1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210411 25 Jahre Tschernobyl

26 Prill 2011

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Fukushimën apo për Çernobilin: ndotja radioaktive nuk ndalon para kufijve të shteteve. Por a ekzistojnë për katastrofat atomike institucione të përshtatshme globale?

https://p.dw.com/p/113jj
Reaktor 4 në Çernobil
Reaktor 4 në ÇernobilFotografi: DW

550 milionë euro premtuan shtete nga e gjithë bota për ta përmirësuar sarkofagun 25 vjeçar të betonit mbi Çernobil. Sepse 25 vjet pas katastrofës, reaktori i dëmtuar në Ukrainë tregon gjithnjë e më shumë të çara. Del radioaktivitet, rrezatimi është 100 herë më i lartë se kuota normale, thotë eksperti i Greenpeace, Heinz Smital:

"Ky rrezatim nuk vjen nga toka, por direkt nga reaktori, duke depërtuar betonin prej disa metrash."

Trashëgimia rrezatuese e Çernobilit do të mbetet për shumë breza të ardhshëm një problem i bashkësisë ndërkombëtare- njësoj si pasojat e katastrofës së Fukushimës, të cilat ende nuk mund të vlerësohen tamam. Në konferencën e donatorëve të organizuar para pak kohësh në Kiev, qeveria ukrainase u përpoq që të mbledhë para për programin prej 1,5 miliardë euro të sigurisë për rajonin përreth Çernobilit. Por Japonia mbajti qendrim refuzues. Shumë të mëdha dhe të paparashikueshme janë shpenzimet për katastrofën aktuale japoneze, sa nuk është e mundur që të bëhen premtime për Çernobilin. Vende të tjera si Irlanda, Spanja dhe Kanadaja tërheqin vëmendjen për situatën e tyre ekonomike dhe nuk duan të bëjnë premtime financiare. Një instancë ndërkombëtare, e cila të mund të kërkonte kontribute për kufizimin e dëmit nuk ekziston.

Reaktori 4 me sarkofagun e vjetër
Reaktori 4 me sarkofagun e vjetërFotografi: picture alliance/PHOTOPQR/L'ALSACE

Masat konkrete të sigurisë mbeten punë e shteteve të veçanta - dhe këtu IAEA, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bërthamore nuk ka ndikim. Kështu shprehet Wolfram Tonhauser, drejtor i departamentit të së drejtës bërthamore dhe ndërkombëtare tek Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore:

"Nuk duhet harruar, që tema e sigurisë bërthamore deri tani trajtohej në bazë të parimit, se është një çështje nacionale, dhe se përvoja për sigurinë bërthamore ndodhet te secili shtet, jo te një organizatë ndërkombëtare. Dhe në fakt, të gjitha traktatet dhe konventat për sigurinë bërthamore bazohen mbi këtë premisë."

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, IAEA, në bazë të statutit të saj ekziston për të nxitur përdorimin e energjisë bërthamore. Në raste si Çernobili dhe Fukushima, edhe agjencia është e varur nga informacione të autoriteteve nacionale. Çështja e financimit të zhdëmtimit dhe e shpenzimeve pasuese është një histori më vete. Në Kiev, ku u zhvillua këto ditë konferenca e donatorëve për Çernobilin, vërtet u premtuan 550 milionë euro- kryesisht nga shtetet e G-8-ës. Por këto para ende nuk duken në xhirollogari- dhe vetëm ndërtimi i sarkofagut të ri për gërmadhën 25 vjeçare atomike kushton mbi një miliardë euro.

Autor: Helle Jeppessen/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica