1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alber: Ne duam të ndërmjetësojmë për hapjen e perspektivave të reja të bashkëpunimit

Vilma Filaj-Ballvora22 Tetor 2008

Intervistë me Michael Alber, drejtor ekzekutiv i shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare

https://p.dw.com/p/FekK
TiranaFotografi: Aida Cama

Një ndër bashkëorganizatoret e konferencës „Perpsektivat e tregut në Shqipëri“, që zhvillon punimet në Tiranë është shoqata ekonomike gjermano-shqiptare. Kjo shoqatë u themelua në Bon në vitin 1994 me qëllim që të nxisë dhe të mbështesë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Vilma Filaj-Ballvora bisedoi me drejtorin ekzekutiv të kësaj shoqate z. Michael Alber


Shoqata ekonomike gjermano-shqiptare është aktive në organizimin e veprimtarive të ndryshme që kanë për qëllim vendosjen e kontaktit dhe shkëmbimin e informacionit midis ndërmarrjeve gjermane dhe atyre shqiptare. Nisur nga përvoja pozitive e dy konferencave të mëparshme ekonomike mbi perspektivat e tregut në Shqipëri, synohet që edhe konferenca e sivjetme të ketë një rezonancë pozitive tek pala gjermane, vë në dukje Michael Alber, drejtor ekzekutiv i shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare: „Ne duam të ndërmjetësojmë për hapjen e perspektivave të reja të bashkëpunimit dhe shprehim mirënjohje për mbështetjen që gjejmë si nga politika shqiptare ashtu edhe nga ndërmarrjet shqiptare. Kemi besim, se nisur nga mundësitë ekzistuese do të arrijmë të vendosim kontakte të reja bashkëpunimi mes ndërmarrjeve shqiptare dhe atyre gjermane.“


Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha positive gjatë viteve të fundit, thekson z. Alber. Por ndonëse rritja ekonomike vitet e fundit ka qenë me rreth 6%, vendi ende ka nevojë për infrastrukturë moderne. “Zhvillimi ekonomik kërkon domosdoshmërisht përmirësimin e infrastrukturës në sektorin e energjetikës, në atë të përpunimit të mbeturinave, furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Pikërisht në këta sektorë shohim perspektiva bashkëpunimi prej nga Shqipëria mund të përfitojë prej përvojës gjermane si dhe mund të vendoset kontakti me firmat gjermane.”


Lidhur me veprimtarinë e shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare, drejtori ekzekutiv i saj Michael Alber nënvizon: “Pikërisht angazhimi i shoqatës në forcimin e kontakteve bilaterale është shprehur përmes rritjes së vazhdueshme të interesit dhe të kërkesave nga firmat gjermane për më shumë informacion dhe kontakte me firmat shqiptare.”


Volumi i tregtisë së jashtme midis dy vendeve qysh nga viti 2005 është rritur me 32%. Rritja e interesit të ekonomisë gjermane ndaj Shqipërisë u artikulua edhe me themelimin e Dhomës gjermane të Industrisë dhe të Tregtisë në Shqipëri (DIHA) në gusht të këtij viti. Themelimi i DIHA është një nismë e përfaqësuesve të industrisë gjermane në Shqipëri me mbështetjen e Kongresit të Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, të shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare si dhe të Ministrisë gjermane të Ekonomisë e Ambasadës gjermane në Tiranë.