1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alkooli, një helm për nervat

Gudrun Heise1 Janar 2015

Për Vitin e Ri trokiten gotat - me verëz të gazuar apo shampanjë dhe ato përmbajnë, dihet, alkool. Edhe në sasi në vogla ai ndikon në trup dhe tru. Por çfarë ndodh saktësisht?

https://p.dw.com/p/1EDaL
Fotografi: picture-alliance/dpa/Stockfood

Vera e gazuar shijon, ngre humorin, ndoshta të bën më të lirshëm dhe të zgjidh edhe gojën - sidoqoftë alkooli që ajo përmban ndikon në tru dhe trup. Fillimisht alkooli depërton në qarkullimin e gjakut përmes mukozave të gojës dhe më pas në zorrën e hollë. Atje ai absorbohet dhe përmes sistemit të gjakut drejtohet për në mëlçi. "Mëlçia është stacioni i parë dhe më i rëndësishëm. Ky organ disponon enzima që mund të shpërbëjnë alkoolin", shpjegon studiuesi nga Heidelbergu Helmut K. Seitz.

Mëlçia i transporton jashtë trupit lëndët helmuese. Alkooli është një ndër to. Në kalimin e parë përmes mëlçisë ajo nuk e shpërbën të gjithë alkoolin. Një pjesë del sërish jashtë dhe arrin në të gjitha organet e tjera. "Kjo prek p.sh. pankreasin, muskulaturën, kockat dhe sjell ndryshime përkatëse", thotë Seitz. Alkooli mund të përkeqësojë rreth 200 sëmundje ose madje edhe të shkaktojë.

Çfarë ndodh në tru?

Alkooli i tepërt ndikon para së gjithash në tru: perceptimi është i shtrembëruar, aftësia e gjykimit e turbulluar, aftësia e përqendrimit reduktohet. Në të njëjtën kohë ulet edhe pragu i rezervimit; ndoshta ndjen një lloj qetësie të këndshme. Por teprimi mund të shkaktojë dehje deri në humbjen e vetëdijes. Veçanërisht rëndë është treguar kjo në konsumin e tepruar deri në gjendje kome tek të rinjtë. Depresionet dhe agresionet bëhen më të forta. Bilanci i trishtuar për vitin 2012: në të gjithë botën abuzimi me alkoolin, aksidentet dhe dhuna nën ndikimin e alkoolit kanë shkaktuar çdo dhjetë sekonda vdekjen e një njeriu. 3,3 milionë vetë kanë humbur jetën për shkak të alkoolit.

Kur alkooli qarkullon në trup ai prek edhe trurin. Rreth gjashtë minuta zgjat derisa ai arrin atje. "Molekula alkool-ethanol është një molekulë e vogël. Ajo është në gjak, në të gjitha pjesët e lëngshme, e tretshme në ujë. Njeriu përbëhet në 70 deri 80 për qind prej ujit, alkooli shpërndahet atje dhe mbërrin kështu në tru."

Professor Helmut K. Seitz
Profesori Helmut K. SeitzFotografi: privat

Alkooli ndikon të ashtuquajturit neurotransmetues. Këto janë substanca të cilat përcillen në fundet e nervave në sistemin qendror nervor. Nën ndikimin e alkoolit ndodh një përcjellje e gabuar ose e ndryshuar. Kështu mund të ndodhin dëmtime akute. Nëse situata është kronike pra në rast konsumi të rregullt për vite me radhë apo dekada me radhë, dëmet janë respektivisht edhe më të rënda: "Ndodhin çrregullime të mëdha tek vitaminat dhe elementet mineralë që luajnë një rol të madh në sistemin qendror nervor. Vitamina B1 p.sh. është shumë e nevojshme për trurin tonë. Nëse ajo mungon mund të shfaqet sindroma Korsakov-Vernicke." Kjo është një sëmundje e sistemit qendror nervor. Nga alkoolizmi kemi një mungesë vitaminash dhe kjo nga ana e saj sjell sëmundje. Në tru ndikimet e alkoolit mund të çojnë deri në demencë.

Çfarë ndodh në trup?

Në gojë alkooli sulmon mukozat, për shembull në ezofag. Atëherë trupi nuk mund të mbrohet më nga lëndët helmuese. Mëlçia që është përgjegjëse për shpërbërjen e helmeve është në radhë të parë e zënë me shpërbërjen e alkoolit. Substanca të tjera toksike nuk trajtohen. Ndër të tjera kjo mund të çojë në një inflamacion të pankreasit. "Duhet të sjellim në mendje lloje tumoresh si ato të gojës, të fytit, ezofagut, por edhe tumore të mëlçisë apo të gjirit te gratë. Shpesh harrohet se alkooli është një faktor rreziku për tumoret e gjirit tek gratë dhe edhe një rrezik për zorrën e trashë."

Në radhë të parë është megjithatë ciroza e mëlçisë. Kur alkooli shpërbëhet në mëlçi, atje çlirohen lëndë toksike. Ato dëmtojnë qelizat e mëlçisë. Afërsisht 20 deri 30 mijë njerëz në vit vdesin në Gjermani për shkak të kësaj ciroze. "Alkooli shpërbëhet në mëlç dhe atëherë mund të mendohet se helmi është zhdukur. Por është një lëndë dytësore që çlirohet. Ky është Acetaldehyd, e cila reagon në shkaqe më të vogla, mund të shkatërrojë shumëçka dhe madje të shkaktojë edhe dëme në kodin gjenetik." Kemi të bëjmë me një produkt të frikshëm të metabolizimit nga alkoolit, thotë Seitz me tej, dhe një substancë që mund të shkaktojë tumore.

Bierflaschen Bier Regal Vielfalt Bier Sorten Marken
Fotografi: picture alliance/dpa Themendienste

Por alkooli ka edhe një anë të mirë, edhe pse një të vetme, thotë studiuesi i alkoolit: "Ai ka efekt pozitiv ndaj arteriosklerozës, pra kalçifikimit të enëve të gjakut. Kur jemi më të moshuar dhe kemi një rrezik për infarkt apo ndoshta edhe kemi pasur një infarkt, atëherë ndoshta një gotë verë mbrëmjeve nuk është e keqe, por jo më shumë." Dhe këtë e dinte edhe Paracelcus. Mjeku, shëruesi dhe teologu predikonte që në fillim të shekullit të 16-të: "Të gjitha gjërat janë helm dhe asgjë nuk është pa helm, por doza është ajo që vendos që një gjë të kthehet në helm." Pra ashtu si për shumë gjëra të tjera: sasia është vendimtare.