1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ajatollah Ali Khameni i kërkon Këshillit të Mbikqyrësve të verifikojë akuzat për parregullsi ose manipulime në zgjedhjet në Iran

15 Qershor 2009

Në Teheran, gjatë një demonstrate masive ka pasur edhe të shtëna. Agjencia e lajmeve AP njofton, se si pasojë ka të paktën një të vdekur.

https://p.dw.com/p/IA5z
Irani voton
Irani votonFotografi: AP

Pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në Iran udhëheqësi më i lartë i vendit ajatollah Ali Khameni ka kërkuar nga Këshilli i Mbikqyrësve të verifikojë akuzat, sipas të cilave në zgjedhje ka pasur për parregullsi ose manipulime.

Ajatollah Ali Khameni
Ajatollah Ali KhameniFotografi: dpa/PA

Khameni, i cili ka fjalën e fundit në çdo çështje në këtë vend, i bëri njëkohësisht thirrje reformatorit dhe humbësit të zgjedhësve, Mir Husein Musavi, t'i paraqesë kundërshtimet e tij në rrugë ligjore dhe t'i zgjidhë gjërat në qetësi. Sipas një njoftimi të agjencisë iraniane të lajmeve ISNA Musavi-së do t'i jepet nesër mundësi për t'i paraqitur akuzat e tij për manipulime zgjedhore para Këshillit kompetent të Mbikqyrësve.

Për shkak të gjendjes së tendosur në Teheran Musavi e anuloi mitingun e protestës të planifikuar për sot. Edhe Ministria e Brendshme e ka ndaluar këtë veprimtari. Megjithatë në Teheran pati protesta kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Në rrugët e Teheranit kanë zënë pozicion forca të mëdha sigurie.

Kancelarja Merkel dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga Irani sqarimin e rrethanave të rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Kancelarja u tregua në të njëjtën kohë e shqetësuar për arsye të valës së arrestimeve. Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje Iranit për informacion të saktë mbi rrethanat e zgjedhjeve dhe për veprimet e dhunshme kundër demonstruesve.

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, tha në televizionin gjerman se "sjellja brutale" e policisë kundër demonstruesve dhe gazetarëve të huaj është krejtësisht e papranueshme. "Autoritetet e sigurisë, janë sjellë në mënyrë brutale me demonstruesit, kjo është krejtësisht e papranueshme. Dhe krejt e papranueshme është trajtimi i mediave, ndalim qarkullimi, si dhe kufizime të tjera për shtypin dhe gazetarët që ndodhen në Iran. Këto janë mënyra që ne jo vetëm duhet t'i kritikojmë, por edhe duhet të presim që ato të ndërpriten," tha Steinmeier. Ambasadori iranian në Berlin u thirr pasdite në Ministrinë e Jashtme.

ARD dhe ZDF, kanali i parë dhe i dytë i televizionit publik gjerman, janë ankuar pranë ambasadorit iranian në Berlin për kufizime të mëdha të gazetarëve të tyre që raportonin për zgjedhjet.

Autor: Aida Cama
Redaktoi: Pandeli Pani