1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aktivitet rajonal në Tiranë për sigurinë dhe mbrojtjen

26 Nëntor 2010

Bashkëpunimi rajonal për çështje të politikës së sigurisë e të mbrojtjes sjell në Tiranë ushtarakë të lartë nga 6 vendet e rajonit Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Turqia marrin pjesë në një kurs të përbashkët.

https://p.dw.com/p/QJ3I
Pamje nga aktiviteti rajonal në TiranëFotografi: DW

Aktiviteti rajonal në Tiranë promovon metoda të përbashkëta arsimimi dhe trajnimi në përputhje me ato të NATO-s. Këto metoda inkurajojnë të mësuarit aktiv dhe krijues, shkëmbimin e kulturave dhe përvojave profesionale të drejtuesve të ardhshëm të rajonit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në thelbin e tyre këto metoda, që aplikon NATO, kanë një filozofi: përgatitjen për të përballuar situata komplekse, të panjohura në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

N/Kolonel, Çlirim Toci, që mban titullin shkencor Doktor,drejtor i sektorit të strategjisë dhe politikave të mbrojtjes në Akademinë shqiptare të Mbrojtjes, thotë për DW se kursi është ndërtuar në bazë modulesh dhe se ai adreson çështjet më të diskutueshme sot në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes duke ruajtur “ngjyrat rajonale”.

Clirim Toci
Nën/kolonel Dr. Çlirim TociFotografi: DW

“Moduli i parë trajton temën e mjedisit bashkëkohor të sigurisë dhe të procesevetë sigurisë kombëtare; moduli i dytë trajton çështje të sigurisë aktuale me të cilat ballafaqohet rajoni dhe vendet e tjera të NATO-s ; i treti ato për sigurinë bashkëpunuese dhe moduli i fundit çështje të reformës në sektorin e sigurisë” thotë ai

Qëllime dhe objektiva

Katër modulet u drejtohen ushtarakëve të lartë nga 6 vendet e rajonit. “Nga Shqipëria, Serbia, Turqia, Italia, Bosnjë- Hercegoviona, Kosova” saktëson Nën/Kolonel, Toci.

Tradita e zhvillimit të kurseve të tilla rajonale është mbi 10 vjeçare. Por këtë vit synohet që përmes kombinimit të 4 moduleve të përmirësohet besimi dhe klima pozitive mes strukturave ushtarake të rajonit. Mbi këtë bazë të promovojë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, të nxisë nismat dhe parimet e sigurisë dhe paqes në rajon, si vlera të qënësishme të procesit të integrimit në NATO dhe në BE.

Objektivat që synohen të arrihen gjatë këtij kursi lidhen me paraqitjen dhe të kuptuarit e koncepteve të sotme të sigurisë dhe mbrojtjes, në forcimin e sigurisë rajonale dhe të institucioneve të mbrojtjes duke eksploruar mënyra bashkëpunimi për çështje të tilla si kontrolli demokratik i Forcave të Armatosura dhe i marrëdhënieve mes struktuarave ushtarake dhe atyre civile.

Flash-Galerie NATO Gipfel Portugal Lissabon 2010
Samiti i fundit i NATO-s në Lisbonë ku merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali BerishaFotografi: AP

Rajoni i Ballkanit mbetet vulnerabël nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, gjë që e bën bashkëpunimin rajonal një domosdoshmëri për t' i fituar betejat kundër tyre. Po kështu edhe për të parandaluar aktet terroriste, nga të cilat rajoni i Ballkanit nuk është i imunizuar.

Bashkëpunim në vend të konflikteve të armatosura

Realizimi i qëllimeve dhe objektivave në këtë kurs të lartë rajonal shtrojnë rrugën e konsolidimit të sigurisë dhe paqes në një rajon që përjetoi konflikte të egra të armatosura. Por zëvendësimi i tyre me bashkëpunimin është i dukshëm edhe në pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Serbia adhe Kosova.

“Për herë të parë ushtarakë nga Serbia dhe Kosova ulen në një tavolinë dhe diskutojnë për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë. Ky është një zhvillim i ri cilësor. Rajoni i Ballkanit jeton një realitet të ri, ku flitet për bashkëpunim dhe kur konflikte te armatosura kanë mbetur në të shkuarën. Pjesëmarrja e ushtarakëve nga Kosova dhe Serbia është një sukses i kursit të lartë për sigurinë dhe mbrojtjen 2010.” thotë Nën/Kolonel, Toci.

Ekspertë dhe lektorë të NATOs

Në kursin e lartë të Akademisë shqiptare të Mbrojtjes lektorët janë ekspertë dhe pedagogë të njohur të NATO-s. Akademia ka bashkëpunime më Qendrën Marshall në Gjermani, një qendër gjermano-amerikane që merret me çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes, por edhe me Qendrën e Studimeve të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Italisë si edhe me lektorë të veçantë nga Gjermania, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Bashkëpunimi - çelësi i suksesit në luftën kundër terrorzmit.

Pjesëmarrja e ushtarakëve të lartë nga vendet e rajonit është një rast edhe për të njohur dhe diskutuar konceptin e ri strategjik të NATO-s , të prezantuar në samitin e fundit në Lisbonë, javën e kaluar. Përballja me terrorizmin përbën një nga objektivat parësorë të këtij koncepti. “Vetëm me bashkëpunim, dhe përqëndrim forcash mund t'i parandalojmë aktet terroriste, jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe atje ku ato e kanë burimin.” thotë Nën/Kolonel, Çlirim Toci.

Shqipëria u pranua anëtare me të drejta të plota në NATO në samitin e Strasburgut, më Prill 2009 dhe merr pjesë me trupa luftuese në Irak dhe në Afganistan si edhe me njësitë e veta të dislokueshme në misione paqeruajtëse të Aleancës Atlantike.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi