1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjurmët e sulmeve terroriste të 9/11 në SHBA në politikën e sigurisë

Sven Pöhle / Juli Ristani11 Shtator 2013

Sulmet terroriste të 11 shtattori 2001 kanë lënë gjurmë në politikën e sigurisë së SHBA-së: lufta me avionët e telekomanduar dhe afera e vëzhgimeve të NSA, i kanë rrënjët tek „lufta kundër terrorit“.

https://p.dw.com/p/19faA
Fotografi: AP

Dymbëdhjetë vjet pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 ngrihet deri në qiell kulla e një Qendre të re Botërore të Tregtisë në Nju Jork. "Ground Zero" ka kohë që është rindërtuar. Organizatori i sulmeve Osama Bin Laden ka vdekur. Ushtria amerikane ndërkohë është tërhequr nga Iraku. Kthimi i forcave amerikane nga Afganistani është planifikuar në vitin 2014.
Ajo që mbetet është një politikë e sigurisë, që ka dominuar të menduarit dhe veprimet e qeverisë amerikane që nga sulmet. "Në vitet 1990 në SHBA kishte përparësi ekonomia", thotë shkencëtari politik Martin Tunert nga Qendra për Studime Amerikane në Heidelberg. Kjo ndryshoi befas pas sulmeve. "Pastaj ishte përparësia e sigurisë. Dhe kjo vazhdon edhe sot me disa kufizime." Kështu, lufta me avionë të telekomanduar ose përgjimi gjithëpërfshirës nga ana e agjencive të inteligjencës, e kanë origjinën e tyre në masat e marra nga amerikanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001.

World Trade Center Anschlag 11. September 2001
Fotografi: AP

"Lufta kundër terrorit "

Që kur presidenti i atëhershëm i Shteteve te Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush menjëherë pas sulmeve shpalli " luftës kundër terrorit ", shërbimet e inteligjencës janë shtuar në mënyrë të konsiderueshme: buxheti i 16 agjensive të inteligjencës është dyfishuar, sipas "Washington Post ", që nga viti 2001 duke shkuar në 52,6 miliardë dollarë amerikanë. Fakti që agjencitë e zbulimit përgjojnë rrjetin botëror të komunikimit,- duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara,- u bë publik nga ish-punonjësi i agjencisë së spiunazhit NSA-së Eduard Snouden. Me miratimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare u themelua në vitin 2002 agjencia e tretë më e madhe federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Detyra kryesore e rreth 200.000 të punësuarve është për të mbrojtur popullsinë amerikane nga kërcënimet terroriste. Shpenzimet e ushtrisë amerikane që nga viti 2001 nga 312,74 miliardë dollarë amerikanë shkuan në 682,45 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2012, më shumë se dyfishuar - kryesisht si pasojë e luftërave në Afganistan dhe Irak që Shtetet e Bashkuara udhëhoqën në të ashtuquajturën "lufta kundër terrorit". SHBA-ja pas sulmeve të 11 shtatorit të 2001 jo vetëm ka zgjeruar dhe lidhur më fort me njëri-tjetrin shërbimet sekrete, autoritetet hetuese dhe forcat e armatosura, por edhe ka shtuar në mënyrë të konsiderueshme kompetencat e tyre. Dhe këtë bazuar në të ashtuquajturin Akti Patriotik, që Kongresi e miratoi në 25 Tetor të 2001 në vazhdën e sulmeve terroriste. Në fakt, ky ligj federal ishte i përkohshëm. Megjithatë, që nga miratimi i tij, afati është zgjatur disa herë nga ana e Kongresit amerikan. Komponentet kryesore të Aktit Patriotik, i cili kufizon në mënyrë masive liritë civile, janë ende në fuqi: kështu agjencitë e inteligjencës kanë të drejtë të përgjojnë pa pasur mandat telefonin dhe internetin si dhe të kontrollojnë transaksionet financiare. Në raste të tjera, gjykatat inkurajohen - ose edhe detyrohen – të miratojnë kërkesat e prokurorëve, kur provohet se është në interes të përgjithshëm të luftën kundër terrorizmit. Përveç kësaj, i ashtuquajturi ligji penal kundër armikut zbatohet ndaj të huajve të dyshuar për terrorizëm, kur është e nevojshme edhe pa vendim gjyqësor ose aktakuzë, si p.sh. në burgun amerikan të Guantanamos.

Përgjime, tortura, luftë kibernetike, vrasjet në shënjestër

Me fuqinë në rritje të inteligjencës ushtarake kanë ndryshuar gjithashtu edhe metodat e tyre: nga Guantanamo dhe nga kampet e burgjet në Afganistan apo Irak janë të njohura rastet e torturës.
Duke qënë se nga 11 shtatori 2001 terrori është decentralizuar, forcat amerikane janë përqëndruar më shumë në luftë asimetrike, thotë Martin Tunert. Në këtë kontekst janë vrasjet në shënjestër, ku vendosen kundërshtarë jopublikë, por që shihen si rrezik potencial dhe ekzekutohen pa gjyq. Ndërkohë sulmet parandaluese nga ushtria amerikane janë bërë të vetkuptueshme. "Legjitimiteti i luftës parandaluese ka ndodhur dhe është pranuar gjithnjë e më shumë," thotë Peter Rudolf, ekspert i Organizatës Amerikane për Ekonomi dhe Poltikë. "Lufta në Irak u zhvillua me arsyetimin për të eleminuar një kërcenim që mund të vijë në të ardhmen. Edhe përdorimi i avionëve pa pilotë u bë me këtë llogjikë. "Presidenti Barack Obama e ka zgjeruar ndjeshëm atë që nisi ish-presidenti Xhorxh W.Bush, përdorimin e avionëve të telekomanduar. Që nga viti 2004, janë vrarë deri në 3500 njerëz në kufirin afgano-pakistanez, duke përfshirë qindra civilë. Gjithashtu në Jemen dhe Somali, avionët amerikanë të telekomanduar kanë ndërmarrë shumë sulme.

Ground Zero World Trade Center me ndriçim të posaçëm më 10 shtator 2012
Ground Zero World Trade Center me ndriçim të posaçëm më 10 shtator 2012Fotografi: AP

Hija e gjatë e politikës anti-terror

Instrumentet e luftës kundër terrorizmit e kanë egërsuar imazhin Shteteve të Bashkuara, thotë eksperti amerikan Peter Rudolf. Për këtë arsye administrata Obama kohët e fundit është përpjekur ta zbusë këtë. Në maj 2013 Obama premtoi se do ta mbyllte burgun e Guantanamos, do të kufizonte sulmet me avionë të telekomanduar dhe se do të vendoste rregulla më të rrepta. Në tre vitet e fundit, numri i sulmeve të telekomanduara, megjithatë, është zvogëluar. SHBA-ja nuk dëshiron të ndërmarrë më në të ardhmen "një luftë të pafund globale kundër terrorizmit", tha Obama në një fjalim kryesor dhe foli për një "fazë të re". Termi "lufta mbi terrorin" është zhdukur nga gjuha zyrtare e administratës së Obamës - ai është zëvendësuar nga "lufta kundër terrorit". "Në fakt, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin veten të përfshirë në një konflikt të armatosur ndërkombëtar në luftë kundër Al Kaedës. Sigurisht, kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme", thotë Peter Rudolf. Kjo luftë nuk është më prioritet i lartë për presidentin Obama, por ajo ishte thelbësore për justifikimin e mjeteve të përdorura, shprehet Rudolf.
Instrumentet dhe metodat e politikës së sigurisë, që janë krijuar dhe modifikuar strategjikisht pas sulmeve të 11 shtatorit i përkasin tani e tutje repertorit të politikës amerikane të sigurisë. Edhe pse Presidenti Obama dëshiron t'i rregullojë këto metoda, nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara kanë për t'i shmangur ato në të ardhmen.