1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza për manipulime dhe të shara - zgjedhjet presidenciale të balotazhit në Ukrainë

7 Shkurt 2010

Ukrainasit zgjedhin këtë të dielë (7.2.) një president të ri. Në zgjedhjet e balotazhit ndodhen përballë opozitari pro rus Viktor Janukoviç (59) dhe kryeministrja properëndimore Julia Timoshenko (49)

https://p.dw.com/p/Lus3
Viktor Janukoviç dhe Julia Timoshenko
Viktor Janukoviç dhe Julia TimoshenkoFotografi: AP

Finishi i fushatës zgjedhore ukrainase: Julia Timoshenko bëri thirrje për lutje publike për Ukrainën. Në praninë e të gjitha personaliteteve kryesore fetare, ajo u paraqit para një deti me flamuj kaltër e verdhë para katedrales së Shën Sofisë në qendër të Kievit:

"Ne e dimë që në kohë të vështira lutjet e përbashkëta forcojnë shpirtin dhe besimin tonë dhe atë që është edhe më e rëndësishme - forcojnë vullnetin tonë në luftë për çështjen e drejtë."

Me një karakter laik dhe me pjesëmarrje shumë më masive ishte tubimi i kundërshtarit të saj politik. Pas prezantimit të grupeve të muzikës pop dhe yjeve të humorit, shpërthyen sulmet e Viktor Janukoviç-it ndaj Timoshenkos.

"Tani ka ardhur koha e llogaridhënies. Për krejt çfarë keni bërë tani do të merrni kartonin e kuq nga populli ukrainas. Pastaj mund të shkoni në pension politik."

Kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko
Kryeministrja e Ukrainës, Julia TimoshenkoFotografi: AP

Ligji elektoral - mollë sherri mes pozitës dhe opozitës

Në ditët e fundit të fushatës elektorale ishte ashpërsuar shumë toni mes kandidatëve Janukoviç dhe Timoshenko. Para së gjithash ndryshimet e ligjit elektoral në prag të zgjedhjeve e zemëruan kryeministren Timoshenko. Partia e Janukoviç-it arriti që me votat e komunistëve dhe bllokut të Jushçenkos "Ukraina jonë" të kaloj ligjin në parlament. Timoshenko reagoi me sulme të ashpëra dhe akuzoi kundërshtarët e saj se po përgatiten për manipulimin e zgjedhjeve. Ajo doli në një konferencë shtypi e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

"Unë i jam drejtuar bashkësisë ndërkombëtare me lutjen që të dënojë ndryshimet në ligjin elektoral. Ne mendojmë që po synohet një manipulim i madh i zgjedhjeve. Në qoftë se vëzhguesit e pavarur do të arrijnë në të njëjtin përfundim atëherë planet e falsifikuesve mund të ndalohen ende."

Në esencë bëhet fjalë për përbërjen deri në 18 anëtarësh të komisioneve zgjedhore, detyrë e të cilave është numërimi i votave dhe konfirmimi i rezultateve të zgjedhjeve. Ato deri tani kanë patur të drejtë të marrin vendime vetëm nëse të pranishëm kanë qenë dy të tretat e të dy kandidatëve. Tani këto komisione mund të marrin vendime nëse të pranishëm janë vetëm nga dy anëtarë të secilit kandidat. Në këtë mënyrë ka humbur funksioni i kontrollit, thotë Timoshenko. Përveç kësaj kjo është një dëshmi se Janukoviçi po e tregon fytyrën e tij të vërtetë.

"Unë ju them: Janukoviçi, i cili ishte përgjegjës për falsifikimin e votave në vitin 2004, nuk ka ndryshuar".

Lideri i opozitës, Viktor Janukoviç
Lideri i opozitës, Viktor JanukoviçFotografi: AP

Ukraina në prag të një Revolucioni të Dytë të Portokalltë?

Në rast se do të ketë manipulim të zgjedhjeve atëherë Ukraina nuk mund t'i shmanget një revolucioni të dytë të portokalltë. Qysh tani qarkullojnë lajme se Timoshenko ka bërë gati autobuzët që nga perëndimi i vendit ku ajo gëzon mbështetjen më të madhe të nisen vullnetarët për protesta në kryeqytet. Hanna Hermann, deputete e "Partisë së Rajoneve" të Janukoviç-it i komenton këto lajme me qetësi.

"Gjashtë autobuzë presin para ndërtesës së administratës në Lemberg. Deri tani atje janë lajmëruar shumë pak njerëz. Ndoshta Julia Timoshenko do të ketë sukses që të mbush këta autobuzë plot. Pastaj udhëtim të mbarë sepse rrugët për në Kiev janë në gjendje mjaft të keqe."

Ndaj akuzave për manipulim të zgjedhjeve Janukoviç reagoi me të shara të egra:

"Njerëz të cilët përhapin pisllëk, gënjeshtra, shpifje dhe mashtrime. Një shoqëri e tillë do të mblidhet atje. Njerëzitë normal nuk dalin në meidan ( Sheshi i Pavarësisë)."

Autor: Stephan Lack / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi