1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po bie atraktiviteti i Bashkimit Evropian në Serbi?

5 Tetor 2011

11 vjet pas ndryshimeve demokratike dhe pak para një përgjigjeje përfundimtare në lidhje me kandidaturën për anëtarësim në BE, euroskepticizmi në Serbi nuk ka qenë kurrë më i madh. Cilat janë arsyet kryesore për këtë?

https://p.dw.com/p/12mYU
Nga parada e homoseksualëve në Beograd në tetor 2010
Nga parada e homoseksualëve në Beograd në tetor 2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Ka disa arsye, që bie mbështetja për integrimet evropiane në Serbi, thekson për Deutsche Welle-n Nikola Jovanoviç, redaktor i periodikut "Sfidat e integrimeve evropiane" dhe drejtor i programit të Qendrës për Politikë të Re. Një nga kryesoret është ngadalësimi i avancimit të Serbisë në këtë proces dhe shenjat se ajo nuk do të marrë një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, thotë Jovanoviç:


"Arsyeja tjetër është se po intensifikohen kushtëzimet si biletarale, ashtu edhe multilaterale, gjë që është deri diku logjike. Por është gjithashtu logjike edhe që njerëzit këtë e perceptojnë si të padrejtë, apo kontraproduktive. Arsyeja e fundit mund të jetë edhe problemi shqetësues politik, që qytetarët shpesh e identifikojnë me integrimin evropian, sepse këto agjenda kohët e fundit edhe koincidojnë dhe këtu kam parasysh natyrisht problemin e Kosovës, dhe krizën e tanishme në veri të Kosovës."

Pritje të mëdha nga BE

Nëse analizohen arsyet për rënien e mbështjes për hyrjen në BE, del se shoqëria serbe tani është shumë më realiste, kur është fjala për këtë proces, thotë Maja Stojanoviç, e Iniciativës Qytetare. Kjo për mendimin tim është gjë pozitive dhe e mirë, thotë Maja Stojanoviç.

Parlamenti Evropian në Bruksel
Parlamenti Evropian në BrukselFotografi: AP

"Ne prej vitesh ushqejmë shpresa të mëdha te BE, që bazohen te standardi më i mirë, te disa gjëra, që janë shumë imagjinare, të cilat ndoshta nuk janë në përputhje me realitetin dhe me atë, që ne me të vërtetë mund të presim nga BE-ja. Nga njëra anë është gjë e mirë, që njerëzit të mendojnë pak më shumë çfarë është BE, për atë që ne të gjithë duhet të bëjmë për të hyrë në BE dhe cilat janë standardet, që duhet të arrijmë për të qenë me të vertetë pjesë e BE-së."

BE-ja justifikim për gjithçka

Nga ana tjetër problem janë edhe politikanët në vend, vlerëson Maja Stojanoviç e Iniciativës Qytetare. Sa më shumë afrohen zgjedhjet, politikanët gjithçka që nuk është popullore, apo më pak popullore, e justifikojnë me BE-në. Në vend të kësaj politikanët duhet të shpjegojnë se përse fusim disa rregulla dhe ligje, pse ne duhet të kemi paradë të homoseksualëve, dhe pse kemi nevojë të mbështesim disa vlera evropiane, thotë Maja Stojanoviç.

Anulimi, apo ndalimi praktik i paradës së krenarisë ka kontribuar gjithashtu në largimin nga Brukseli, i cili sipas fjalëve të politikanëve serbë ka këmbëngulur, që ajo të mbahet. Nikola Jovanoviç thotë se midis Brukselit dhe Beogradit në përgjithësi ekzsiton një shkallë e lartë mosbesimi. Kjo është arsyeja, pse disa incidente të izoluara, apo mosmarrëveshje shpesh shkojnë përtej përmasave, që ato meritojnë.

"Unë mendoj se gjëja kryesore është se në Serbi, dhe kjo duhet verifikuar gjithmonë, nuk ka rrezikim të ndonjë pakice, duke përfshirë edhe seksualët. Parada e krenarisë është shtyrë për shkak të arsyeve të sigurisë, dhe për shkak të situatës specifike, në të cilën Serbia në këtë moment nuk është përgjegjësja më e madhe, thotë Jovanoviç:

"Megjithatë, pikërisht kjo mungesë besimi tërheq automatikisht supozimin se janë kërcënuar të drejtat e dikujt. Prandaj duhet punuar vazhdimisht dhe seriozisht për të vendosur mirëkuptimin dhe besimin e përhershëm midis BE-së dhe Serbisë.”

Bisedimet për Kosovën në nivel më të lartë

Kosova është prej kohësh problem në marrëdhëniet në mes Serbisë dhe BE-së, por ajo tani kalon në plan të parë, vë në dukje Nikola Jovanoviç. Ka edhe rrugë politike dhe ligjore për të kapërcyer problemin. Mendoj se do të jetë mirë që Serbia të marrë disa shenja të sigurta, që e ka të garantuar të ardhmen evropiane, dhe duhet të fillojë negociatat për Kosovën në nivel më të lartë se sa dialogu teknik, thotë Jovanoviç.

Autor: Ivica Petrović/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj