1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzat për trafik organesh, caktohet prokurori për hetimin e Thaçit

29 Gusht 2011

Një prokuror amerikan do të ketë në dorë të vërtetojë akuzat e rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për kryesimin e bandave mafioze dhe krimit të organizuar.

https://p.dw.com/p/12PMZ
Logo e Eulex-it
Logo e Eulex-it

EULEX, misioni europian, që është në Kosovë, publikoi emrin e prokurorit të ri në një deklaratë për shtyp, duke nënvizuar se prokurori John Clint Williamson ishte caktuar për të drejtuar grupin e hetimit për të gjithë çështjen.

Williamson do të shikojë më në detaje akuzat e bëra nga ish prokurori zviceran, Dick Marty, në një raportim për Këshillin e Europës, që u bë për herë të parë publik në dhjetor, vetëm pak ditë pasi partia e Thaçit ishte shpallur fituese në zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci
Kryeministri i Kosovës, Hashim ThaciFotografi: picture alliance / dpa

Dokumenti, që ka vënë në siklet përveç Kosovës, edhe SHBA dhe Bashkimin Europian, supozon se qeveritë perëndimore e dinë shumë mirë aktivitetin kriminal të kryeministrit Thaçi dhe liderëve të tjerë të Kosovës, por “mbyllnin një sy” për këtë çështje.

Hashim Thaçi akuzohet se ka urdhëruar personalisht vrasjet, burgosjet ilegale, dhunën dhe pyetësorët, në rolin e një komandanti guerrillas kundër Serbisë në 1998-2000. Në raport thuhet se Thaçi ka qenë edhe vetë present në disa nga këto krime.

Në periudhën pas luftës, raporti supozon se Thaçi dhe të besuarit e tij ideuan dhe kryesuan grupet e pastrimit të parave, kontrabandës së cigareve dhe trafikut të drogës, prostitucionit dhe trafikut të organeve njerëzore në  Kosovë.

Senatori zviceran dhe investigatori i KE, Dick Marty
Senatori zviceran dhe investigatori i KE, Dick MartyFotografi: AP

"E gjithë trupa ndërkombëtare në Kosovë dhe qeveritë e SHBA dhe aleatëve të tjerë, në mënyrë të padiskutueshme e kanë dokumentimin e këtyre krimeve”, tha zvicerani Dick Marty para Këshillit të Europës.

Prokurori, që do kryesojë akuzën, Williamson është aktualisht një këshilltar drejtësie për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Ai gjithashtu ka qenë një i dërguar i SHBA për krimet e luftës në Irak, si dhe ka qenë në misionin e OKB në Kosovë nga 2001 deri në 2002.

Williamson nga 1994 deri 2001 ka qenë një prokuror në gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe ka patur një rol mjaft aktiv në akuzat kundër ish liderit jugosllav, Slobodan Milosevic.

Autor: DPA/A Armellini/ DW A Borici

Redaktoi: A Verbica