1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abstenuesit e votimeve

Arne Lichtenberg / Lindita Arapi24 Qershor 2013

Dihen që tani fituesit e zgjedhjeve parlamentare të Bundestagut që zhvillohen në Shtator: Ata janë forca abstenuese! Në këtë përfundim del një studim i fondacionit gjerman Friedrich Ebert.

https://p.dw.com/p/18uyx
Fotografi: picture-alliance/dpa/Frank May

"Abstenuesit - forca kryesore politike?", "Votuesit shkojnë me pushime", "Abstenuesit e zgjedhjeve vendosin pikëpyetje mbi demokracinë". Këto janë titujt kryesorë të një studimi të fondacionit "Friedrich Ebert" dhe të studiuesit të së ardhmes, Horst Opaschowski, të cilat hedhin hije mbi zgjedhjet që do të mbahen në Gjermani në Shtator. Kështu në bazë të prognozave të studiuesit, partia e abstenuesve është partia më e fortë në zgjedhjet e 22 Shtatorit.

Që nga vitet 70-të numri i atyre që nuk shkojnë të votojnë është trefishuar. Por në rast se në vitin 1973 vetëm 10% e votuesve refuzonin të vinin kryqin në fletën e votimit, në zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani gati 30% e njerëzve me të drejtë vote abstenuan në zgjedhje. Në zgjedhjet e fundit lokale dhe të landit madje kjo shifër ishte edhe më e lartë. Në Hamburg, Renani Veriore-Vestfali dhe Meklenburg-Pomerani 40% e votuesve i injoruan votimet, ndërsa në Shlesvig-Holshtajn kjo shifër ishte gati 50%.

Rënie drastike e besimit tek politika

"Pakënaqësia e zgjedhësve është rritur ndjeshëm në Gjermani", konkludon studiuesi Opaschowski. Shumica e politikanëve "nuk janë të ndershëm dhe të besueshëm". Nga ana tjetër partitë janë të interesuara "më shumë për ruajtjen e pushtetit se sa për të mirën e qytetarëve" dhe politikanët "më shumë për vetëinskenime se sa për përmbajtje politike". Studiuesi arrin në këtë përfundim pas një sondazhi të kryer mes 1000 personave nga mosha 14-vjeç.

Në foto, Horst W. Opaschowski
Në foto, Horst W. OpaschowskiFotografi: picture-alliance/dpa

Në studimin "Abstenuesit e zgjedhjeve në Gjermani" të fondacionit Friedrich Ebert ku janë pyetur rreth 3.500 vetë, shumica e të anketuarve e argumentojnë abstenimin e tyre me pakënaqësinë e madhe me zhvillimet politike. Arsye të tjera luajnë rol dytësor, shpjegon Dietmar Molthagen, drejtues i studimeve sociale empirike në këtë fondacion. "Në një kuptim ky është një lajm i mirë, sepse përmes ndryshimit të ofertës politike, votuesit mund të rifitohen".

Më të varfërit humbasin përfaqësimin

Politikanë dhe qytetarët po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri, thekson Opaschowski. "Të dyja palët jetojnë në dy botë të ndryshme". Shumë parti vetëizolohen qëllimisht. Por është e gabuar të mendosh se vetëm të rinjtë nuk shkojnë të votojnë. "Abstenuesit gjenden në çdo kategori moshe", thotë Molthagen. "Tek abstenuesit gjenden edhe shumë të moshuar." Ajo që bie në sy tek studimi i fondacionit Friedrich Ebert është se shumica e abstenuesve vijnë nga shtresat e dobta sociale. "Kjo shënon prishjen e ekuilibrit tek rezultati zgjedhor", shprehet Molthagen. "Po qe se grupe të caktuara i thonë lamtumirë votimeve, atëherë as interesat e tyre nuk janë të përfaqësuara."

Rintegrimi i të rinjve

Edhe sociologu Klaus Hurrelmann pohon se ka një tendencë abstenimi tek të rinjtë. Kush ka pak para dhe arsim nuk ndjehet më pjesë e shoqërisë dhe nuk beson se politika do të ndryshojë diçka në fatin e tij. Pasoja: Refuzim i kutisë zgjedhore. Më shumë arsim, informim politik dhe aktivitizim do të ndihmonin në këtë çështje. "Përvoja të mirë kemi pasur me kombinimin e votimeve provë për fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 18-vjeç bashkë me lëndën politike në mësimdhënie", shprehet Hurrelmann. Edhe këtë vit, nëntë ditë para zgjedhjeve parlamentare do të zhvillohet sërish një votim i tillë prove.

Në foto, Klaus Hurrelmann
Në foto, Klaus HurrelmannFotografi: picture alliance/ZB

Në plan afatgjatë veçse një numër i madh abstenuesish mund të kthehet në problem për demokracinë. Dietman Molthagen nga fondacioni Friedrich Ebert sheh probleme në uljen e legjitimitetit demokratik të pushtetmbajtësve. "Po qe se arrijmë në gjendjen që vetëm çdo i dyti shkon votime, atëherë vetëm 13-14% e votuesve e votojnë një parti". Një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje mund ta gërryejë me ngadalë përbrenda demokracinë, thotë ai. "Nga kjo nuk përjashtohet që partitë populiste të fitojnë zgjedhësit e zhgënjyer. Po të shohësh përreth Gjermanisë në disa vende ato ia kanë dalë."

Megjitatë të dy studiuesit, Hurrelmann dhe Opaschowski nuk duan të shkojnë kaq larg. "Një rrezik i tillë nuk ekziston. Njerëzit sot veprojnë spontanisht. Ata nuk duan të fiksohen diku", thotë Opaschowski.