1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzat ndaj Thaçit: Komisioni Juridik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkon hetim ndërkombëtar

17 Dhjetor 2010

Komisioni Juridik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi të enjten raportin e të ngarkuarit Dick Marty mbi rrëmbime të mundshme të të burgosurve serbë prej UÇK-së. Ai do të hidhet në votim në janar.

https://p.dw.com/p/Qdr7
Plenumi i Këshillit të Evropës në Strasburg.Fotografi: picture-alliance / dpa

Komisioni Juridik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkoi të enjten (16.12) hetim ndërkombëtar për rrëmbime të mundshme të të burgosurve serbë prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë hetimit duhet sqaruar edhe pyetja, nëse janë shitur ilegalisht organe të personave të rrëmbyer dhe a ka qenë i përfshirë në këtë tregti kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi Komisioni pas një mbledhjeje të tij.

Raporti do të votohet në fund të janarit

Në raportin e të ngarkuarit nga Këshilli i Evropës, Dick Marty, raport i cili u miratua prej Komisionit në Paris, thuhet se misioni juridiko-policor i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, duhet t'i vazhdojë hetimet e tij mbi këto krime. Raporti i Marty-t do t'i paraqitet për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në fund të muajit janar.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp raportuesi Marty theksoi, se ai dhe dy deputetët e tjerë nuk kanë qenë në Kosovë si hetues. Ne jemi parlamentarë për të drejtat e njeriut, tha ai. Më shqetëson fakti, që instancat juridike, të cilat duhet të merreshin teorikisht me vrasjet dhe me tregtinë e organeve në Kosovë midis 1999-ës dhe 2000-it nuk e kanë bërë këtë, tha Marty. Ai kritikoi qëndrimin e Perëndimit.

Synohet të mos prishet ekuilibri politik

Dick Marty, Abgeordneter des Europarats, in Straßburg
Deputeti zviceran në Këshillin e Evropës Dick Marty, raportues i Komitetit për Çështje Juridike dhe për të Drejtat e Njeriut.Fotografi: picture alliance/dpa

"Sot ekzistojnë direktiva për të mos prishur ekuilibrin politik. Kërkesa jonë është një tjetër: Ne themi, që nuk mund të bëhet gjithçka dhe të sakrifikohen të drejtat themelore, të drejtat e njeriut dhe e drejta për drejtësi."

Sipas Marty-t ka prova, se UÇK-ja ka trajtuar "në mënyrë çnjerëzore dhe poshtëruese" në veri të Shqipërisë serbë si dhe shqiptarë të Kosovës renegatë. Sipas tij, më pas këta të fundit janë zhdukur. Gjithmonë sipas Marty-t, në një klinikë të burgosurve u janë marrë organe, të cilat u janë shitur më pas jashtë vendit kontrabandë spitaleve të huaja.

Më ka tronditur thellësisht, që faktet e përshkruara në këtë raport kanë qenë të njohura për një numër të madh personash, tha Marty gjatë konferencës së sotme për shtyp. Kjo hipokrizi duhet të marrë fund, shtoi ai. Sipas tij, ndjekja penale paraqitet e vështirë në këtë rast, sepse as Tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë as misioni i BE-së EULEX nuk janë kompetente për krime të kryera në territorin e Shqipërisë. Duhen krijuar kushte, që bëjnë të mundur që dëshmitarët të flasin, pasi ky është problemi: Në kushtet aktuale dëshmitarët nuk do të flasin, sepse jeta e tyre nuk është e mbrojtur, tha raportuesi.

Autor: dpa/afp Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi