1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika: Udhëtojnë refugjatët për pushime në atdheun e tyre?

12 Shtator 2017

Media gjermane ka raportuar se refugjatët kanë kaluar pushimet në vendet prej të cilave ata i kanë ikur përndjekjes. Sa shpesh ka ndodhur kjo dhe cilat janë pasojat për refugjatët që e bëjnë këtë?

https://p.dw.com/p/2jlDw
Flüchtlinge verbringen ihren Urlaub in der Heimat
Fluechtlinge verbringen ihren Urlaub in der Heimat
Fotografi: DW/C. Chebbi

Gazeta gjermane Welt citoi në 27 gusht median lokale, me lajmin se Zyra për të Huajt e landit të Baden Vyrttembergut ka dokumentuar raste të 100 refugjatëve, të cilët kanë shkuar në vendet e tyre të origjinës, disa prej tyre disa herë. Dhe kanë mundur të ruajnë mbrojtjen e tyre si azilkërkues. Media gjermane e bazon këtë në një vëzhgim të Ministrisë së Brendshme Gjermane. Sipas tij, refugjatët shkojnë për biznes ose për të vizituar familjet e tyre në vendet prej nga vijnë. 

Karim al-Wasiti, një anëtar i këshillit të refugjatëve në Saksoninë e Poshtme i tha InfoMigrants se "rishikimi i dosjeve të refugjatëve është një çështje kohe. Për aq kohë sa emigrantët nuk kanë marrë ende nënshtetësi gjermane, autoritetet mund të rishqyrtojnë rastin e tyre." Në vitin 2016, autoritetet e azilit rishikuan dosjet e 842 refugjatëve irakianë dhe u morën 630 vendime. Në 26 raste u hoq statusi i azilit.

Në të njëjtën vit u rishqyrtuan 782 raste siriane dhe u morën 317 vendime. Në një rast u hoq statusi i azilit në bazë të Kushtetutës Gjermane dhe 41 vetëve ju hoq statusi i refugjatit mbi bazën e Konventës së Gjenevës të vitit 1951. Neni 73 i Ligjit për Azilin rregullon shkaqet dhe mekanizmat për heqjen e azilit. Një nga shkaqet për rishikimin e dosjeve të azilit është ndryshimi i situatës së sigurisë dhe politike në vendin prej të cilit vijnë refugjatët.

Si funksionon ligji?

Refugjatët që kanë kaluar pushimet në vendet e origjinës shumicën e herëve kanë qenë nga Iraku dhe Siria, citoi gazeta gjermane Welt një zëdhënës. Zëdhënësi tha se duhen pritur "shifra të larta të padeklaruara" për raste të tilla. Wasti e kundërshtoi këtë dhe tha se "rastet inviduale janë shumë të kufizuara dhe nuk mund të flasim për një fenomen."

Megjithatë, ky proces nuk ndodh brenda natës. "Refugjati ofron arsyen për vizitën në vendin prej ku ka marrë arratinë dhe në bazë të përgjigjeve të refugjatit, Zyra Federale për Migrimin dhe Azilin vendos ose ta mbyllë rastin ose të heqë azilin."

Edhe në një rast kur hiqet azili, puna nuk merr fund, sepse refugjati mund ta çojë gjithmonë rastin në Gjykatën e Apelit. "Përpara deportimit të refugjatit, Zyra e Migrimit dhe të Huajve duhet të mbajë parasysh një sërë faktorësh, si për shembull gjatësinë e qendrimit në Gjermani dhe nivelin e integrimit të tyre në vend," tha Wasti.

Një zëdhënëse e Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatëve theksoi se udhëtimi në vendin e tij "mund të jetë evidencë se refugjati nuk po persekutohet." Ky është një justifikim ligjor për heqjen e azilit. Megjithatë, zëdhënwsja tha se raste humanitare dhe raste të veçanta mbahen parasysh. "Qendrim i përkohshëm në vendin e origjinës mund të kuptohet në raste të veçanta si raste sëmundjeje ose vdekje e një të afërmi." 

 

ad(dpa, dw)