1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervista

Fabian Schmidt11 Janar 2008

Maqedonia duhej të kualifikohej njëherë për në BE, pastaj për Shengenin. Vetëm atëherë mund të kërkoheshin vizat, shprehet Prof. Hajnc Jyrgen Akst nga universiteti i Duisburgut.

https://p.dw.com/p/CoIG
Fotografi: dpa

Prof. Hajnc Jyrgen Akst (Heinz Jürgen Axt), drejton katedrën për integrimin e politikën evropiane në universitetin e Duisburgut.

DW: A është e nevojshme për Maqedoninë të vendosë një sistem vizash me Shqipërinë, megjithëse shenjat janë se po reflektohet për vendimin e fillim-vitit?

Akst: Nuk ka asnjë arsye për ngutje që Maqedonia të fusë sistemin e vizave me Shqipërinë. Maqedonia as nuk ka filluar negociatat e anëtarësimit me BE-në. Kjo të çudit. Nga ana e Maqesonisë ky hap mund të kuptohet vetëm si dëshirë për të rënë në sy për mirë tek BE-ja për të përshpejtuar fillimin e negociatave të anëtarësimit.

DW: Le të marrim rastin e Polonisë. Polonia ka pasur një sistem mjaft liberal vizash me Ukrainën. Para dy vjetësh Polonia duhej të shtrëngonte politikën e vizave dhe në kuadër të hapave drejt Shengenit, të mbyllte kufijtë me Ukrainën, pra të kërkonte vizë. Megjithatë u gjendën zgjidhje për të lehtësuar atje lëvizjen në rajonet kufitare. Do të ishte një zgjidhje që Shqipëria të vazhdojë sistemin e vizave me BEnë, por me një shtet si Maqedonia, të gjejë një zgjidhje bilaterale, për të mos vendosur sistem vizash deri në Shengen?

Akst: "Maqedonia nuk është aspak e detyruar të vendosë vizat me Shqipërinë. Vlen ajo që vetëm para futjes në zonën e Shengenit, siç bëri Polonia, fillon e vendoset ky sistem. Shtetet që futen në këtë zonë duhet të jenë të përgatitura. Por hapi i parë është fillimisht futja e sukseshme në BE. Pas kësaj vjen hapi tjetër futja në zonën e Shengenit. Kësaj i paraprin një fazë përgatitore, pra aftësimi në ruajtjen e kufijve sipas rregullave të përbashkëta të Shengenit,, plotësimi i kushteve teknike, funksionimi i sistemi të informimit.Por tani nuk është momenti. Maqedonia duhet të anëtarësohej njëherë në Bashkimin Evropian, dhe ndoshta pesë vjet më vonë mund të bëhej fjalë për futjen në Shengen. E çuditshme që Maqedonia e ndjek që tani një qëllim të tillë.

DW: Pra edhe po qe se Maqedonia është pjesë e BE-së një ditë dhe Shqipëria jo, sistemi i vizave do të ishte i nevojshëm atëherë kur të bëhej fjalë për Shengenin?

Akst: Po, Maqedonia duhej të kualifikohej për dy proceset, për anëtarësimin në BE, dhe sipas përvojës që kemi, menjëherë pas futjes në BE nuk do të ishte pjesëtar i zonës Shengen. Këstu pra në bazë të rregullave bilaterale të vendosura mes dy shteteve, një qytetar shqiptar mund të kishte nevojë për vizë në Maqedoni ose jo. Në rast të tillë Liria e vizës mund të mbahej deri para kualifikimit për në zonën Shengen.