1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuza të reja kundër presidentit Wulff

16 Janar 2012

Në debatin mbi kredinë e presidentit gjerman Christian Wulff janë shfaqur akuza të reja: Një producent filmi duhet të ketë paguar një pjesë të shpenzimeve të hotelit për presidentin gjatë një vizite të tij në Munih.

https://p.dw.com/p/13jyC
Presidenti gjerman Christian Wulff
Presidenti gjerman Christian WulffFotografi: dapd

Kundër presidentit Christian Wulff janë ngritur akuza të reja. Revista "Der Spiegel" njofton, se në periudhën që ka qenë kryeministër i Saksonisë së Ulët, Wulff së bashku me të shoqen Bettina ka pranuar ftesën e financuesit të filmave, berlinezit David Groenewold, për të marrë pjesë në festën e birrës në Munih. Revista, sipas të dhënave të veta, posedon një faturë të hotelit, të paguar nga Groenewold. Ky i fundit, sipas të dhënave të veta, ka marrë përsipër një pjesë të shpenzimeve për çiftin Wulff. Sipas Groenewold bëhej fjalë për diferencën mes shumës që kish paguar Wulff dhe çmimit që ka pasur vërtetë dhoma e hotelit.

Avokati i Wulff-it i tha revistës, se klienti i tij ka marrë një faturë të vetën për hotelin. Shumën e kësaj fature ai e ka paguar komplet vetë dhe më pas e ka rimbursuar "përmes ministrisë së shtetit dhe partisë kristiandemokrate të Saksonisë së Ulët". Kjo sepse Wulff ka pasur edhe takime të tjera në Munih, si në nivelin e kryeministrit të landit ashtu edhe në funksionin partiak.

Christian Wulff dhe e shoqja Bettina me Angela Merkelin
Christian Wulff dhe e shoqja Bettina me Angela MerkelinFotografi: dapd

Me gjasë Wulff-i nuk ka patur dijeni për kompensimin e shpenzimeve

Sipas gazetës "Bild am Sonntag" në shpenzimet e hotelit është fjala për një çmim suplementar për një suitë luksoze në hotelin "Bayerischer Hof". Avokati i Groenewold-it i tha kësaj gazete, se "Klienti im ka paguar 200 euro për çdo natë, në mënyrë që z. Wulff të kishte një dhomë me kategori më të mirë. Fjala është për dy netë gjithsej, pra një shumë prej 400 eurosh." Por vet Wulff-i nuk ka pasur dijeni për këtë pagesë shtesë. Arsyeja ka qenë se Wulff pati ardhur papritur së bashku me të shoqen dhe fëmijët. Si rrjedhojë Groenewold aranzhoi ndryshimin e dhomës, e kësisoj Wulff-it i dhanë një dhomë më të madhe.

Gazeta "Frankfurter Allgemeine" e së dielës njofton gjithashtu se ka të dhëna, që hulumtimet e gazetarëve e kanë nxitur Wulff-in ta shndërrojë kredinë në bankën BW në një kredi me kushte të favorshme. Si banka, ashtu edhe Wulff-i patën deklaruar, se më 25 nëntor 2011 kishin rënë dakord në telefon, që "huanë me planifikim fleksibël" ta kthenin në një kredi hipoteke me interes shumë më të lartë. Në të njëjtën ditë ish-zëdhënësi i Wulff-it, Olaf Glaeseker pati telefonuar në zyrën e kryeredaktorit të gazetës "Bild", për t'u ankuar lidhur me hulumtimet tek fqinjët e Wulff-it në shtëpinë e tij në Grosburgvedel, thuhet në këtë shkrim.

Merkel e mbështet Wulff-in

Kancelarja Angela Merkel ka theksuar se e "vlerëson" Wulff-in. Njëkohësisht ajo vuri në dukje se Wulff-i do t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve që kanë lidhje me huanë e tij si dhe me akuzat që kanë të bëjnë me qëndrimin e tij ndaj gazetarëve. "Si vlerësimi për punën e tij, ashtu edhe përgjegja ndaj pyetjeve të shtruara" ndodhen në një kontekst, i tha kancelarja radios kombëtare gjermane Deutschlandfunk.

Pritja e Presidentit për vitin e ri 2012
Pritja e Presidentit për vitin e ri 2012Fotografi: picture-alliance/dpa

"Presidenti do t'u përgjigjet edhe pyetjeve të reja, nëse do t'i shtrohen. Ndërkohë që ato pyetje që i janë shtruar, në pjesën më të madhe kanë marrë përgjigje", tha Merkel. E rëndësishme është, që asnjë pyetje të mos mbetet e hapur. "Nëse ka nevojë për sqarim, duhet të jepet një përgjigje", tha Merkel. E pyetur, nëse Wulff mund të vazhdojë të qëndrojë në post pas gjithë këtij diskutimi që vazhdon prej javësh, Merkel tha: "Unë mendoj, se ai mund të vazhdojë të qëndrojë në post. Tani le të presim një herë se si do të vazhdojë ky vit." Ajo është e mendimit, se presidenti do ta vazhdojë punën e tij të mirë.

Kryeministri i Saksonisë së Ulët, kristiandemokrati David McAllister është distancuar nga pararendësi i tij. Ai premtoi gjithashtu, se do ta zbardhë plotësisht aferën e huasë. "Nëse ka pasur deklarata të rreme të qeverisë së landit në parlament, atëherë ne do t'i korrigjojmë ato, i tha McAllister gazetës 'Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung'.

Autor: A. Sigrist / V.Filaj-Ballvora(dpa, rtr, dapd, afp)
Redaktoi: A. Cama