1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akt frikacak ekstremistësh të etur për vrasje - Benazir Buto bie viktimë e një atentati

Pandeli Pani27 Dhjetor 2007

Vrasja e lideres së opozitës në mes të fushatës elektorale është një humbje e madhe për Pakistanin dhe dëshmi se sa e brishtë është demokracia në këtë vend.

https://p.dw.com/p/Ch3E
Benazir ButoFotografi: picture-alliance/ dpa

Udhëheqësja e opozites ne Pakistan, Benazir Buto gjeti vdekjen prej një atentati gjatë një manifestimi elektoral ne Ravalpindi. Rrethanat e atentatit janë ende të paqarta, por sipas të dhënave paraprake atentatori vetëvrasës kishte hedhur veten në erë pak minuta pasi Benazir Buto kishte përfunduar fjalimin përpara pasuesve të saj.

Pakistanische Oppositionsführerin Benazir Bhutto bei Wahlkampfveranstaltung in Rawalpindi getötet
Pamje nga vendi i ngjarjes në RavalpindiFotografi: AP

Dëshmitarët okularë dhe reporterët që ishin në vendin e ngjarjes thanë se shpërthimi kishte qenë i fuqishëm dhe se në vendin e ngjarjes shiheshin gjithë andej gjymtyrë trupash pa jetë.

Ky atentant e tronditi Pakistanin në mes të fushatës elektorale. Shabaz Sharifi, vëllai i ish-kryeministrit Navaz Sharif, tha në një reagim për BBC World:

"Në Pakstan u vra sot një lidere me famë ndërkombëtare. Kjo është një humbje e madhe. Mendoj se Pakistani gjatë orëve, ditëve dhe javëve të ardhshme do të gjendet para problemesh shumë serioze. Zoti e di se si do të jemi në gjendje që t'i kontrrollojmë ato. Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme që duhet bërë urgjentisht është sqarimi në mënyrë krejtësisht trasparente dhe të pavarur i shkaqeve të vrasjes dhe i autorëve të saj."

SHBA, Franca dhe Rusia dënojnë atentatin ndaj Butos

Presidenti amerikan George W. Bush e dënoi me fjalë të ashpra atentatin ndaj udhëheqëses së opozitës pakistaneze, Benazir Buto: „SHBA e dënojnë këtë akt frikacak të ekstremistëve të etur për vrasje, i cili kishte për qëllim të varroste demokracinë në Pakistan." - tha Bushi. Presidenti Bush kërkoi që personat përgjegjës për atentatin të nxirren përpara drejtësisë.

Edhe qeveria ruse e dënoi ashpër atentatin ndaj Benazir Butos. Zëdhënësi i MPJ ruse, Mihail Kaminin tha se qeveria ruse shpreson, se udhëheqja e Pakistanit do t'ia dalë mbanë të garantojë sigurinë në vend. Duke e dënuar këtë akt të ulët MPJ francez, Bernard Kushner, i shprehu ngushëllimet familjes së Benazir Butos dhe të viktimave të tjera dhe theksoi se ajo ishte një figurë e mirënjohur e jetës politike në Pakistan.

Ish-kryeministri pakistanez Navaz Sharif e quajti vrasjen e Butos një ngjarje tragjike për të gjithë kombin dhe u premtoi pasuesve të Butos të mbledhur në spitalin e Ravalpindit se do ta vazhdojë luftën e saj. Sharif tha se e ndan dhimbjen me të gjithë kombin.

Sipas të dhënave të televizionit shtetëror të Pakistanit pas vrasjes së Benazir Butos presidenti i vendit Pervez Musharraf ka thirrur në presidencë një mbledhje të jashtëzakoshme me zyrtarë të lartë të vendit.