1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Al Kaeda nuk ka asnjë mundësi që të infiltrohet në Maqedoni

18 Janar 2010

Shumë të vogla janë gjasat që Al-Kaeda të infiltrohet seriozisht në Ballkan. Ekspertët në Maqedoni vlerësojnë se Al Kaida nuk mund të lulëzojë në këtë vend, sepse nuk gjen terren pjellor në mesin e popullatës islame.

https://p.dw.com/p/LYcZ
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.Fotografi: Petar Stojanovski

Ballkani mund të jetë synim i ri i Osama Bin Laden-it. Kështu e ka paralajmëruar ministri i jashtëm israelit Abigdor Lieberman kryeminstrin Nikolla Gruevski, gjatë një takimi të realizuar javën e kaluar.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska në një intervistë dhënë Dojçe Velles para vitit të ri vuri në dukje se aktualisht nuk ka faktorë ose rreziqe kërcënuese që mund të prishnin stabilitetin politik dhe sigurinë e Maqedonisë. Mendim të njëjtë kanë dhënë edhe njohësit e kësaj çështjeje. "Me sa di unë, qeliza të al- Kaedës në Maqedoni nuk ka. Pyetja është nëse ka qeliza latente të Al Kaedës ka në Ballkan? Dikush thotë se ka në Bosnjë Hercegovinë ose në Sanxhak. Megjithatë këtu duhet bërë një dallim, nëse ato janë qeliza të Al Kaedës ose grupeve radikale. Momentalisht qeliza të al-Kaedës që mund të jenë operacionale në Maqedoni nuk ka."

Mësim i fesë islame në Maqedoni.
Mësim i fesë islame në Maqedoni.Fotografi: Nikos Pilos

Kështu shprehet profesori në Kolegjin Amerikan Stevo Pendarovski duke shtuar se në qoftë se një grup i tyre vihet në funksionim në Ballkan, atëherë qëllimi i tyre do të jenë objektet kundër dy vendeve kryesore-udhëheqëse të koalicionit antiterrorist SHBA - Britani e Madhe dhe këtu para së gjithash mendohet për ambasadat e tyre, bankat, kompanitë, dhe ndoshta edhe për bazën amerikane Bondsteel në Kosovë.

Me rëndësi është të bëhet dallimi në mes të antarëve të Al Kaedës dhe pasuesve të Islamit radikal, të cilët ekzistojnë që nga vitet nëntëdhjetë në Maqedoni, por me numër shumë të vogël. "Objektivi i parë janë njerëzit që praktikojnë një formë të pastër të Islamit. Të tillë ka disa vite që ekzistojnë në Maqedoni që nuk janë më shumë se dhjetra apo mijëra, megjithatë, ekzistojnë njerëz të tillë. Ata nuk mund që të përcaktohen si radikalë. Ata mund të preferojnë një mësim radikal, por jo dhe veprimet radikale," tha Pendarovski.

Lutje në xhami, Maqedoni
Lutje në xhami, MaqedoniFotografi: DW

Të njëtin qëndrim ka edhe profesori në Akademinë Policore Marian Koteski, i cili thotë se nuk ka kërcënim nga Al Kaida, për shkak se shërbimet e sigurisë janë të koordinuara mirë dhe e mbajnë terrenin nën kontroll. "Al Kaeda mund të rekrutojë persona nga shtresat e dobëta sociale, të cilëve u ofrohet çfarëdo lloj ndihme, të cilët ne i quajmë si pritës. Ata mund të rekrutohen nga mjediset fundamentaliste islamike, por janë nën kontroll të Bashkësisë Islame të Maqedonisë," thotë Kotevski.

Për Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe komunitetet islame në rajon, problem më të madh paraqesin Vehabitët ose besimtarët që praktikojnë metodën e vjetër për të zbatuar të drejtën e Sherihatit, kështu që shpesh vijnë në konflikt me besimtarët e tjerë. Për fat të mirë thonë njohësit, është ende i vogël numri i tyre, që ata lidhen fortë apo edhe të organizohen dhe janë agresiv në zbatimin e mësimit islam.

Shenjë e njohjes së tyre janë mjekrat e gjata dhe pantallonat e gjera dhe jo shumë të gjata, ndërsa ata shpesh janë të shoqëruar me gratë e tyre të veshura në të zeza. Pavarësisht nga mungesa e shenjave të veçanta për praninë e Al Kaidës në rajon, ekspertët paralajmërojnë se shërbimet e sigurisë duhet të jenë vigjilentë në maksimum, sepse vetëm një pakujdesi e vogël mund t'ju kushtojë shtrenjtë të gjithëve.

Autor : Sashko Dimevski / Qeriman Bekteshi

Redaktoi : Aida Cama