1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ajo që ndodh tani në Mitrovicë është serioze

Angjelina Verbica18 Mars 2008

Shtypi gjerman mbi trazirat e djeshme në Mitrovicë

https://p.dw.com/p/DQk1
Policia ndërkombëtare në Mitrovicë
Policia ndërkombëtare në MitrovicëFotografi: AP

"Flensburger Tageblatt"

Çelësi për paqen ndodhet në Beograd. Nuk duhet shumë fantazi për të përfytyruar, që trazirat në Mitrovicë drejtohen nga Serbia. Në maj aty zgjidhet një parlament i ri. Kursi i ashpër në çështjen e Kosovës është i përbashkët për të gjitha partitë politike. Pas zgjedhjeve, kur të jetë sqaruar me nö fund raporti i forcave, BE duhet t´i drejtohet Beogradit. Ndoshta atëherë bashkësia e shteteve nuk e shmang dot, të pranojë një ndarje të Kosovës. Me qëllim që pjesa tjetër e Kosovës të bëhet një shtet i vertetë.

"Dresdner Neue Nachrichten"

Pushtimi me dhunë i ndërtesës së gjykatës në Mitrovicë tregon se politika e një Serbie e Beogradit është më tepër se një kërkesë verbale. Serbia kërkon siç duket kontrollin e atyre territoreve në Kosovë, ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë. Sigurisht mjetet me të cilat kjo bëhet nuk janë të pranueshme. Nqs NATO dhe UNMIK-u u lejojnë të veprojnë atyre, që ushtrojnë dhunë, atëherë deri te shpërthimi tjetër do të ishte çështje kohe. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ky do të ishte një sinjal i gabuar. Sidoqoftë edhe zbatimi strikt i politikës të pavarësisë së kryer një herë nga Brukseli nuk e zhduk nga faqja e dheut moralin e dyfishtë: Kosovarët marrin atë nga e cila privohen tibetianët.

Frankfurter Rundschau

Ajo që ndodh tani në Mitrovicë është serioze. Beogradi me pushtimin e ndërtesës së gjykatës ka bërë të qartë, se së paku në zonat e banuara nga serbët do seriozisht kontrollin. Nqs ia del mbanë Kosova mbetet në vazhdimësi një vend i ndarë. Deri në zgjedhjet e reja të majit Beogradi nuk do të ketë interes për një marrëveshje të vlefshme. Sa më shumë trazira aq më mirë për kryeministrin me orientim nacionalist, Kostunica. Anketimet në Serbi sinjalizojnë megjithatë se proevropianët përreth presidentit Tadiç kanë një shans të vertetë në zgjedhje. Kjo perspektivë mund ta gënjente Evropën dhe misionin e OKB-së, që të heshtete në javët e ardhshme dhe ta linte Beogradin një herë të vepronte në Kosovë. Kjo do të ishte gabim, do t´u sugjeronte votuesve, se nga Evropa merr sa më shumë, sa më shumë të kërkosh.Tamam si do të bëjë Kostunica të besojnë.