthamore dhe i njeh procedurat diplomatike. "Gjermania mund të presë nga presidenti i ri iranian së pari moderim dhe një stil më të mirë, si dhe aftësinë për të shfrytëzuar shanset. Kjo vlen të thuhet edhe për konfliktin bërthamor", tha Walter Posch, ekspert i Iranit në fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin, në një intervistë me DW.

Ali Khamenei dhe Hassan Rohani njihen prej kohësh
Ali Khamenei dhe Hassan Rohani njihen prej kohëshFotografi: Tasnim

Shansi i fundit i Iranit?

Ashtu si paraardhësi i tij Ahmedinexhad, edhe presidenti i zgjedhur Rohani e konsideron legjitim programin e diskutueshëm bërthamor dhe dëshiron të vazhdojë pasurimin e uraniumit. Sipas Posch iranianët nën drejtimin e Rohanit si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Sigurimit kanë bërë me të vërtetë hapa të rëndësishëm në fushën e teknologjisë bërthamore, nga të cilat ai nuk do që të heqë dorë.

Megjithatë një lehtësim i sanksioneve masive kundër Iranit pa kompromise në negociatat bërthamore do të jetë i vështirë. Nga perspektiva e ekspertit të Iranit Posch ky është shansi i fundit për Teheranin për të parandaluar izolimin total të vendit dhe një bllokadë të plotë ekonomike. Por ka edhe zëra, të cilët presin sinjale më pozitive nga perëndimi, si për shembull zëdhënësi i të Gjelbërve për politikën e sigurisë në Bundestag, Omid Nuripour, në një intervistë me DW: "Ne themi gjithë kohës, se i duhemi qasur problemit me një paketë stimujsh dhe me presion. Vetëm se këta stimuj nuk ekzistojnë më. Dhe do të ishte shumë mirë, sikur amerikanët të thonin se ne tani duam bisedime të drejtpërdrejta me Iranin në nivel më të lartë."

Asgjë nuk bëhet pa Khamenein

Por në llogaritë e tij Rohani duhet të marrë parasysh një instancë konstante të lartë: Ayatollah Ali Khamenein, udhëheqësin shpirtëror të vendit. Në fjalimin e tij të parë zyrtar televiziv presidenti i zgjedhur tha se politika e jashtme zhvillohet, "duke marrë parasysh të gjitha të drejtat e kombit" dhe sipas udhëzimeve të udhëheqësit shpirtëror. Khamenei është shprehur deri tani kundër bisedimeve direkte me SHBA dhe në çështjet e politikës së jashtme si çështja bërthamore, ai ka ndjekur një linjë të ashpër. Megjithatë pasojat shkatërrimtare të sanksioneve kundër Iranit, lufta për pushtet midis forcave konservatore dhe konflikti me ish-presidentin Ahmadinexhad nuk kanë kaluar pa lënë shenjë tek Khamenei. Jo pak ekspertë e vlerësojnë zgjedhjen e Rohanit si një shenjë të rritjes së gatishmërisë për kompromis të Khameneit.

Do të tregojë shenja kompromisi Irani për programin atomik?
Do të tregojë shenja kompromisi Irani për programin atomik?Fotografi: Reuters

"Khamenei ka arritur atë, për të cilën punon që nga janari 2010", thotë me bindje eksperti Walter Posch dhe ky është paqëtimi i konflikteve në politikën e brendshme. Marrëdhënia e Rohanit me Khamenein nuk është e ngarkuar, të dy i lidh një bashkëpunim shumëvjeçar. "Khamenei e vlerëson Rohanin, i cili në radhë të parë është teknokrat", thotë Posch, "dhe kjo e qetëson atë në lidhje me eksperimentet demokratike, për të cilat kurrë nuk dihet se ku përfundojnë."

Por jo vetëm në çështjen e programit atomik, por edhe në konfliktin e Sirisë perëndimi shpreson të marrë sinjale pozitive nga Teherani. Pjesëmarrja e iranianëve në konferencën e dytë ndërkombëtare për Sirinë, e planifikuar të mbahet në Gjenevë, duket se është bërë më e mundshme me zgjedhjen e Rohanit. "Nëse ne e përshkruajmë Iranin si njërin nga aktorët e jashtëm të konfliktit të Sirisë, atëherë duhet që ta përfshijmë atë në zgjidhjen e këtij konflikti", thotë eksperti socialdemokrat për politikën e Jashtme, Rolf Mützenich.

Të drejtat e njeriut dhe kriza ekonomike

Edhe në politikën e jashtme Rohani ndodhet para sfidave të mëdha. Vitet e fundit Irani ka tërhequr vemendjen jo vetëm në grindjen bërthamore, por edhe për shkak të shkeljes të të drejtave të njeriut, të dukshme në shumë raporte kritike nga OKB dhe organizata të ndryshme të të drejtave të njeriut. Në premtimet elektorale të Rohanit bëjnë pjesë ndër të tjera lirimi i të burgosurve politikë, lehtësimi i censurës, dhe survejimit të shoqërisë nga policia e e ruajtjes së moralit dhe zgjerimi i të drejtave të gruas.

Deri më tani Irani nuk ndryshon pozicion: ai do të vazhdojë pasurimin e uranit
Deri më tani Irani nuk ndryshon pozicion: ai do të vazhdojë pasurimin e uranitFotografi: picture-alliance/dpa

Omid Nouripour, zëdhënës i politikës së sigurisë të të Gjelbërve në parlamentin gjerman, druhet se Rohani do t'u japë njerëzve disa pak liri personale, por temat me të vërtetë të ndjeshme do t'i anashkalojë. Tani varet se sa shpejt do të lirohen njerëzit, që janë arrestuar vitet e fundit, thotë Nouripour: "Kjo fillon me prominentët si Nasrin Sotoudeh dhe sigurisht edhe me kandidatin e dikurshëm Musaui. Ky është testi i parë i vertetë për Rohanin dhe premtimet e tij elektorale."

Sfida më e madhe, me të cilën duhet të përballet Rohani, mbetet gjendja katastrofale ekonomike në Iran. Në prag të marrjes së detyrës ai njoftoi se do të paraqesë një "analizë realiste dhe të saktë" të problemeve ekonomike në 100 ditët e para të detyrës dhe do të prezantojë zgjidhje dhe qasje për menaxhimin e krizave. Lehtësimi i sanksioneve nga një progres i mundshëm në konfliktin bërthamor mund t'i krijojë pak lehtësi ekonomisë iraniane. Jo pak probleme janë shkaktuar nga keqadministrimi dhe keqmenaxhimi i qeverisë së mëparshme të Ahmadinexhadit. "Vendi ka probleme shumë të mëdha të shkaktuara brenda vendit", thotë eksperti Walter Posch, por ai është optimist për të ardhmen. "Rohani si dikush, që mund të merret vesh me të gjitha kampet politike, është me siguri njeriu i duhur."